Szoboszlai prek me rrëfimin për vdekjen e Diogo Jotas: Asnjëherë nuk folëm për këtë mes nesh


Mesfushori i Liverpoolit, Dominik Szoboszlai, ka bërë një rrëfim prekës për ndikimin që pati vdekja tragjike e Diogo Jotas te skuadra, duke pranuar se lojtarët nuk arritën asnjëherë ta diskutonin hapur dhimbjen që përjetuan.
Jota, reprezentuesi i Portugalisë, humbi jetën në një aksident automobilistik më 3 korrik 2025, duke lënë pas një boshllëk të madh te Liverpooli dhe në botën e futbollit.
Szoboszlai zbuloi se secili futbollist e përjetoi tragjedinë në mënyrën e vet, por grupi nuk gjeti kurrë forcën për të folur së bashku për atë që kishte ndodhur.
“Të gjithë e morëm këtë tragjedi shumë për zemër dhe nuk e di nëse kjo ishte gjëja e duhur”.

“Sepse asnjëri prej nesh nuk ishte në gjendje t’i shprehte ndjenjat para grupit. Nuk e di çfarë duhej të bënim; ndoshta nuk do ta dimë kurrë”.
Mesfushori hungarez tregoi se në fillim skuadra e përdori humbjen e shokut të ekipit si motivim për të vazhduar përpara.
“E zhvillova sezonin duke dhënë gjithçka nga vetja, sepse i thosha vetes se kjo ishte ajo që Diogo do të kishte dashur nga secili prej nesh”, kujtoi ai.
Ndërkohë, Liverpooli po përgatitet për sezonin e ardhshëm me objektivin për titull./Telegrafi/







































