LAJMI I FUNDIT:

Suksesi i Blertës, historia e Fahrijes e rikthimi i Yllkës – HIVE, filmi që “zgjoi” suksesin e munguar prej vitesh në kinematografinë vendore

Suksesi i Blertës, historia e Fahrijes e rikthimi i Yllkës – HIVE, filmi që “zgjoi” suksesin e munguar prej vitesh në kinematografinë vendore

Filmi “Hive (Zgjoi)” bëri historinë në kinematografinë vendore, duke rrëmbyer tri çmime në atë që njihet si një prej festivaleve më me renome të filmit në botë, Sundance Film Festival.

Ky film i metrazhit të gjatë u shpërblye me çmimet: ‘Filmi më i mirë’, ‘Regjisorja më e mirë’, dhe ‘çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në ShBA’.


“Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, është një pasqyrë e plagëve ende të hapura të luftës së fundit në Kosovë (1997-1999), të cilat u reflektuan me një numër të madh të të pagjeturve, e kryesisht një mal vështirësish për ata që janë ende në kërkim…

Ky është rasti konkret i Fahrijes, personazhit kryesor në film – një grua e ve nga Krusha e Madhe e cila përball paragjykimeve dhe patriarkatit del hapur me sfidën për të ecur para në jetë, për të shikuar përpara me vizionin e një të ardhme më të mirë, ndoshta jo vetëm për familjen, por për mbarë regjionin e Krushës së Madhe.

Kopertina e filmit “Hive (Zgjoi)”

Një rol i luajtur shkëlqyeshëm nga aktorja Yllka Gashi, Fahrija erdhi në vitin 2021 si një rikujtim për të gjithë shqiptarët, për të vënë në dukje rolin e grave të veja dhe vështirësitë me të cilat ato u përballën në periudhën e pas-luftës.

Telegrafi në këtë rekapitullim sjell një përmbledhje të të gjithë suksesit që shënoi filmi “Zgjoi”, me rrëfime nga dora e parë e projektit filmik, regjisorja Blerta Basholli, nga gruaja që inspiroi historinë, Fahrije Hotin, si dhe nga aktorja e rolit kryesor, Yllka Gashi.

Blerta Basholli, regjisorja e filmit “Zgjoi” që shënoi arritjen historike në Kinematografinë e Kosovës

Blerta Basholli (Foto: Blerta Basholli/Facebook)

Regjisorja Blerta Basholli tregoi për Telegrafin se emocionet pas pranimit të tri çmimeve në Sundance Film Festival janë akoma prezentë, ngase një sukses të tillë nuk e kishte parashikuar.

“Normalisht se po ndihem mirë, ne edhe në fillim kur kemi aplikua nuk e kemi ditë a kemi me u pranua apo jo, mandej kur u pranuam a do ta marrim ndonjë çmim dhe pastaj nuk e morëm vetëm një çmim por edhe dy të tjera. Dhe normalisht ishte diçka që të paktën po flas për vete, është diçka që nuk e kam prit asnjëherë. Është thyer një rekord që ne kemi punuar me përkushtim. Kemi pas shumë takime deri sa kemi arrit deri këtu”, ka thënë Basholli për Telegrafin.

Filmi i cili tregon një tematikë të ndjeshme pati inspirim Fahrijen nga Krusha e Madhe, të cilën regjisorja Basholli e hasi rastësisht në një storje gazetareske.

“Ideja ka lind kur e kom parë Fahrijen në një storje gazetareske dhe më pas kam shkuar ta takoj dhe ajo ka pranuar ta bëjmë atë film, kemi kaluar së bashku 4-5 orë, ku na tregonte për kohën para dhe pas luftës – deri atë ditë që jemi takuar. Normalisht që pastaj jemi taku edhe disa herë që ajo me i kthy të gjitha kujtimet, pastaj kemi qenë në kontakt për skenarin e tash edhe për çmimet. Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë për mua, ishte nder ta njohësh atë së pari, e pastaj edhe me e tregu historinë e saj”, ka thënë tutje regjisorja e filmit “Zgjoi”.

Blerta Basholli (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Por përse “Zgjoi”, nga ku erdhi frymëzimi për një titull të tillë për filmin?

“Zgjoi sepse ajo fillimisht është marrë me bleta, ato e thumbojnë mirëpo ajo përsëri të vazhdojë tutje, mundohet të bashkëpunojë edhe pastaj ajo bënë paqe me to dhe nuk e thumbojnë më, përkundër kësaj e pastaj ajo vazhdon edhe biznesin me speca dhe ajvar, mirëpo edhe ‘Zgjoi’ në kuptimin e grave që i tubon ajo për me u bashku për me themelu kooperativën”, tregon Basholli.

Blerta, e cila njëherësh ushtron detyrën e saj edhe si Drejtoreshës e Kulturës në Komunën e Prishtinës, thekson se të bërit një film në këtë kohë ka vështirësitë e veta, por që gjithsesi “Zgjoi” e gjeti rrugën e duhur.

“Është mjaft e vështirë të realizohet një film në Kosovë, edhe pse buxhetet janë të vogla po punohet me përkushtim dhe në fund të fundit po tregohet rezultat, jo vetëm filmi im por secili film po tregon rezultat. Kështu që fillimisht ne kemi nevojë për buxhete më të mëdha, sepse kur e marrim buxhetin prej shtetit për realizim filmik dhe më pas me atë buxhet nisesh te producentët e huaj, ata nuk kanë interes të bashkëpunojnë me ty kur buxhetin e ke shumë të shkurtuar. Mirëpo fatmirësisht “Zgjoi” ka gjetur mbështetje edhe në Shqipëri dhe Maqedoni. Shpenzimet kanë qenë relativisht të mëdha, përfshirë skenografitë apo xhirimet që është dashur të kryhen në shumë lokacione, si përshembull është dashur të xhirojmë poshtë një ure dhe shumë lokacione të tjera. Pak edhe e kemi tejkalu me shpenzime, por në fund ia kemi dalë dhe mund të them se ia ka vlejtur. Unë do ta quaja që ndoshta ne kemi qenë si një rast specifik ku ka arritur grumbullimi i fondeve për realizimin e një filmi të tillë, por nuk mund të them se filmat e tjerë nuk përballen me shumë vështirësi deri te realizimi”, thekson ajo.

Blerta Basholli (Foto: Blerta Basholli/Facebook)

Regjisorja shprehet e lumtur për suksesin që “Zgjoi” pati, duke u shprehur që historia që filmi trajton nuk i përket një, por shumë grave.

“Ky nuk është tregimi vetëm i Fahrisë por edhe i shumë grave të tjera, si në aspekte të tjera edhe në aspektin e paragjykimeve, por në të njëjtën kohë mendoj se është tregim i grave në të gjithë botën jo vetëm në Kosovë. Mendoj se filmi i dedikohet një audience të gjerë, por në aspektin lokal dhe atë regjional ka një rëndësi mjaft të madhe”, ka thënë Blerta Basholli për Telegrafin.

Fahrije Hoti, heroina që e kthye në personazhin kryesor të filmit “Zgjoi”

Fahrije Hoti (Foto: Getty Images)

Për të gjithë ata që vazhdimisht mund të kenë pyetur për personazhin kryesor të filmit të bazuar në një ngjarje të vërtetë – ajo është Fahirje Hoti.

Me prejardhje nga Krusha e Madhe, Fahrija u prek nga fatkeqësitë e luftës, e cila i mori burrin, i cili ende është në listën e personave të pagjetur. Pavarësisht sfidave ajo ndër vite ka gjetur forcën për t’u përballur me paragjykimet e mentalitetin e vështirë të Kosovës, duke themeluar kooperativën “Krusha”.

Për Telegrafin, ajo tregoi se emocionet me të parë suksesin e filmit ishin shumë të mëdha dhe ende po e përshkojnë atë.

“Ka qenë nder edhe ka qenë emocion i papërshkrueshëm, sepse me i fitua tri çmime për një film ka qene gëzimi më i madh që e kam përjetuar. Ndoshta gëzimi më i madh që pas bërjes nënë për herë të parë, dhe ky ka qenë gëzimi i dytë në jetë më i madh, sepse jeta jonë është e mbushur me dhimbje dhe plot sfida. Jo veç unë, por të gjithë qytetaret dhe banorët e Komunës se Rahovecit janë mburrur me këtë sukses”, ka rrëfyer Fahrije Hoti për Telegrafin.

Në vazhdimësinë e bisedës, sipërmarrësja e produkteve tradicionale, rrëfen takimin e parë me regjisoren Basholli, e cila nga një intervistë e saj ishte frymëzuar për të nisur filmin.

“Realisht Blerta e ka përcjellë historinë time përmes shtypit dhe rrjeteve sociale, sepse gjithmonë kemi qenë pjesë e mediave për situatën tonë, për personat e pagjetur, për prodhimin, për aktivitetet që organizoheshin në Krushë edhe Blerta e ka parë rastësisht një intervistë timen, e ka lexuar dhe është drejtuar deri këtu në Krushë dhe jemi takuar, i kam treguar për historinë time. Historia ime nis me fatin e kërkimit të personave tonë të pagjetur, pastaj në ndërkohë jemi aktivizuar me Blertën. Krusha njihet si vend që merret me kultivimin e perimeve, të parët tanë kanë punuar me speca, pastaj ne kemi filluar me kultivim edhe konservim. Këto kanë qenë takimet e para me Blertën besoj diku nga viti 2011, ia kam treguar gjithë historinë time që nga viti 1999 e deri më sot”, thotë Hoti.

Fahrije Hoti (Foto: Fikret Ahmeti)

Roli i Fahrijes në film i është besuar aktores së mirënjohur, Yllka Gashi, e cila për filmin udhëtoi enkas nga Amerika dy vite më parë.

Fahrija thotë se e kishte për nderë që karakterin e saj të portretizonte Yllka, e cila mesa duket ia ka dalë ta paraqesë dhimbjen e grave të Krushës deri në qëndismat e interpretimit të saj.

“Mund të them që Yllka e ka luajtur karakterin ose personazhin tim tamam si Fahrije, edhe në ato vuajtje shpirtërore që kanë qenë por edhe në atë pjesën e aktivitetet apo kreativitett, kur unë jam ndjerë pak më mirë, kur e kam parë që gratë po bashkëngjiten, kur e kam parë që e kam prezantuar prodhimin edhe njerëzit ma kanë aprovuar shitjen. D.m.th e ka luajtur 100 përqind rolin sikur të isha unë”, ka treguar për Telegrafin Fahrija.

Por sa i solli dhimbje rikujtimi i një historie që daton rreth 22 vite më parë Fahrije Hotit?

“Me thënë te drejtën unë kam thënë vazhdimisht që më është shndërruar në dhimbje gjithë ai gëzim i suksesit të filmit, më ka kthyer 20 vjet mbrapa kur unë kam rrugëtuar për këtë punë edhe këtë të mira që ndoshta primare ia kam bërë familjes, por është një e mirë edhe për gjithë Krushën. Historia e Fahrijes është dokumentuar në film edhe krejt atyre grave të veja të Kosovës. E kemi pasur fatin e njëjtë dhe kemi pasur paragjykimet e njëjta. Nuk prezanton vetëm Fahrijen, por edhe shumë gra”.

Fahrije Hoti, themeluesja e kooperativës “Krusha” (Foto: Arkiv)

Për filmin në fjalë kanë raportuar shumë prej mediave ndërkombëtare si The Austin Chronicle, Variety, madje edhe vet artistja shqiptare me renome botërore, Rita Ora.

Fakti që bota po njihet me historinë e grave të Krushës së Madhe, dhe historinë e grave shqiptare përball patriarkatit në përgjithësi, e ka bërë më se të lumtur sipërmarrësen e produkteve tradicionale.

“Normal që më bënë të lumtur që edhe bota po njoftohet me situatën në Kosovë, se çfarë ka ndodhur në Kosovë, që janë zhdukur njerëzit dhe nuk janë gjetur në Kosovë, edhe pse jemi ne prag të 22 vjetorit të Masakrës së Krushës, jemi të lumtur shumë si qytetarë të Krushës që tashmë bota po e njeh Historinë e Krushës, po e njeh dhimbjen e Krushës dhe po e din karakterin e saj. Jemi shumë të lumtur me faktin që filmi “Zgjoi” e ka ‘vërshuar’ botën me këtë histori”, ka thënë Fahrija.

Masakra e Krushës së Madhe njihet si një nga masakrat më të mëdha që kreu Ushtria Serbe gjatë Luftës së Kosovës mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë. Masakra u krye më 25 mars 1999 në fshatin Krushë e Madhe, në afërsi të Rahovecit, një ditë pas fillimit të bombardimeve të Jugosllavisë nga NATO dhe la rreth 243 viktima, ndërsa 63 nga viktimat mbeten të zhdukura (Foto: Arkiv)

Krejt për fundit, Hoti iu jep një mesazh të gjithë të rinjve, e në veçanti grave që të mos dorëzohen asnjëherë përballë çdo sfide, pasi suksesi i kërkuar për shumë vite me radhë, dikur do të trokasë në derë, sado vonë…

“Mesazhi im shkon kryesisht për gjeneratat e reja: Iu them që të mos dorëzohen kurrë, sepse me të vërtet një njeri që duhet të punoje drejt dhe te ecë drejt, gjithmonë do t’i triumfojë e mira ose fitorja. Unë do iu bëja apel gjeneratave të reja, që të vetëdijësohen, të edukohen, le te mësojnë dhe te ecin përpara edhe të gjitha ato gra që kanë një vizion dhe që duan të punojnë, mos të frikohen sepse munden me ia dalë. Ashtu qysh ia kemi dalë ne me të gjithë atë dhimbje me gjithë atë humbje”, thotë për Telegrafin Fahrije Hoti.

Rikthimi i Yllka Gashit

Yllka Gashi (Foto: Yllka Gashi/Instagram)

Aktorja e famshme shqiptare, Yllka Gashi, e njohur më shumë si ‘Zana’ e hit-serialit komik “Familja Moderne”, shënoi rikthimin e saj pas kaq vitesh me një rol të ri dramatik.

Ajo është personazhi që luan rolin kryesor, atë të Fahrijes, teksa është shprehur se eksperienca në filmin “Zgjoi”, ka qenë ndër më të veçantat në karrierën e saj.

Në një intervistë të dhënë për Telegrafin në vitin 2019, pak pas përfundimit të xhirimeve të filmit, aktorja Gashi kishte rrëfyer se sa e gjeti Fahrije në karakterin e saj, kur pranoi të luante rolin kryesor në filmi ne Blerta Bashollit.

“Fahrija është një grua e ve nga Krusha e cila është në kërkim të burrit të saj të zhdukur nga lufta e fundit ne Kosovë. Ajo është nënë e dy fëmijëve dhe kalon nëpër shumë sfida te cilat i përballon me një vendosmëri shembullore për ta siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët e saj. Ajo kultivon mjaltë të cilën e shet në treg bashkë me vjehrrin, pastaj fillon punën në një organizatë të grave si shofere e organizatës. Është gruaja e parë në fshat e cila ngasë veturë dhe përkundër peripecive që i hasë në rreth i cili e paragjykon, ajo nuk ndalet së punuari për t’i thyer te gjitha tabutë. Fahrija udhëhiqet nga një vullnet i jashtëzakonshëm për ta ndryshuar jetën e saj e të familjes dhe për t’ju ndihmuar edhe grave tjera të Krushës që përmes punës të motivohen për jetë”, ka thënë për Telegrafin Yllka Gashi.

Sekuenca nga xhirimet e filmit “Zgjoi (Foto: Zgjoi)

Aktorja e cila jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu gëzua pafund suksesit dhe këtë e tregoi edhe përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Instagram.

“Faleminderit shumë për komentet e bukura, për dashamirësinë, për gëzimin që po e ndani me neve. Është ndjenjë jashtëzakonisht e veçantë dhe jam tepër e lumtur, tepër e gëzuar dhe e nderuar. Ky është suksesi më i madh në kinematografinë jo veç kosovare, po mbarë shqiptare, edhe rajonale e edhe evropiane se mesa e di nuk ka as film prej Evropës që e ka korrur këtë sukses si filmi ynë “Zgjoi”. Po ashtu më gëzon fakti që një punë tepër e vështirë, tepër e gjatë gati 10 vjeçare që është bërë me shumë dashuri, shumë përkushtim, me lot të gëzimit, të hidhërimit e të dhimbjes. Një punë që është bërë me sakrificë e më pak para, po shpërblehet edhe një rrëfim prej Kosovës po shihet prej audiencave të gjera, po vlerësohet e po pëlqehet”, është shprehur protagonistja kryesore e filmit “Zgjoi”.

View this post on Instagram

A post shared by Yllka Gashi (@yllka_gashi)

Filmi “Hive (Zgjoi)” mori tri çmime në Sundace Film Festival, por cila pritet të jetë vazhdimësia e tij.

Regjisorja Basholli u pyet nga Telegrafi nëse Ndarja e Çmimeve të Akademisë (Oscars), ishte në radarin e filmit për paraqitjen e radhës.

“Nuk e di hala është pikëpyetje por normalisht që shpresojmë. Këto tri çmime veç se na e kanë hapur rrugën, akademia ‘Oscars’ i ka politikat e veta e kërkon promovimin e vet, kështu që ta shohim ndoshta njëherë duket pak e madhe për me e përmend. Kemi marrë e-mail nga një producent i njohur i cili ka thënë se do të na ndihmojë ta dërgojmë filmin në ‘Oscars’, mbetet të shihet, pa ndodh ene nuk i dihet”, ka thënjë Blerta Basholli për Telegrafin.

Blerta Basholli, regjisorja e filmit “Zgjoi” (Foto: Blerta Basholli/Facebook)

“Hive (Zgjoi)”, është vetëm një nga filmat e pas-luftës që i tregon botës për plagët e lëna nga konflikti ndërvjeçar i Kosovës me Serbinë.

Kjo nuk është hera e parë që bota njeh historinë e luftës së Kosovës përmes filmit, pasi në vitin 2016, filmi i metrazhit të shkurtër “Shok”, përfundoi i nominuar në mbrëmjen më të madhe të ndarjes së çmimeve “Oscars”, në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”.

Duket se rruga përmes arti dhe kulturës, është ajo që i diferencon shqiptarët në depërtimin e tyre në tregun internacional – gjë e cila e promovon Kosovën dhe e vendos atë në hartën e shteteve me vlera artistike. /Telegrafi/

Në trend Magazina

Më shumë

"O Bes Kallaku", reagimi epik i Xhensilës kur fansat i përmendin ish-partnerin në koncert

Magazina
Luka Modric bleu një apartament luksoz në Zagreb - aty ku pritet të kthehet për të jetuar

Luka Modric bleu një apartament luksoz në Zagreb - aty ku pritet të kthehet për të jetuar

Magazina
Dua Lipa zbulon këmbët e saj të tonifikuara në një paraqitje tejet elegante në New York City

Dua Lipa zbulon këmbët e saj të tonifikuara në një paraqitje tejet elegante në New York City

Magazina
“Ndalu dhe kërko falje”, babai i Rita Orës shpërndan momentin kur presidentja Osmani e përballi Vuçiqin me të vërtetën në OKB

“Ndalu dhe kërko falje”, babai i Rita Orës shpërndan momentin kur presidentja Osmani e përballi Vuçiqin me të vërtetën në OKB

Magazina
Gjysmë shekulli karrierë, Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku me fjalë të mëdha për Ramadan Krasniqin

Gjysmë shekulli karrierë, Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku me fjalë të mëdha për Ramadan Krasniqin

Magazina
“Çka më kanë parë sytë” - Pas largimit nga Big Brother VIP Albania, Jetmir Salaj kërcënon produksionin se do të zbulojë sekrete?

“Çka më kanë parë sytë” - Pas largimit nga Big Brother VIP Albania, Jetmir Salaj kërcënon produksionin se do të zbulojë sekrete?

Magazina
Kalo në kategori