LAJMI I FUNDIT:

Të shkosh në të njëjtin vend

Të shkosh në të njëjtin vend

Nga: Umberto Eco

E themi gjithnjë, pjesën më të madhe të kohës po e jetojmë si realitet virtual. Botën po e njohim nëpërmjet televizionit, që shpesh nuk e paraqet atë siç është, por e rindërton (rindërtonte me copa repertori Luftën e Gjirit) ose e ndërton ex novo (Vëllai i Madh). Nga realiteti shohim gjithnjë e më shumë një dukje të tij të jashtme.


Sidoqoftë, kurrë si në kohët tona, njerëzit nuk udhëtojnë kaq shumë. Përherë e më shumë njerëz, etërit e të cilëve më së shumti qenë zhvendosur në një qytet fqinjë, më thonë se kanë vizituar vende që unë, udhëtar i ethshëm, dhe guxoj të them profesional, ende thjesht ëndërroj t’i vizitoj. Asnjë plazh ekzotik, asnjë qytet i humbur, nuk është tashmë i panjohur për shumicën, që i kalojnë Krishtlindjet në Kalkutë dhe gushtin në Polinezi. Pra, mos duhet ta konsiderojmë këtë pasion turistik si një mënyrë për t’iu larguar realitetit virtual për të parë “vetë gjënë, the Real Thing”?

Është e vërtetë që turizmi, edhe pse sipërfaqësor, përbën një mënyrë për të përvetësuar sërish botën. Vetëm se dikur përvoja e udhëtimit ishte vendimtare, ktheheshe i ndryshuar, kurse tani takon vetëm udhëtarë të kthyer që as i ka cekur fare trazimi i të qenit Gjetiu. Kthehen, dhe vetëm te pushimet e radhës u punon mendja, nuk të rrëfejnë për gjërat që u ndriçuan mendjen dhe i ndryshuan.

Ndoshta ndodh sepse vendet e pelegrinazhit real tashmë bëjnë të pamundurën për t’iu përngjarë vendeve të pelegrinazhit virtual. Një ekspert më tregonte një herë se në një cirk me çadër të ikën dita duke pastruar e stolisur elefantin (kafshë e çrregullt dhe pisanjose nga natyra), me qëllim që në mbrëmje t’i ngjasojë pikë për pikë elefantëve që shikuesit kanë parë në kinema apo fotografi. Dhe kështu vendi turistik gjakon thjesht t’i ngjajë pamjes së patinuar që kanë dhënë mediat për të. Natyrisht, lypet që turisti të çohet në vendet e përshtatura sipas variantit virtual, dhe të mos shohë të tjerët, pra që të vizitojë tempujt dhe tregjet por jo kolonitë e lebrozëve, rrënojat e rregulluara dhe jo ato të plaçkiturat nga hajnat e varreve. Ndonjëherë, ndërtohet ex novo vendi i pelegrinazhit ashtu siç e kishin treguar mediat, dhe të gjithë kemi dëgjuar për vizitat e të dielës në një Mulino Bianco që i ngjan pikë për pikë atij të reklamës, për të mos folur natyrisht për Diznilendin apo Venecian, të rindërtuara në Las Vegas.

Por ndodh edhe që të gjitha vendet priren tashmë të ngjajnë mes tyre, dhe në një rast të tillë globalizmi ka vërtet gisht. Km në mendje vende magjike të Parisit si Sën Zhermeni, ku pak nga pak po zhduken restorantet e vjetra, libraritë e zhytura në gjysmerrësirë, dyqanet bimsa të artizanëve të vjetër, dhe vendin po ua zënë dyqanet e stilistëve ndërkombëtarë. Janë po ata që mund t’i gjesh në Avenynë e Pestë në Nju-Jork, në Londër, në Milano. Rrugët kryesore të qyteteve të mëdha tashmë ngjasojnë me njëra-tjetrën, gjen të njëjtat dyqane në to.

Do të thoni që, edhe pse priren të bëhen identikë, qytetet e mëdha e ruajnë fizionominë sepse njëri ka Kullën Eifel, tjetri Kullën e Londrës, një tjetër Duomon e Milanos dhe një tjetër Shën Pjetrin. E vërtetë, por po zë vend një ves për t’i ndriçuar hareshëm kullat, kishat dhe kështjellat me drita ylberi që zhdukin, nën triumfin elektrik, strukturat arkitektonike, kështu që edhe monumentet e mëdha rrezikojnë të ngjajnë mes tyre (të paktën për syrin e turistit), sepse të gjithë janë shndërruar thjesht në elemente mbështetëse për ndriçimet e stilit ndërkombëtar.

Kur gjithçka do të bëhet njëlloj më gjithçka, nuk do të bëhet më turizëm për të zbuluar botën e vërtetë, por për të gjetur gjithnjë, kudo që të shkojmë, atë që njihnim që më parë, dhe që fare mirë mund ta shihnim duke ndenjur në shtëpi para televizorit.