LAJMI I FUNDIT:

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës, paga minimale dhe raporti i ekspertizës për Astrit Deharin – top lajmet e javës

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës, paga minimale dhe raporti i ekspertizës për Astrit Deharin – top lajmet e javës

Të premten u bë e ditur se Policia e Kosovës është sulmuar disa herë në veri të vendit. Lidhur me këtë një konferencë të jashtëzakonshme e mbajti ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti.

Pas sulmeve ndaj Policisë pati reagime të shumta, duke filluar nga krerët e shtetit, kryetarët e partive politike, ambasada e SHBA-së në Kosovë e Bashkimi Evropian.


Javën që po lëmë pas Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin që e cakton pagën minimale, ndërkaq, po gjatë javës ka ardhur edhe raporti i ekspertizës për rastin Dehari, për të cilin raport pati akuza dhe kundërakuza të ministrave Haxhiu dhe Sveçla me Prokurorinë Speciale.

Pesë sulme ndaj Policisë së Kosovës që nga 13 prilli

Policia e Kosovës që nga 13 prilli është sulmuar pesë në veri të vendit. Sulmi i fundit ndaj Policisë ka ndodhur sot rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjës ku kanë ndodhur dy shpërthime, ndërkaq dyshohet të jenë me mjete piroteknike.

Një ditë më parë në një konferencë të jashtëzakonshme u bë e ditur për sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

Sulmi i katërt ndaj Policisë kishte ndodhur të premten në orën 07:40, gjatë kohës sa Policia e Kosovës ishte duke shkuar për ta realizuar ndërrimin në pikat kufitare.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi se ky sulm ka ndodhur me granatë dore dhe AK 47, si akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policor por dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Tashmë po shihet se angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës dhe posaçërisht i Policisë që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës është bërë pengesë për Serbinë dhe grupe të caktuara që mbështeten drejtpërdrejtë nga Serbia”, ka thënë Sveçla, duke shtuar se këto sulme as nuk do t’i ndalin e as nuk do të frikësojnë.

Ndërkaq, drejtori i Policisë së Kosovë, Samedin Mehmeti ka dhënë detaje të sulmeve që kanë ndodhur.

Sulmi i parë ka ndodhur më 13.04.2022 rreth orës 07 e 30 në magjistralen Mitrovicë – Zubin Potok, ku patrulla e Policisë ka hasur në rrugë në iriqë metalikë që përdoren për dëmtimin e gomave të automjeteve. Aty ishin vendosur rreth 46 iriqë mes të rrugës dhe që mundësonin bllokimin e rrugës.

Sulmi i dytë ka ndodhur ka ndodhur të njëjtën ditë, rreth orës 21:45, ku Njësia e policisë kufitare duke u kthyer nga përfundimi i ndërrimit në afërsi të vendkalimit kufitar është sulmuar me gur.

Mehmeti bëri të ditur se përveç dëmeve materiale nuk ka pasur të lënduar, raporton Telegrafi.

Sulmi i tretë ka ndodhur të enjten mbrëma në fshatin Bube rreth orës 20:40 ku janë dëgjuar katër-pesë breshëri, diku rreth 30 fishekë. Ai tha se dyshohet që të shtënat kanë ardhur nga territori i Republikës së Serbisë, ndërkaq përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.

Drejtori i Policisë njoftoi se gjuajta ka ndodhur diku në distancë 200-300 metra afër patrullës që ka qenë e vendosur në fshatin Bube. Ai tha se kjo rrugë ilegale ishte mbyllur para një kohe e që është përdorur për kontrabandë dhe aktivitete kriminale.

Sulmi i katërt ka ndodhur të premten rreth orës 07:40. Ai tha se janë sulmuar drejtpërdrejtë patrullat e policisë kufitare. Sulmi është kryer me grantë dore dhe AK 47. Të dy veturat e blinduara të policisë janë dëmtuar, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Ndërkaq, sulmi i pestë ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit, e që dyshohet të jenë mjete piroteknike. Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë.

Qeveria miraton pagën minimale, 250 euro neto

Qeveria e Kosovës gjatë javës që po lëmë pas ka miratuar Projektligjin që e cakton pagën minimale në vlerë prej 264 euro bruto ose 250 euro neto.

Po ashtu në atë mbledhje u vendos për heqjen tatimit për 250 euro pagë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se pavarësisht sa është lartësia e pagës, për pjesën e 250 eurove nuk do të ketë tatim në pagë.

“Për të përmbushur një premtim tjetër të programit qeverisës sjellim sot për miratim Projektligjin që do t’i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto ose 250 euro neto dhe për heqjen e tatimit për 250 euro. Pavarësisht sa është lartësia e pagës, për pjesën e 250 eurove nuk do të ketë tatim në pagë”, tha Kurti.

Qeveria miraton pagën minimale, 250 euro neto
Lexo po ashtu Qeveria miraton pagën minimale, 250 euro neto

Lidhur me caktimin e pagës minimale nevojiten të ndryshohen edhe disa ligje.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se ka 10 vjet që paga minimale ka qenë e pandryshuar. Sipas tij, kjo shumë duhet të rishikohet në baza të rregullta në mënyrë që të përshtatet dhe reflektoj edhe rritjen ekonomike.

Ndryshe, paga minimale në Kosovë është 170 euro.

Raporti i ekspertizës për rastin Dehari – akuza dhe kundërakuza të ministrave Haxhiu dhe Sveçla me Prokurorinë Speciale

Prokuroria Speciale e Kosovës më 12 prill ka bërë të ditur se ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Siç kishte njoftuar Prokuroria raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe, ndërsa në njoftimin e 12 prillit u bënë publike dy konkluzione të raportit.

“Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë reaguar profil të ADN-së përveç të atij, Astrit Dehari”.

“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë e kafeines dhe mos prani të etanolit”.

Ndërkaq, sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit në raport thuhej se nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar.

Raporti i Mjekësisë Ligjore të Zvicrës: Analizat nuk kanë treguar profil tjetër të ADN-së përveç të Astrit Deharit
Lexo po ashtu Raporti i Mjekësisë Ligjore të Zvicrës: Analizat nuk kanë treguar profil tjetër të ADN-së përveç të Astrit Deharit

E pas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë ardhur reagimet e para nga Ministria e Drejtësisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministria e Drejtësisë ka akuzuar Prokurorinë Speciale të Kosovës se ka manipuluar dhe propaganduar me ekspertizën e Institutit Zviceran për rastin e Astrit Deharit.

Sipas MD-së, nga Prokuroria Speciale janë publikuar vetëm dy nga konkluzionet e raportit, nga pesë sa janë gjithsej.

Përmes një komunikate për media, MD-ja thotë se publikimi i raportit nga Prokuroria Speciale ende pa e pranuar familja raportin “dëshmon për mangësi të theksuar intelektuale, mungesë totale të njohurive shkencore, gjuhë krejtësisht jo profesionale edhe qëllim dashakeq. Jemi të zhgënjyer me këtë qasje!”.

Akuza ndaj Prokurorisë Speciale ka hedhur edhe ministri Sveçla.

Sipas Sveçlës, Specialja ka nxituar për të alarmuar mbi Raportin e ekspertizës nga Instituti zviceran, për rastin Dehari.

“Ndonëse në këtë raport janë 5 konkluzione, Prokuroria Speciale vendosi t’i publikojë vetëm dy prej tyre, dhe duhet ta kuptojmë pse zgjodhi të mos e jap të vërtetën e plotë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në ‘Facebook’.

Ai ka pyetur se “kush ia kërkoi që me nxitim të flasë pjesshëm për një çështje e cila ka vëmendjen mbase të të gjithë qytetarëve të Republikës”.

Pas akuzave të Ministrisë së Drejtësisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme, me një reagim ka dal edhe Prokuroria Speciale, me ç’rast theksoi se nuk e ka komentuar raportin dhe se kush ka dyshime ka kërkuar që t’i drejtohet Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës.

Rasti Dehari, Prokuroria Speciale: Nuk e kemi komentuar raportin, kush ka dyshime le t’i drejtohet Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës
Lexo po ashtu Rasti Dehari, Prokuroria Speciale: Nuk e kemi komentuar raportin, kush ka dyshime le t’i drejtohet Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës

Më pas Prokuroria Speciale ka publikuar raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës me pesë konkluzat.

“Prokuroria Speciale siguron opinionin se në asnjë mënyrë nuk ka manipuluar me prova, por vetëm se ka prezantuar mendimin dhe konstatimin e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës në Zvicër. Andaj, pretendimet tendencioze dhe dashakeqe të Ministres së Drejtësisë, karshi Prokurorisë Speciale janë të paqëndrueshme si dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit publik.

Andaj, kushdo që ka ndonjë dyshim mbi këto përfundime, le t’i drejtohet Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës për informacione shtesë”, thuhet në reagim.

“Çfarëdo iniciative për të goditur institucionet e pavarura të drejtësisë është jo e drejtë dhe ka për qëllim që të ulë besimin e qytetarëve në institucionin e Prokurorit të Shtetit”, thuhet më tej.

Pas akuzave e kundërakuzave ka reaguar të enjten pasdite edhe familja Dehari dhe avokati Tomë Gashi.

Ata para Prokurorisë Speciale në Prishtinë kanë deklaruar se ekspertiza plotësuese e Institutit Zviceran për vdekjen e Astritit ka vërtetuar se provat e dërguara kanë qenë të manipuluara dhe të dëmtuara.

Në një konferencë për medie, avokati Tomë Gashi tha se komunikata e Prokurorisë Speciale e dërguar rreth kësaj ekspertize është e dëmshme për hetimin e vrasjes së Deharit.

Ai tha se këtë ekspertizë nuk e shohin si diçka negative, porse Prokuroria Speciale mund të gjejë se kush ka manipuluar me këto prova.

Babai i Astrit Deharit, Avniu u shpreh se besojnë në çdo përfundim të nxjerrë nga Instituti Zviceran.

Ai tha se kjo ekspertizë shtesë tregon se të gjitha provat e dërguara në Institut janë të papërdorshme dhe të dëmtuara.

Nëna e të ndjerit, Xhevahire Dehari kërkoi të merr dikush përgjegjësi për mos zbardhjen e vdekjes së djalit të saj. Ajo tha se prokurori aktual nuk është duke bërë as më pak e as më shumë punë se sa prokurori Sylë Hoxha. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

Siguri
Kurti përmendi Thaçin në 11 vjetorin e marrëveshjeve në Bruksel, reagon Çitaku: E di që po të mungon, duro dhe pak - dielli do të lind përsëri

Kurti përmendi Thaçin në 11 vjetorin e marrëveshjeve në Bruksel, reagon Çitaku: E di që po të mungon, duro dhe pak - dielli do të lind përsëri

Lajme
SHBA-ja synon ta

SHBA-ja synon ta "fortifikojë" Ballkanin Perëndimor

Lajme
Osmani: Do ta njoftojë qeverinë për sulmin në Banjskë, pastaj do të vendoset për Ballkanin e Hapur

Osmani: Do ta njoftojë qeverinë për sulmin në Banjskë, pastaj do të vendoset për Ballkanin e Hapur

Politikë
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia të mërkurën do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia të mërkurën do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Lajme
Kalo në kategori