LAJMI I FUNDIT:

Të gjitha vendimet që u miratuan në seancën e Kuvendit

Të gjitha vendimet që u miratuan në seancën e Kuvendit
Foto: Arkiv

Votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, emërimi i anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, emërimi i anëtarëve të Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, zgjedhja e kryesueses së Komisionit në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit, zgjedhja e komisionerit në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, janë vendimet që u miratuan në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës.

Edhe seanca e së enjtes u karakterizua me replika të ashpra mes deputetëve të opozitës, ministrave të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të pozitës. Përplasjet filluan atëherë kur Partia Demokratike e Kosovës kërkoi nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu që të tërheq emrat për anëtarët e Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës dhe të propozojë anëtarë të rinj.


Reagimi i ministres Haxhiu ishte i menjëhershëm duke thënë se nuk mund të ua bëj qejfin deputetëve të opozitës për të propozuar emrat që duan ata e që e kanë denigruar sistemin e drejtësisë.

E, për emërimin e tyre pati përplasje verbale ndërmjet ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetit nga LDK-ja Driton Selmanaj.

Haxhiu kishte thënë se nuk ka konflikt interesi ndaj Albert Zogajt dhe nuk ka shkelje për anëtaren Valbona Disha-Haxhosaj, pasi sipas saj, më shumë peshon guximi dhe profesionalizimi se sa një masë disiplinore. Madje, Haxhiu ka udhëzuar deputetin Selmanaj ta lexojë Ligjin e punës, përcjell Telegrafi.

“Edhe një herë sa i përket kandidates Valona Disha Haxhosaj. Unë besoj që më shumë peshon guximi dhe profesionalizmi i saj se sa një masë disiplinore. Dhe përvoja praktike pastaj që përmend, lexoje Ligjin e punës, bre Driton! Për besë nuk mundem, nuk kam kohë të ta lexoj Ligjin e punës. Lexoje Ligjin e punës dhe shiko çka është përvoja praktike”, tha Haxhiu.

Përkundër kundërshtimeve, me 70 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës emëroi anëtarët e Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës.

Emrat e rinj të Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës të miratuar në Kuvend janë: Albert Zogaj, Drita Rexhaj,Valbona Dishaj-Haxhosaj, Afrim Shala, Zenel Leku, Edijesa Zahiri, Halide Reka, Bajram Miftari, Hajriz Hoti dhe Nenad Lazic.

Në vazhdimin e seancës, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 70 vota për kanë votuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, që parasheh heqjen e homologimit.

Në hyrje të seancës, ushtruesja e detyrës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se që nga viti 2009 ka pasur padrejtësi dhe se ka qenë në kundërshtim me rregullat e tregut të lirë, përcjell Telegrafi.

“Në këtë legjislaturë kemi marr iniciativë për të korrigjuar një padrejtësi e cila në Kosovë vijon që nga viti 2009. Është vlerësuar që ky autorizim i ka siguruar ekskluzivitetin në kundërshti me rregullat e tregut të lirë. Ka pasur vërejtje dhe reagim nga Bashkimin Evropian dhe natyrisht shkelje të të drejtave të konsumatorëve për faktin se kanë qenë të udhëzuar të kryejnë shërbime vetëm te një operator”, tha Kusari-Lila.

Në këtë votim nuk kanë marr pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovë.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se duhet të presin ministrinë përgjegjëse dhe të bëjnë në tërësi plotësim ndryshimin e këtij Ligji, ku sipas tij po mbetet i mangët.

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, opozita ka kërkuar të hiqet nga rendi i ditës votimi i komisionerit për Informim dhe Privatësi, megjithatë një propozim o tillë nuk u përkrahë.

Me 63 vota për, 9 kundër dhe asnjë abstenim u miratua edhe propozimi i Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

Anëtarët e rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë: Hasnije Ilazi, Gëzim Tosuni, Krenare Pireva-Nuçi, Seb Bytyçi , Alison Felce, Cassie L. Bernhardt, Werner J. Stueber.

Në seancën e së enjtes është zgjedhur edhe kryesuesja e Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit.

Kryetare e Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit është zgjedhur Albana Luta.

Po ashtu, deputetët kanë votuar edhe për zgjedhjen e komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Krenare Sogojeva-Dermaku është zgjedhur komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, duke marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.

Sogojeva-Dermaku mori 65 vota nga 72 deputetë që ishin të pranishëm në seancë.

Në procesin e votimit, të cilin e bojkotuan partitë opozitare, kandidati Enver Bujari mori 5 vota, e kandidati tjetër, Edon Myftari një votë, ndërsa një ishte e pavlefshme.

Gjithashtu, në seancën plenare, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti t’i raportojë Kuvendit të Kosovës sa më parë për takimin në Bruksel.

Tahiri deklaroi se kjo është kërkesa kryesore e deputetëve të AAK-së, pasi siç tha ai, “humbi tema e njohjes reciproke dhe e kërkimit të faljes, humbën temat kombëtare dhe fillojë loja e fjalëve CEFTA e Sefta, që në esencë është mini-shengeni”.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ftoi të gjitha Grupet Parlamentare të Kuvendit të Kosovës që t’i japin nënshkrimet e deputetëve për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e presidentes Vjosa Osmani, për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, deklaroi se në seancë të Kuvendit se shkarkimi i kryetares së KQZ-së, Valdete Daka nga presidentja Vjosa Osmani është anti kushtetues dhe autoritar në shërbim të Vetëvendosjes. /Telegrafi/