LAJMI I FUNDIT:

Sulmet nga qentë endacakë – GLPS dhe dy qytetare padisin institucionet

Sulmet nga qentë endacakë – GLPS dhe dy qytetare padisin institucionet
Foto: Ilustrim/Arkiv

Organizata Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), dhe dy qytetare të Kosovës, të cilat janë sulmuar nga qentë endacakë, kanë paraqitur padi për mosveprim të organeve shtetërore, shkelje të të drejtave të njeriut dhe për kompensim të dëmit.

Siç njofton Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, padia është paraqitur kundër Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe Komunës së Prishtinës.


“Në vitet e fundit në Kosovë, qentë endacakë paraqesin rrezik të madh për jetën dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës duke qenë se shpesh ndodh që qentë endacakë t’i sulmojnë qytetarët”, thuhet në komunikatën për media.

“Në rastin tonë, paditëseve, Kosovares dhe Afërditës, nga sulmi që kanë pësuar nga qentë endacak ju është rrezikuar jeta, shëndeti dhe ato kanë pësuar frikë të intensitetit të lartë që ka ndikuar në jetën e tyre të përditshme, për arsye se ato nuk ndihen të sigurta të ecin nëpër rrugët e Prishtinës”.

Andaj, konsiderojnë se bashkëpaditëseve ju është shkaktuar dëm afatgjatë dhe për këtë kërkojnë përgjegjësi nga institucionet publike dhe kompensim të dëmit.

“Nga mosveprimi i institucioneve publike të paditura, paditësve dhe shumë qytetarëve ju shkelen të drejtat dhe liritë themelore të mbrojtura me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si e drejta në jetë, integritet trupor, shëndet, si dhe në liri lëvizjes”.

Me rastin e sulmit nga qentë endacakë ndaj paditëseve, thuhet se janë gjetur disa shkelje ligjore nga ana e institucioneve, si: Mos nxjerrja e aktit nënligjor nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me të cilën do të përcaktohej mënyra e licencimit dhe e rregullimit të rezervateve dhe vendstrehimeve të kafshëve me dhe pa pronarë në pajtim me Ligjin për përkujdesjen e kafshëve.

Po ashtu, mos zbatimi i Udhëzimit Administrativ për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve shoqëruese nga ana e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, me të cilën do të nxitej pronësi e përgjegjshme e qenve.

Shkelje tjetër thuhet se është mos zbatimi i Ligjit për Veterinarinë, i cili përcakton përgjegjësi specifike për komunat dhe mos zbatimi i Udhëzimit Administrativ për kushtet teknike, të cilat duhet plotësuar qendrat e trajtimit të përkohshëm të kafshëve endacake.

Tutje, përmendet edhe shkelja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nga ana e organeve të përmendura, si e drejta për jetë, në siguri dhe shëndet, liri të lëvizjes, si dh dështimi i mbrojtjes së integritetit fizik dhe psikik të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Institucionet e Republikës së Kosovës bartin përgjegjësi pozitive për të zbatuar ligjin në tërësi, përfshirë miratimin e akteve nënligjore. Këto institucione kanë dështuar të mbrojnë të drejtat dhe liritë themelore të Kosovares dhe Afërditës, të cilave ju është shkaktuar dëm fizik dhe psikik nga sulmi i qenve endacakë”.

“GLPS dhe qytetaret paditëse synojnë që, përveç kompensimit të dëmit material dhe jomaterial, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Komuna e Prishtinës ta zbatojnë legjislacionin në fuqi dhe t’i ndërmarrin masat e duhura për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga qentë endacakë”. /Telegrafi/