LAJMI I FUNDIT:

Termocentralit “Kosova A” i vazhdohet licenca edhe për një vit për prodhimin e rrymës

Termocentralit “Kosova A” i vazhdohet licenca edhe për një vit për prodhimin e rrymës

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ia ka vazhduar edhe për një vit licencën për prodhim të energjisë elektrike Termocentralit “Kosova A” të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), pas analizimit të situatës me furnizim me energji elektrike në vend.

Pas funksionalizimit dhe emërimit të dy anëtarëve të rinj nga Kuvendi i Kosovës, Bordi i ZRRE-së ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë vit.
Ndër të tjera, në këtë mbledhje janë shqyrtuar 22 kërkesa për ndërtim të kapaciteteve të reja të bazuara në burimet e ripërtritshme të energjisë.


ZRRE ka njoftuar se KEK-u ka kërkuar që të zgjatet licenca e Termocentralit “Kosova A”, për prodhimin e energjisë elektrike.

“Pas shqyrtimit të kërkesës së KEK-ut, për vazhdimin e licencës për prodhim të energjisë elektrike nga Termocentrali ‘Kosova A’ dhe analizimit të situatës me furnizim me energji elektrike në vend, Bordi ka vendosur që t’i vazhdohet licenca edhe për një vit”, tregon ZRRE-ja, shkruan Telegrafi.

Me këtë rast, janë lëshuar autorizimet finale për ndërtim të dy hidrocentraleve me një kapacitet instalues prej 8.3 MË, të cilat do të ndërtohen në Komunën e Dragashit dhe atë të Hanit të Elezit.

“Dy projekteve me panele Solare/Fotovoltaike që përbëjnë një kapacitet prej 6 MË dhe dy nga Era me kapacitet të përbashkët prej 64.8 MË u janë lëshuar Autorizimet Preliminare, ndërsa 7 projekteve të cilat janë të pajisura me Autorizime Finale ju është vazhduar afati i autorizimit për përfundimin e ndërtimit, dhe 7 projekteve të tjera u është shtyrë afati i vlefshmërisë së Autorizimit Preliminar, me qëllim të përmbushjes së kushteve për lëshimin e Autorizimit Final për ndërtim”, ka njoftuar ZRRE-ja nëpërmjet një komunikate.

Në këtë mbledhje po ashtu është paraqitur Raporti Vjetor i punës së ZRRE për vitin 2017, i cili do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim, si dhe janë shqyrtuar 20 apelime të vendimeve të ankesave të konsumatorëve të energjisë elektrike.

Bordi ka shqyrtuar edhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me rregullimin e sektorit si dhe menaxhimin e Zyrës së Rregullatorit. /Telegrafi/