LAJMI I FUNDIT:

Transmetuesi kanadez CBC pauzon aktivitetet në Twitter, pasi po etiketohet si “media e financuar nga qeveria”

Transmetuesi kanadez CBC pauzon aktivitetet në Twitter, pasi po etiketohet si “media e financuar nga qeveria”

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau është përfshirë në një mosmarrëveshje për vendimin e Twitter për ta etiketuar transmetuesin publik kanadez si të “të financuar nga qeveria”, duke akuzuar rivalin e tij kryesor politik Pierre Poilievre se ka kërkuar ndihmën e drejtuesve të teknologjisë në një përpjekje për të mos-financuar rrjetin.

Javën e kaluar, lideri konservator Poilievre i bëri thirrje pronarit të Twitterit, Elon Musk që ta etiketonte transmetuesin kanadez, apo Korporatën Kanadeze të Transmetimit (në gjuhën angleze) të “financuar nga qeveria” – por nuk kërkoi që edhe krahut francez të rrjetit t’i jepej i njëjta etiketë, transmeton Telegrafi.


Të hënën, transmetuesi tha se do të “pauzonte aktivitetet në Twitter” pasi disa nga burimet e rrjetit filluan të mbanin etiketën “media e financuar nga qeveria”.

Menjëherë pas kësaj, etiketa e llogarisë u ndryshua si media e financuar 69 për qind nga qeveria, nga Twitter. Në etiketë më parë shkruhej se ishte me shifër 70 për qind, por sipas Musk, transmetuesi publik kanadez kishte thënë se kjo shifër ishte më pak se 70 për qind, kështu që miliarderi korrigjoi etiketën.

“Gazetaria jonë është e paanshme dhe e pavarur. Të sugjerosh të kundërtën është e pavërtetë. Kjo është arsyeja pse ne po pauzojmë aktivitetet tona në Twitter”, shkroi CBC në Twitter.

Poilievre e vlerësoi më parë vendimin, duke postuar në Twitter se “tani njerëzit e dinë se është propagandë e Trudeau-t, dhe transmetuesi nuk përbën lajme” dhe i drejtoi përdoruesit drejt një peticioni të partisë Konservatore për të hequr financimin e rrjetit, një qëllim afatgjatë i partisë.

CBC ka kundërshtuar etiketën “transmetues i financuar nga qeveria”, duke thënë se transmetuesi ishte “i financuar publikisht përmes një miratimi parlamentar që votohet nga të gjithë deputetët”. /Telegrafi/