Ballkani feston fitoren e parë në kampionat pas triumfit ndaj Vushtrrisë

Ballkani ka regjistruar fitoren e parë në edicionin e ri të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke mposhtur Vushtrrinë me rezultat 2-1 në stadiumin e qytetit në Suharekë.
Pjesa e parë e kësaj përballjeje të xhiros së dytë u mbyll pa gola, me të dyja skuadrat që patën raste për të kaluar në epërsi, por pa arritur ta gjejnë rrjetën.
Ballkani e nisi më mirë pjesën e dytë dhe në minutën e 64-t kaloi në epërsi. Giovanni realizoi një gol të bukur nga distanca, duke i dhënë avantazhin skuadrës nga Suhareka.
Vendasit vazhduan të kërkonin golin e dytë dhe e gjetën atë në minutat e fundit të ndeshjes. Albin Berisha shënoi për 2-0, duke bërë që Ballkani të dukej shumë pranë fitores.
Megjithatë, Vushtrria nuk u dorëzua dhe në minutën e 95-të arriti të ngushtojë epërsinë. Mysafirët realizuan për 2-1, duke rikthyer emocionet në fund të takimit.
Por, nuk pati kohë për një tjetër gol dhe Ballkani arriti ta ruajë epërsinë deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit.
Kjo fitore i mundëson Ballkanit të lërë pas krahëve humbjen ndaj Prishtinës në xhiron e parë dhe të marrë tri pikët e para të sezonit.
Në anën tjetër, Vushtrria mbetet pa pikë pas dy xhirove, pasi kjo ishte humbja e dytë radhazi për skuadrën vushtrriase./Telegrafi/











































