Sulm i madh ukrainas me dronë ndaj portit rus

Ukraina ka ndërmarrë një sulm të madh me dronë ndaj qytetit-port rus Novorossiysk, një prej qendrave më të rëndësishme strategjike të Rusia në Detin e Zi.
Sipas raportimeve nga mediat dhe kanalet lokale ruse, gjatë sulmit janë goditur terminali i naftës dhe infrastruktura portuale e qytetit, duke shkaktuar shpërthime të fuqishme dhe zjarr në disa zona industriale pranë bregdetit.
Banorët raportuan se gjatë natës janë dëgjuar dhjetëra shpërthime, ndërsa sistemet ruse të mbrojtjes ajrore u aktivizuan për të rrëzuar dronët që po afroheshin drejt objektivave strategjike.
Novorossiysk konsiderohet një nyje kyçe për eksportin e naftës ruse dhe për operacionet detare ushtarake në Detin e Zi. Porti përdoret gjithashtu nga Flota ruse e Detit të Zi për furnizime dhe logjistikë ushtarake.
Deri tani, autoritetet ruse nuk kanë publikuar të dhëna të plota për dëmet apo viktimat eventuale, ndërsa Ukraina zakonisht nuk komenton drejtpërdrejt operacionet e tilla ushtarake.
Sulmi vjen në një periudhë të intensifikimit të sulmeve me dronë nga të dyja palët, ndërsa lufta mes Ukrainës dhe Rusisë vazhdon me goditje të shpeshta ndaj infrastrukturës energjetike dhe objektivave strategjike. /Telegrafi/








































