LAJMI I FUNDIT:

Syla nga Sindikata e Mjekëve: Po bëjnë propagandë, dyshoj se ka mjaftueshëm vaksina anti-COVID

Syla nga Sindikata e Mjekëve: Po bëjnë propagandë, dyshoj se ka mjaftueshëm vaksina anti-COVID

36 persona kanë vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit në vendin tonë, kurse janë shënuar 1 mijë e 630 raste të reja të infektuara më këtë virus.

Ky rekord i zi u shënua pikërisht në ditën kur rikthehen masat e reja anti-COVID.


Ndërsa numri i personave që po vdesin po rritet në shifra të frikshme, institucionet e vendit kanë vendosur që të dielën mos të punojnë qendrat ku vaksinohet qytetarët me vaksinën anti-COVID.

Kryetarin e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë për “Reporterin” se punëtorët shëndetësorë janë të gatshëm të punojnë 24 orë, por shton se problemi qëndron tek institucionet që sipas tij kanë dështuar në menaxhimin e pandemisë.

“Të dielen nuk po punohet se nuk ka menaxhim të mire, është dështim i ministrit Arben Vitia dhe kryeministrit Albin Kurti. Duhet me pranu që punëtorët shëndetësorë nuk kanë asnjë faj, ata janë të gatshëm me dal me punu edhe natën”, thotë Syla.

Ai shpreh bindjen se ka mungesë të vaksinave anti-COVID, edhe pse Qeveria e mohon një gjë të tillë.

“Jemi të gatshëm me punu edhe natën, por nuk kanë vaksina, nuk kanë strategji. Këta njerëz bëjnë propaganda se kanë vaksinat të sigurune, por unë dyshoj se ka vaksina mjaftueshëm”, thotë ai.

Kryesindikalisti Syla më tej thekson se si Federatë qysh në muajin prill e kanë paralajmëruar Qeverinë se vendi mund të përfundojë në një krizë të thellë me pandeminë, por thotë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Me 24 prill të këtij viti i kemi kërkuar qeverisë të dyfishojë buxhetin për shëndetësi, të rriten shtesat për punëtorët shëndetësorë, të aprovohet ligji i pagave, dhe të bëhet strategjia e vaksinimit. Çdo pyetjet që i kemi bërë si Feredratë e Shëndetësisë nuk na kanë kthyer përgjigje”, deklaroi Syla.

Ai kërkon që të shtohet numri i punkteve të vaksinimit edhe në Qendrave Kryesore të Mjekësive Familjare (QKMF).

“Jam vetëm në mbrojtje të punëtorëve shëndetësorë, popullata të vaksinohet masovikisht, të shtohen punktet e vaksinimit, mos të lihet vetëm në mëshirën e aplikimit. Të hiqen ternimet, të shtohet vaksinimi masovik, si punëtorë shëndetësorë kemi me qene të gatshëm 24 orë të punojmë, jemi të gatshëm të vaksinojmë popullatën”, thotë Syla.