LAJMI I FUNDIT:

Tregu amerikan u shtua me 130 mijë vende pune

Tregu amerikan u shtua me 130 mijë vende pune

Ekonomia amerikane ka treguar së fundi shenja të plasaritjes, por tregu i vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet ende i fuqishëm dhe duket se nuk po ndikohet nga pasiguria në rritje.

Kështu për muajin gusht, të dhënat theksuan se tregu amerikan u shtua me plot 130 mijë vende pune, çka bëri që shkalla e papunësisë të mbetej e qëndrueshme në kuotën 3.7 për qind.


Në fakt ekonomia dhe tregu janë rritur për plot 107 muaj rresht në lidhje me vendet e punës, por ritmi i punësimit është ngadalësuar kohët e fundit, krahasuar me më herët. Shtetet e Bashkuara kanë shtuar mesatarisht 158 mijë vende pune këtë vit, krahasuar me 223 mijë që numri rezultonte në vitin 2018, përcjell Telegrafi.

Punësimi mori një nxitje të madhe vitin e kaluar. Asokohe qeveria punësoi 25 mijë punëtorë të përkohshëm për të ndihmuar në projekte ndërkombëtare dhe pagat u rritën shëndetshëm me plot 3.2 për qind gjatë periudhës në fjalë. Kjo vlerë madje ishte edhe më mirë se sa parashikimet e ekonomistëve dhe ata besuan se mund të ndihmonte edhe në stabilizimin e inflacionit, i cili rezultonte relativisht i lartë.

Shkalla e papunësisë afrikano-amerikane ra në mënyrë dramatike në 5.5 për qind nga 6 për qind dhe ky ishte rekordi më i ulët që të dhënat kanë regjistruar ndonjëherë që nga viti 1972. Nga ana tjetër, papunësia hispanike ra në 4.2 për qind nga 4.5 për qind. /Telegrafi/