Pas ngadalësimit të ekonomisë botërore, industria e automjeteve u përball edhe më tepër se të tjerat me vështirësi pafund. Rënia e kërkesës botërore dhe kalimi thuajse i detyruar tek makinat elektrike goditën shumë prej gjigantëve botërore, të cilët ulën projeksionet e fitimit të ardhshëm dhe gati shpallën falimentin. Por në gjithë këtë kontekst të errët, duket se Tesla ia ka dalë të dominojë tregjet dhe të renditet shumë më mirë se sa të tjerat.

Të dhënat zyrtare të tremujorit të tretë të vitit 2019 kanë nxjerrë në pak se, prodhuesi i makinave elektrike pati për periudhën në fjalë një fitim surprizë prej plot 342 milion dollarë, në një kohë kur bursa e Wall Street kishte pritur që kompania të postonte një humbje neto deri në 257 milionë dollarë, përcjell Telegrafi.

Rezultati ishte i pabesueshëm për të gjithë! Madje sapo të dhënat u publikuan, aksionet e Tesla u rritën shumë shpejt.

Para kësaj, Tesla kishte pasur vetëm dy herë të tjera fitime të tilla të majme, që prej kohës kur doli në treg në vitin 2010. Ato ishin shënuar një herë në vitin 2013 dhe pastaj përsëri në vitin 2016. Por për vitin aktual askush nuk i priste këto përfundime. Madje edhe kur shefi i Tesla, Elon Musk ishte shprehur para disa muajve se kompania kishte dalë nga zona e rrezikut të humbjeve, përsëri analistët ishin skeptikë dhe mosbesues.

Vitin e kaluar Tesla u përball me sfida të shumta për të rritur prodhimin e sedanit Model 3, makina e parë që kompania projektonte për tregun e masave, me një çmim shitje prej 40 mijë dollarësh, por pastaj, konfliktet tregtare dhe ngadalësimi ekonomik goditën botërisht sektorin.

Kështu, pavarësisht se prodhimi u rrit shumë, kërkesa ra dhe niveli i shitjeve u reduktua së tepërmi. Prandaj, për të zgjeruar shitjet jashtë vendit, kompania ka shpenzuar së fundi shuma të mëdha parash në një fabrikë prodhuese në Kinë, me shpresën e hyrjes në tregjet e saj miliarda konsumatorësh. /Telegrafi/