0Shares

Nga Londra e jugut në Los Anxhelos, Tim Roth ka qenë aktor i Hollivudit për pothuajse tri dekada. Në një intervistë për ditoren Guardian, me gazetarin Aaron Hicklin, ai flet Brexit-in, rolet e pazakonta, dhe të qënit gjithmonë në vendin e duhur e në kohën e duhur. Pjesë të kësaj interviste, Telegrafi ua sjell më poshtë.

Një djalë i ri futet në bar dhe takohet me Sam Shepardin, Christopher Walkenin dhe Al Pacinon. Ai është Tim Roth. Viti është 1990, dhe aktori gjendet në Nju Jork për xhirimet e filmit “Jumpin’ at the Boneyard” – një film i zymtë për abuzimet me drogë. Roth, i cili planifikonte ta pinte i qetë një birrë teksa shikonte futbollin amerikan, e gjen veten në bisedë me Walkenin dhe Shepardin.

“Thash me vete: ‘Në çka dreqin u futa’”, thotë ai. “Ishte krejt rastësisht.”

Kur u largua, Shepardi premtoi se do të shkruante një rol për të në dramën e tij të ardhshme.

Kjo nuk ishte hera e parë që Roth ishte në vendin e duhur e në kohën e duhur, dhe kjo nuk do të jetë hera e fundit për të.

Ky takim i pamundur u zhvillua në kohën kur Roth luajti Van Goghun në filmin “Vincent & Theo” të Robert Altmanit, pak para komedisë me Gary Oldmanin në filmin “Rosencrantz & Guildenstern are Dead” të Tom Stoppardit që ishte hit në rrethet e festivaleve. Në New Yorker, kritikja Pauline Kael e përshkroi aktrimin e Rothit si “një formë e shkarkimit kinetik”.

Në vend të kthimit në Londër, ai vendosi të hulumtonte Los Anxhelosin. Por, ashtu si takimi i tij në një bar në Manhatan, rastësia veproi sërish. Emri i saj ishte Quentin Tarantino, filmi ishte “Reservoir Dogs”, dhe kjo ndryshoi gjithçka.

“Erdhi në banesën time pas një nate në bar dhe e lexuam çdo skenë me të gjitha personazhet. Kaluam kohë të mirë dhe ma dha rolin”, thotë Roth. “Isha shumë me fat. M’u dha një dritare dhe unë kërceva.”

Kur Shepard e telefonoi për rolin në shfaqjen e re në Broadway, gjithçka ishte vonë.

“Nuk mund ta bëja”, thotë Roth. “Gjithmonë jam penduar që e kam humbur atë mundësi.”

Jemi ulur në një verandë në Langham, në një kohë të vjetër, në një hotel të vjetër të Hollivudit që ka shërbyer të pasurit që nga vitet 1930.

“Është pjesa e jashtme e një skene të Hollivudit”, shpjegon Roth. “Ka njerëz që jetojnë këtu, por nuk i shihni kurrë”.

Aktorin 57-vjeçar verës mund ta shihni në filmin “Once upon a Time in Hollywood” – filmi i tij i pestë me Tarantinon, që flet për vrasjen e Familjes Manson (grup kulti që më 1969 mbyti gruan shtatzënë të regjisorit Roman Polanski, Sharon Tate – v.j.). Në film luajnë emrat e njohur, si: Leonardo DiCaprio, Brad Pitt, Al Pacino dhe Margot Robbie.

“Mendoj se janë 100 karaktere të rastësishme në të”, thotë Roth, por nuk dëshiron të futet në detaje.

Në ndërkohë, ai vazhdon me seriali “Tin Star”, një uestern modern që ka nis sezonin e dytë, e ku Roth e luan policin Jim Worth.

Pas shumë roleve në SHBA, është kënaqësi ta dëgjosh Rothin duke e përdorur theksin e tij të vërtetë, të pandryshuar nga dekadat e jetesës në Kaliforni. Edhe pse qyteti po gëlon tash nga britanikët, ai thotë se gjërat ishin shumë më ndryshe në vitin 1990.

“Në kohën kur erdha këtu nuk kishte aktorë anglezë, përveç Garyt (Oldman). Ai e vendosi urën për mua”, thotë ai.

Roth rrallë harron të japë mirënjohje për heronjtë dhe mentorët e tij, si: aktorët Ray Winstone dhe John Hurt; ish-mësuesit, skenaristët dhe regjisorët Alan Clarke, Ken Loach dhe Barrie Keeffe të cilët thotë si ia dhanë karrierën. Ai është mirënjohës që është rritur në vitet 1970, në Londër, kur një brez shkrimtarësh iu përgjigjën rënies post-industriale të Britanisë me një socrealizëm të thellë. Ishte kjo bota që ai e njihte. Kështu, me rolin e racistit “skinhead” në filmin “Made in Britain”, ishte në gjendje të gozhdonte nihilizmin, zemërimin dhe dhunën e burrave të bardhë të klasës punëtore, sepse kishte përvojë për mënyrën se si silleshin keqbërësit në shkollën e tij të mesme. Ai rikujton trazirat e përditshme, fëmijët duke ikur përmes dritareve, betejat e rrugëve…

“E urreja atë kohë, sepse rrihesha çdo ditë”, thotë ai. “Nuk dija të luftoja”.

Punku ishte në horizont; kryengritja ishte në ajër. Roth ishte pjesë e lëvizjes “Rocku kundër Racizmit” dhe grupit “Studentët kundër nazistëve”. Ai hidhte gurë në marshet e protestës, tok babin e tij.

Kur Trevori (karakteri i Tim Rothit në filmin “Made in Britain”) hedh tullat në dritaren e shtëpisë së pakistanezëve duke bërtitur “unë jam britanik”, kjo duket si origjina e një storje për dezintegrimin social që nxiti rezultatet e referendumit të vitit 2016.

“E kuptoj pse ka ndodhur Brexit-i, për shkak se Trump ndodhi në Amerikë – e marr atë që është në rrënjë të tij”, thotë ai.

Babai i tij ishte emigrant që u transferua nga Nju Jorku në Liverpul. Roth është duke menduar ta bëjë një film të bazuar në historinë e tij.

“Ai ishte nga Bruklini, që ishte i vështirë dikur, dhe ai e kishte një familje të keqe”, shprehet ai. “I bënë gjërat jo të duhura dhe u dëbuan. Kur babai im ishte 11 vjeç, punonte në fabrikat e tullave në Liverpul, por u zhvendos në Kent ku punoi në fusha”.

Në moshën 17-vjeçare, Roth seniori po fluturonte me bombarduesit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Ishte një njeri i mirë, por rrëmujë për shkak të jetës së tij dhe luftës”, thotë Roth. “Por, sado e çrregullt të jetë jeta juaj, sado e komplikuar të jetë, duhet të jetë një dritare ku mund të ngjitesh dhe atë dritare ma dha ai”.

I nxitur nga abuzimet, debutimi i Rothit si regjisor ishte te “The War Zone”, një film që flet për dëshpërimin, që analizon ndikimin e incestit, destruktivitetin e tij, helmin e tij… Roth donte të tregonte se si abuzuesit i bëjnë viktimat bashkëfajtorë në abuzimet e tyre.

“Ata janë regjisorë e ju jeni aktori; luani për ta, i ruani fshehtësitë e tyre”, thotë ai.

Kanë kaluar 20 vjet qëkur Rothi e bëri “The War Zone”. A ka menduar të bëjë regjinë e një filmi tjetër?

Ai është marrë me një skenar për Mbretin Lir që Harold Pinteri e shkroi për të, ndërsa mund të bëjë regjinë e një filmi në Meksikë të bazuar në një roman të Gabriel Garcia Marquezit.

“Familja ma ka dhënë bekimin”, thotë ai.

Roth nuk mendon të jetojë sërish në Britani të Madhe, por është e qartë se konturat e fëmijërisë së tij në një klasë punëtore ende i përcaktojnë zgjedhjet e tij të karrierës. Ndërsa, raporti me Tarantinon e ka definuar jetën e tij në SHBA më shumë se një herë. Ai ishte në Sundance për premierën e filmit “Reservoir Dogs”, më 1992, ku takoi Nikki Butlerin (gruan me të cilën jeton edhe sot). Një vit më vonë, të dy ishin në Belize ku Roth luante në filmin e Nicolas Roegut, “Heart of Darkness”.

“Aty u martuam; në një xhungël pranë lumit”, thotë ai.

Kur Roth largohet për të takuar gruan që ende e quan “missus”, një grup shokësh vazhdojnë të porositin margarita. Është ora një pasdite dhe dielli shndrit. Atmosfera është festive.

“Është botë e çuditshme”, thotë Roth me theksin e tij londinez… sërish në vendin e duhur. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)