LAJMI I FUNDIT:

A do të këndellet diplomacia kosovare përmes ‘spastrimeve’?

A do të këndellet diplomacia kosovare përmes ‘spastrimeve’?

Marrë parasysh që Kosova ka pasur dështime të njëpasnjëshme në politikën e saj të jashtme që nga viti 2013, ndërkaq që viti 2019 përshkruhet si më i dobëti në performancën e diplomacisë së saj, ka qenë e pritshme që qeveria e re e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme, të marrë hapa të caktuar për të bërë ndryshime në përfaqësimin diplomatik të vendit, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike në vend.

Më 20 shkurt, ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Glauk Konjufca ka shkarkuar 14 persona që ishin angazhuar si konsuj nëpër ambasada e konsullata të ndryshme të Kosovës në botë.


Ndërkaq, me 3 mars, ai ka propozuar kthimin e 7 ambasadorëve dhe konsujve nga misionet diplomatike përkatëse, të emëruar sipas çelësit politik dhe të cilët kanë përfunduar mandatin 4 vjeçar të paraparë sipas ligjeve në fuqi. Megjithatë, vendimi për kthimin e tyre është nën kompetencën e presidentit të vendit.

Armend Muja, analist i çështjeve politike, vlerëson që problemet e Kosovës në politikën e jashtme kanë qenë rezultat i mos ndërlidhjes ndërmjet qëllimeve dhe shpërndarjes së resurseve nëpër botë.

Sipas tij, shumica e konsujve që kanë shërbyer në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në vendet e ndryshme, kanë qenë të emëruar politikisht dhe kryesisht, siç thotë ai, për agjenda të ulëta zgjedhore.

“Baza ligjore, të cilës i referohen se e përcakton qartë se të nominuarit politik duhet të shërbejnë për 4 vjet, nuk është mirë e sqaruar nëse ata mund të shërbejnë nëse mandati i tyre mund të vazhdohet pa shkëputje nga shërbimi”.

“Në këtë rast, nuk është evidente, sepse nuk e di rastin individual. Por, neve na mbetet të shohim hapat në vazhdim për të përcaktuar nëse vendimi ka qenë parimor dhe unë po shpresoj që të ketë një vlerësim të përgjithshëm të gjitha misioneve diplomatike, sepse më duhet të them që lista e shefave të misioneve janë të dominuar kryesisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca Kosova e Re (AKR)”, tha Muja.

Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë  se gjatë vitit 2010 Kosova nuk ka marrë asnjë njohje dhe nuk ka pasur asnjë përpjekje të suksesshme për anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Sipas tij, ndryshimet në përfaqësimin diplomatik nuk janë vetëm të pritshme, por edhe të nevojshme.

“Konsideroj që vendimet e fundit të ministrit Konjufca janë përpjekje për ta këndellur Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe shërbimin diplomatik dhe në të njëjtën kohë për të instaluar një kulturë të përgjegjësisë, e cila ka munguar te zyrtarët institucional, mbase, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës (2008)”.

“Gjithsesi, konsideroj që çfarëdo lloj vendimi i kësaj natyre, duhet gjithmonë të jetë në përputhje me kornizën ligjore dhe argumentet politike nuk duhet të jenë asnjëherë bazë e vetme dhe e mjaftueshme për vendime të ngjashme”, tha Kryeziu.

Por, përveç mbështetjes në kornizën ligjore, a kanë pasur vendimet e ministrit Konjufca për shkarkimin e 14 konsujve dhe propozimi për tërheqjen e 7 ambasadorëve dhe konsujve edhe argumente politike?

Deri më tash të gjithë konsujt e shkarkuar dhe ambasadorët e propozuar që të kthehen nga misionet e tyre, kanë qenë të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, ndërkohë që asnjë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është partnere në koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, prej nga edhe vjen ministri i Jashtëm, Konjufca.

Analisti Muja thekson që qeveria ka të drejtën të propozojë ambasadorët dhe në anën tjetër, sipas tij, është e vështirë për ambasadorët që të shërbejnë në misionet e jashtme në rast se nuk e kanë besimin e qeverisë.

Megjithatë, ai shpreh mendimin që dështimi i politikës së jashtme dhe diplomacisë nuk është vetëm për shkak të këtyre figurave në misionet diplomatike të Kosovës, por për shkak të politikave brenda gjithë Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Në fakt, Ministria e Punëve të Jashtme u ka shërbyer agjendave politike të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) dhe Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe unë shpresoj që të ketë një vendim parimor për të gjithë ambasadorët, që po ashtu ka një sërë të ambasadorëve politik. Më duhet të pohoj që Vlora Qitaku, Lirim Grajçevci dhe Edon Cana mund të jenë më kompetentët në shërbimin diplomatik, ani pse kanë qenë politik”.

“Unë njoh shumë të tjerë që janë shumë më jokompetent dhe për të cilët po shpresoj që ata nuk do të jenë subjekt i veçimit, por të një vendimi të njëjtë parimor”, tha Muja.

Ndërkaq, Kryeziu thekson që vendimet selektive me ngjyrime partiake nuk duhet të arsyetohen.

“Çdo ambasador, i cili e ka përfunduar mandatin apo jo vetëm ambasador, por edhe konsujt dhe anëtarë tjerë të korit diplomatik që janë emëruar në mënyrë të jashtëligjshme, duhet të jenë subjekt i vendimeve të ngjashme. Nuk duhet për asnjë moment të ketë preferenca politike, vetëm për shkak se njëri nga partnerët qeverisës është po ashtu partner koalicioni. Konsideroj që e njëjta logjike dhe e njëjta masë e vlerësimit duhet të jetë e aplikueshme për të gjitha vendimet që kanë dalë nga qeveritë e kaluara”, u shpreh Kryeziu.

Të dy njohësit e zhvillimeve në vend kanë vlerësuar që vendimet e ministrit të Jashtëm, Konjufca, do të marrin vlerësimin përfundimtar vetëm atëherë kur të bëhen të ditur emrat e rinj, të cilët do të zëvendësojnë personat që janë propozuar të kthehen nga misionet diplomatike, me çka do të bëhet e ditur se mbi çfarë baze bëhen emërimet e reja. /rel/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Drejtësi
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
Kalo në kategori