Redaksia e Sportit në portalin më të madh vendor Telegrafi, ka ndarë çmimet për futbollistët më të mirë të vitit 2020 në Superligën e Kosovës në futboll.

Viti 2020 ka qenë vit shumë i vështirë në sport si në të gjitha sferat tjera të jetës. Pandemia COVID-19 që ka kapluar botën ka bërë që të ndikojë edhe në sportin më të bukur në botë, futbollin.

Stadiumet e zbrazëta pa tifozët dukeshin vërtetë tmerrshëm, ndërsa edhe futbollistët e kishin të vështirë, pasi për një kohë iu ndalua stërvitjet dhe ndeshjet, pastaj pa tifozët në tribuna edhe për ta nuk është e lehtë të luajnë.

Trajneri dhe sportistët me çmimet e Telegrafi Sport (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Pa marrë parasysh të gjitha vështirësive, redaksia e sportit në Telegrafi ka vendosur që vlerësojë më të mirët e vitit 2020 (vit kalendarik) në futbollin kosovar.

Për të tretin vit radhazi, Telegrafi ndan çmimet për portierin, mbrojtësin, mesfushorin, sulmuesin dhe lojtarin e vitit.

Të zgjedhurit dhe redaksia e sportit në Telegrafi (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Por nga ky vit në mediumi ynë ndanë çmimin edhe për trajnerin e vitit si dhe lojtarin më të talentuar të vitit në Superligën e Kosovës në futboll.

Në një ceromoni të organizuar brenda objekteve të Telegrafit u janë ndarë çmimet më të mirëve.


Portieri i vitit – Faton Maloku

Faton Maloku me çmimin e portierit më të mirë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Faton Maloku kishte një lëndim që e mbajti për një kohë të gjatë jashtë fushave, por ai në vitin 2020 është rikthyer në momentin e duhur te Drita.

Gjilanasi ka qenë ndër më meritorët për fitimin e titullit te Drita.

Portieri Faton Maloku dhe gazetari Betim Zeqiri (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Në sezonin pranveror të edicionit 2019/20 mbrojti portën në 15 ndeshje ku në tetë nga tetë nga to mbajti portën e pa prekur, e pranoi vetëm nëntë gola.

29-vjeçari ka qenë fantastik edhe në stinorin vjeshtor të edicionit 2020/21, ku ka mbrojtur në 10 takime, pesë nga to mbajti portën e pa prekur e ka pranuar vetëm gjashtë gola.


Mbrojtësi i vitit – Ardian Cuculi

Ardian Cuculi me çmimin e mbrojtësit më të mirë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Drita si kampione e Kosovës është dalluar më së shumti në repartin e mbrojtjes, ku thuajse ishin të pathyeshëm.

E padyshim që loja e mirë në defensivë te Drita ka bërë që Ardian Cuculi të zgjidhet mbrojtësi i vitit nga redaksia jonë.

Qendërmbrojtësi shqiptar nga Maqedonia ka qenë lider i vërtetë tek skuadra gjilanase, pa ia mohuar paraqitjen shumë të mirë edhe të lojtarëve tjerë të Dritës si Ardian Limani, Fidan Gërbeshi, Ilir Blakçori e të tjerëve.

Mbrojtësi Ardian Cuculi me gazetarin Driton Gajraku (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Cuculi ka marrë një nofkë interesante nga tifozët e Dritës si ‘Ministri i mbrojtjes’ falë ndeshjeve fantastike që ka zhvilluar.

33-vjeçari përveç që dha kontribut të madh në triumfin e Dritës në kampionat, paraqitjet fantastike i ka bërë edhe në sezonin 2020/21.


Mesfushori i vitit – Endrit Krasniqi

Endrit Krasniqi me çmimin e mesfushorit më të mirë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Endrit Krasniqi ka qenë në një formë fantastik këtë vit dhe padyshim lojtari kryesor i Prishtinës.

Klubi kryeqytetas arriti ta fitoj Kupën e Kosovës falë kontributit të madh të Endritit në mesfushë.

26-vjeçari ka shënuar 10 gola dhe ka kontribuar me katër asistime gjatë këtij viti kalendarik me fanellën bardh e kaltër.

Mesfushori Endrit Krasniqi me gazetarin Shkumbin Pireva (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Falë golave e asistimeve të Endritit, Prishtina vazhdon të jetë ende në garë për titullin e kampionit për edicionin 2020/21.

Krasniqi ka fituar garën për mesfushorin e vitit në një konkurrencë të fortë me Hamdi Namanin e Erjon Vucajn e Dritës si dhe Edvin Kucin e Ballkanit që kishin gjithashtu një vit të jashtëzakonshëm.


Sulmuesi i vitit – Mirlind Daku

Çmimi i sulmuesit më të mirë, Mirlind Daku (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Nuk do shumë fjalë për sulmuesin e vitit në futbollin kosovar dhe këtë çmim e ka fituar me plot meritë Mirlind Daku.

22-vjeçari iu bashkua Ballkanit në janar ku edicionin e kaluar shënoi pesë gola, ndërsa këtë edicion ka shpërthyer me 21 gola të tjerë në 16 ndeshje dhe dy asistime.

Falë paraqitjes fantastike këtë vit, Daku mori ftesë edhe nga Përfaqësuesja A e Kosovës ku debutoi në miqësoren ndaj Shqipërisë dhe qëndroi në bankë ndaj Sllovenisë dhe Moldavisë.

Gjilanasi këtë çmim e fitoi në konkurrencë me sulmuesin e Prishtinës, Otto John i cili pati një vit të mirë.


Talenti i vitit – Ermal Krasniqi

Ermal Krasniqi me çmimin e talentit të vitit (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Ballkani kishte krijuar një treshe fantastike të sulmit me Blend Baftiun, Jetmir Topallin dhe Arbër Hoxhën, por ky i fundit pësoi një lëndim të rëndë.

Trajneri Ismet Munishi e zëvendësoi në mënyrë perfekte Hoxhën, ku i erdhi rasti Ermal Krasniqit në krahun e majtë të sulmit.

Talenti Ermal Krasniqi me gazetaren Fjolla Gashi (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Anësori këmbëshpejtë ishte fantastik edicionin 2019/20 ku shënoi katër gola e bëri dy asistime, ndërsa këtë edicion është pjekur edhe më shumë si futbollist.

Krasniqi ka fituar garën për talentin e vitit në konkurrencë me Almir Ajzerajn, Qëndrim Zybën, Edison Kçikun dhe Muharrem Jasharin.


Futbollisti i vitit – Blend Baftiu

Blend Baftiu me çmimin e lojtarit të vitit (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Blend Baftiu ka qenë padyshim sensacioni i vitit 2020 në elitën e futbollit kosovar.

Mesfushori ofensivë i Ballkanit ka pasur një vit të jashtëzakonshëm me gola e asistime të shumta.

22-vjeçari ka shënuar 11 gola e tre asistime në edicionin 2019/20, ndërsa në edicionin e ri 2020/21 ka realizuar dy gola e tre asistime të tjera duke e bërë atë lojtarin me të mirë të vitit në Kosovë.

Blend Baftiu me gazetarin Lavdim Pireva (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Blendi kishte oferta të shumta gjatë verës, por vendosi që të qëndronte te Ballkani edhe për një vit tjetër me shpresën se do të largohet drejt ndonjë kampionati më të fortë evropian.

Redaksia e sportit në portalin Telegrafi ka vendosur që ta shpërblejë me çmimin futbollisti i vitit falë paraqitjes të jashtëzakonshme këtë vit kalendarik.


Trajneri i vitit – Ardian Nuhiu 

Ardian Nuhiu me çmimin e trajnerit të vitit (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Ardian Nuhiu padyshim se është trajneri më i mirë i vitit pas sukseseve të mëdha me klubin e Dritës.

Fitimi i titullit kampion në sezonin 2019/20 dhe shpallje kampion vjeshtor në sezonin aktual 2020/21 e vërtetojnë epitetin e më të mirit për trajnerin Nuhiu.

Përveç kësaj, shqiptari nga Maqedonia e Veriut ka sjell edhe një kulturë të lartë sportive në ndeshje dhe deklaratat e tij të matura pas ndeshjeve.

Trajneri Ardian Nuhiu me gazetarin Imran Amiti (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

24 fitore, 6 barazime dhe 4 humbje janë bilanci i Nuhiut si trajner në vitin kalendarik 2020. Ai kishte nga 12 fitore në secilën prej dy gjysmë-sezoneve.

Ai në Evropë gjithashtu pati sukses duke arritur të marrë dy fitore, por edhe dy humbje, ku njëra nga to erdhi në tavolinë shkaku i rasteve me COVID-19 në skuadër.


/Telegrafi/