Vjelja e rrushit në Rahovec ka nisur me sfida të mëdha për fermerët, të cilët po përballen me një krizë të thellë për shkak të kostove të larta të prodhimit dhe çmimeve të ulëta në treg.

Vreshtarët e komunës së Rahovecit ka disa ditë që kanë filluar vjeljen e rrushit të tryezës.

Ata thonë se këtë vit e përcollën mjaft vështirësi këtë kulturë, ndërsa tani që kanë ardhur në përfundim të ciklit të prodhimit nuk ka shitjen e duhur, çmimi është i ulët, ndërsa shpenzimet janë të mëdha.


Enver Sokoli ka të mbjellë katër hektarë vreshta, ndërsa thotë se pas shumë sfidash e sakrificash prodhimi është i mirë.

"Fuqia punëtore e shtrenjtë, preparatet janë shtrenjtu, qeveria po na jep nga 54 euro për 15 litra naftë një hektarë me punu, a për një hektarë vetëm njëherë me stërpik shpenzon traktori, ndërsa duhet 7 deri në 10 herë me stërpikë, lavra dy herë tri, njëherë frezë", tha Sokoli.

Problematikë për ta janë edhe vonesat në ndarje të subvencioneve.

"Ne po na duhen preparate, kjo puna nuk pret, duhet me u punu. 50 euro një punëtor mëditje, vetëm për një operacion minimumi 7 punëtor duhen", thotë Sokoli, vreshtar.

Kadri Canziba në parcelat e tij ka të mbjellë vetëm rrush të verës, ai thotë se prodhimin e ka të kontraktuar në veraritë e Rahovecit, por ende nuk e di çmimin që do të ofrojë kompania.

"Kam me fillu me vjel kur të çelet podrumi, aty e kam nipin te nipi e qoj, ja për çmim s'di e cakton qeveria, s'ka aty", tha Canziba.

Drejtori i bujqësisë në komunën e Rahovecit Behar Thaqi thotë se çmimi dhe tregu mund të negociohet vetëm nga ministria përmes Entit të vreshtarisë, pasi komuna nuk ka kapacitete për të ofruar shumë ndihmë", tha Canziba.

"Rendimenti deri më tani është shumë i mirë, të çmimi ka ngecje, pasi ato nuk janë të arsyeshme me e përballu koston e prodhimit. Drejtoria krejt ç'ka mundet me ba është me ofru infrastrukturën, me ju rregull letrat, si dhe me subvencionu aq sa kemi mundësi", shtoi Behar Thaqi, drejtor i bujqësisë në Rahovec.

Kryetari i shoqatës së vreshtarëve Habib Dina, përmes postës elektronike thotë se përveç tregut dhe çmimit, vreshtarët kërkojnë formimin dhe funksionalizimin e Këshillit Kombëtar të verës.

Ai shton se fermerët janë në panik ditëve të fundit për kontratat e shitjes së rrushit, ndërsa nëse nuk marrin zgjidhje këto probleme Dina thotë se rreziku i kësaj kulture për 2027 është serioz./RTK