Tetë të mitur procedohen penalisht në Tiranë pas rrahjes së një shtetasi italian

Tetë të mitur janë identifikuar dhe proceduar penalisht nga Policia e Tiranës pas një konflikti fizik pranë Pallatit të Kulturës, ku mbeti i dëmtuar lehtë një 20-vjeçar italian.
Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, të miturit, të moshës 13 deri në 15 vjeç, dyshohet se kanë qenë të përfshirë në përplasjen fizike të ndodhur më 29 korrik 2026, gjatë së cilës shtetasi italian ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Pas veprimeve të shpejta hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 kanë arritur të identifikojnë, shoqërojnë dhe procedojnë në gjendje të lirë tetë të miturit e dyshuar për përfshirje në konflikt.
Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /tch/








































