LAJMI I FUNDIT:

Takimi i ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë, nis pritja e delegacioneve

Takimi i ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë, nis pritja e delegacioneve

Nisi sot në Tiranë takimi i ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit me pritjen e delegacioneve.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mirëpriti ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, vendeve të BE në Procesin e Berlinit, përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, si dhe përfaqësues të organizatave rajonale.
Hasani priti me radhë George Gerapetritis, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë,
Olivér Várhelyi, Komisionerin e BE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, ministren e Jashtme të Gjermanisë Annalena Baerbock, ministrin e Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiç, ministren e Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, Kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç, njëkohësisht ministri në Detyrë për Punët e Jashtme.


24 delegacione nga vendet anëtare të Procesit të Berlinit janë pjesë e takimit të ministrave të Jashtëm i cili i paraprin samitit të Procesit të Berlinit që do mbahet në Tiranë më 16 tetor.

Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, takimi do të drejtohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Në të do të marrin pjesë: Komisioneri për Zgjerimin i KE, Oliver Varhelyi, përfaqësuesja e EAS, Angelina Eichhorst; ministrat e Jashtëm të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës si dhe të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit si Gjermania, Austria, Greqia, Hungaria etj.

Pjesë e Procesit të Berlinit janë edhe RCC dhe RYCO.

Takimi do të ketë 2 sesione të cilat do të jenë të mbyllura dhe në fund ministri Hasani, ministrja gjermane Baerbock dhe komisioneri Varhelyi do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp. /Telegrafi/