LAJMI I FUNDIT:

Yllka Gashi: Karriera, jeta ime në ShBA dhe filmi i ri që “Zgjoi” dëshirën për t’u rikthyer në aktrim

Yllka Gashi: Karriera, jeta ime në ShBA dhe filmi i ri që “Zgjoi” dëshirën për t’u rikthyer në aktrim
Yllka Gashi (Foto: Yllka Gashi/Facebook)

Ajo është një nga aktoret ikonë të kinematografisë vendore. E njohur për publikun më shumë si ‘Zana’ e hit serialit “Familja Moderne”, aktorja Yllka Gashi la gjurmë ndër vite duke u shquar si një nga aktoret më të pëlqyera në vend. Ndonëse viteve të fundit ka qëndruar paksa larg aktrimit, e kjo për shkak të detyrës më të madhe që i caktoi jeta (atë të bërjes nënë), Yllka duket se ka gjetur momentin e duhur që të rikthehet sërish me një projekt mjaft të veçantë para publikut.

Muaj më parë, aktorja Gashi qëndroi në Kosovë për një periudhë relativisht të gjatë, për xhirimet e një filmi të ri, i cili do të jetë gati për publikun vitin e ardhshëm. Çmallja me familjen dhe qytetin ku u rrit nuk mungoi gjatë atyre ditëve qëndrimi, që mesa duket zbukuruan 2019-n e aktores që tashmë prej vitesh është shpërngulur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Yllka vjen për të folur rreth xhirimeve të filmit të fundit, “Zgjoi”, jetës private dhe më të rejave të saj. Ajo nuk heziton që në fund të kësaj interviste të jap një mesazh domethënës për të gjithë lexuesit, aq më tepër në një kohë zgjedhjesh si kjo….

Yllka, disa muaj me herët keni qenë në Kosovë për xhirimet e filmit “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit. Na trego pak si shkuan xhirimet dhe sa jeni entuziaste për këtë projekt?

YLLKA: Në Kosovë, përkatësisht në Prishtinë isha prej fundit të Majit deri në fillim të Korrikut. Fillimisht kemi pasur prova para xhirimeve që i patëm nisur vitin e kaluar. I kemi pasur gjithsej 29 ditë xhirim dhe fatbardhësisht gjithçka ka shkuar mirë e mbarë. Kam pasur fatin të punoj me një ekip njerëzish fantastik, prandaj jam shumë e lumtur dhe shpresoj që filmi të dalë i mirë e të na shpaguhet puna e mundi të gjithëve.

Yllka Gashi me rol kryesor në filmin “Zgjoi”

Pas një kohe të gjatë po i riktheheni aktrimit. Pse kjo mungesë kaq e gjatë në projektet filmike?

YLLKA: Së pari nuk e konsideroj mungesë shumë të gjatë sepse tërheqjet “taktike” nga jeta publike (me ose pa shkas) besoj që i bëjnë mirë secilit person publik. Nëse i përcjellim me vëmendje edhe yjet më të mëdha në botë, herë pas here shkëputen nga puna e publiciteti me qëllim që t’i përkushtohen vetes. E dyta, unë gjithmonë edhe kur kam qenë aktive profesionalisht, kam qenë selektive në çfarë projektesh angazhohem dhe jam munduar që të mos jem imponuese dhe të punoj në çfarëdo projekti sa për një rrogë ose një rol më shumë. E treta kam punuar më shumë se një dekadë pa ndonjë pauze të gjatë sepse projektet ku kam qenë e përfshirë kanë pasur ‘jetë të gjatë’ dhe as vetë nuk kam qenë e vetëdijshme sa të nevojshme e kam pasur një shkëputje nga profesioni e komuniteti derisa e kam përjetuar. E katërta, profesioni i aktorit kërkon inspirim e kreativitet që të transformohesh në rolet që i interpreton prandaj edhe pauzat e akumulimi i energjisë është i mirëseardhur e i nevojshëm. E fundit e më e rëndësishmja, pauza ime erdhi si pasojë e dy gjërave jashtëzakonisht të rëndësishme që më kanë ndodhur në jetë dhe kanë ndryshuar gjithçka: jam bërë nënë dhe jam shpërngulur nga Kosova.

Yllka Gashi (Foto: Yllka Gashi/Instagram)

Si ndiheshe gjatë kësaj periudhe? Çfarë ndjesie të dha amësia dhe tërheqja nga jeta publike?

Në kohën kur isha duke punuar në serialin “Kombinati” shumicën e episodeve i kam xhiruar sa isha shtatzënë, mirëpo pasi e linda Ninën, duke qenë edhe nënë gjidhënëse, doja t’i përkushtohesha tërësisht rritjes e mirëqenies së saj prandaj edhe vendosa te mos kthehem në sezonën e dytë të serialit. Fatkeqësisht seriali nuk pati jetë të gjatë televizive. Më pas rolet që më janë ofruar, nuk i kam pranuar sepse kujdesi ndaj Ninës më ka marr kohë dhe energji dhe duke e gjetur përmbushjen më të madhe shpirtërore që as nuk e kam ditur që ekziston, disi nuk kisha kurrëfar’ inspirimi as interesimi të merresha me diçka tjetër përpos t’ja kushtoja 100% veten time Ninës. Thonë që secili është i lindur për t’u bërë diçka. Unë mendoj që jam lindur për të qenë nënë, para çdo gjëje tjetër! Ky është roli më i bukur, më i dashur, më i madhi dhe më i rëndësishmi që e kam në jetë. Ne anën tjetër disi isha me fat sepse kur Nina ishte e vogël dhe ende jetonim në Prishtinë, nuk ndodhte asgjë e madhe në aspektin kulturor për të më mbetur merak! Në Teatër nuk kishte drejtor dhe shfaqje të reja bëheshin rrallë, ende nuk ishte formuar ansambli rezident i aktorëve. Rrogat e honoraret nuk paguheshin me rregull, shumica e serialeve televizive u patën ndërprerë për arsye të mungesës së buxhetit, filma nuk punoheshin aq shumë si tash dhe ata që punoheshin nuk kishte edhe aq shumë role për moshën time apo që i përmbushnin kriteret që unë të isha pjesë e tyre, prandaj edhe nuk e kisha të vështirë të thoja jo kur më ofroheshin. Për mua kjo ishte periudhë e artë sepse as profesionalisht nuk po humbisja diçka të madhe, e në anën tjetër po përjetoja diçka magjike dhe të papërshkrueshme që më dha amësia. Më pas vendosëm të shpërngulemi në Amerikë dhe këtu filloi një kapitull i ri i jetës për mua dhe familjen time.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, sa patët mundësinë të çmalleni me familjen dhe rrethin shoqëror, dhe si ndjeheni sa herë që ktheheni në vendlindje për pushime?

YLLKA: Kësaj radhe nuk kam mundur të kaloj shumë kohë me familjen sepse isha shumë e zënë me punë e obligime rreth filmit. Por familja ime është përkujdesur për Ninën dhe për këtë jam shumë mirënjohëse.

Yllka Gashi (Foto: Ilir Rizaj)

Është roli i parë kryesor i juaji në një film të metrazhit të gjatë. Na trego pak historinë e ‘Fahrijes’ që trajtohet në filmin “Zgjoi”?

YLLKA: Fahrija është një grua e ve nga Krusha e cila është në kërkim të burrit të saj të zhdukur nga lufta e fundit ne Kosovë. Ajo është nënë e dy fëmijëve dhe kalon nëpër shumë sfida te cilat i përballon me një vendosmëri shembullore për ta siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët e saj. Ajo kultivon mjaltë të cilën e shet në treg bashkë me vjehrrin, pastaj fillon punën në një organizatë të grave si shofere e organizatës. Është gruaja e parë në fshat e cila ngasë veturë dhe përkundër peripecive që i hasë në rreth i cili e paragjykon, ajo nuk ndalet së punuari për t’i thyer te gjitha tabutë. Fahrija udhëhiqet nga një vullnet i jashtëzakonshëm për ta ndryshuar jetën e saj e të familjes dhe për t’ju ndihmuar edhe grave tjera të Krushës që përmes punës të motivohen për jetë.

Fotografi nga xhirimet e filmit “Zgjoi” në Kosovë, me protagoniste aktoren Yllka Gashi

Prej vitesh jeni zhvendosur në Amerikë ku jetoni me bashkëshortin dhe vajzën. Sa ka ndryshuar jeta juaj me të shkuar atje?

YLLKA: Shumë! Në çdo aspekt! Po kjo është temë shumë e gjatë që kërkon kohë për ta biseduar në ndonjë intervistë tjetër!

Te publiku shqiptar mbaheni më shumë mend si ‘Zana’ e “Familjes Moderne”. Na trego pak sa ndjeni nostalgji për këtë serial?

YLLKA: “Familja Moderne” ka qenë seriali i parë televiziv i prodhuar pas luftës në Kosovë dhe jam shumë krenare që kam pasur fatin të jem pjesë e saj. Gjatë periudhës dhjetë vjeçare sa është punuar seriali jam rritur si njeri edhe kam mësuar shumë profesionalisht e personalisht. Më gëzon fakti që personazhin që e kam luajtur e ka dashur shumë publiku e edhe tash pas kaq shumë vitesh që seriali ka përfunduar, Zana pëlqehet e komentohet pozitivisht. Mbaj mend që gjatë katër-pesë sezonave të para atëherë kur as rrymë nuk kishim me rregull, njerëzit blinin gjeneratorë për ta shikuar të dielën “Familjen”. Disi i mblidhte familjet për të paktën gjysmë ore gjatë javës dhe i dispononte duke ua tërhequr vëmendjen nga politika e realiteti jo fort i mirë . “Familja Moderne” me gjithë mangësitë që i ka pasur ende mbetet seriali me impaktin më të madh tek publiku kosovar.

Yllka Gashi është e njohur për publikun si Zana e serialit vendor “Familja Moderne” (Foto: Yllka Gashi/Facebook)

A do të riktheheshit në rolin e Zanës nëse do të rifillonte prapë seriali “Familja Moderne”?

YLLKA: Nuk e di. Unë tash jetoj në Amerikë dhe te jetosh në një kontinent e të punosh në një tjetër, për aktorin (i cili ka edhe familje) është e vështirë për projekte që zgjasin siç janë serialet. Filmat në anën tjetër janë më ndryshe sepse xhirohen për një periudhë më të shkurtë dhe pastaj i kthehesh jetës tënde, ndërsa serialet zgjasin.

A takoheni me ish-kolegët e serialit “Familja Moderne”, dhe a vazhdoni të ruani kontaktet me ta?

YLLKA: Me ata që takohem i kam edhe miq të mirë përpos veq kolegë.Do ta veçoja Ilirin (Prapashticën), i cili është shok e njeri i mirë. Iliri është njëri prej njerëzve më të mirë, më pozitiv e të hareshëm që ka komuniteti ynë.

Aktorja Yllka Gashi është zhvendosur prej vitesh në Shtetet e bashkuara të Amerikës së bashku me burrin dhe vajzën e saj (Foto: Yllka Gashi/Facebook)

Me çfarë merret Yllka në ShBA? Ju shohim si ambasadore e vullnetit të mirë në organizatat UNICEF dhe “Save the children”. Çfarë bëni saktësisht?

YLLKA: Me UNICEF-in dhe Save the Children (zyrat përfaqësuese në Kosovë) kam punuar në dy kampanja si Ambasasore e Vullnetit të Mirë përkatësisht Ambasadore Artiste. Kampanja e parë ka qenë për të rritur vetëdijen për ndalimin e dhunës në shkollat e Kosovës, ndërsa e dyta për mësimin gjithëpërfshirës për fëmijët me nevoja të veçanta. Ndërkohë që në New York, vitin e kaluar kam pasur fatin të jem pjesë e shfaqjes “Women on Fire-Stories from the Frontlines” me skenar e regji nga Chris Henry, që është luajtur në hapësirat e Royal Family, off Broadway. Shfaqja ka shtjelluar temën e “Me Too” që në Amerikë ka bërë revolucion dhe interpretimi im është mirëpritur nga publiku. Tash se fundi kam pasur një ftesë për një tjetër shfaqje në Maryland, mirëpo koha dhe distanca është e pakonvenueshme dhe më është dashur të heq dorë nga ajo shansë. Jam në bisedime për një shfaqje të re në New York, mirëpo ende nuk është definitive.

Falemnderi shumë për intervistën. Cili do të ishte mesazhi juaj për lexuesit tanë?

YLLKA: Votoni! Shfrytëzojeni të drejtën tuaj demokratike për të ndryshuar për të mirë, të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve të Kosovës. /Telegrafi/

Yllka Gashi (Foto: Yllka Gashi/Facebook)

Në trend

Më shumë
“Salah është lojtari më egoist që kam parë ndonjëherë”, legjenda e Liverpoolit godet egjiptianin

“Salah është lojtari më egoist që kam parë ndonjëherë”, legjenda e Liverpoolit godet egjiptianin

Premier League
A po shkojnë Ukraina dhe Rusia drejt bisedimeve?

A po shkojnë Ukraina dhe Rusia drejt bisedimeve?

Botë
Banorët shohin natën e parë të BBVA 3, Juli shpërthen në lot kur pa të atin: Para se të vdiste, ai më tha mos e tradhto Julin e vërtetë

Banorët shohin natën e parë të BBVA 3, Juli shpërthen në lot kur pa të atin: Para se të vdiste, ai më tha mos e tradhto Julin e vërtetë

Magazina
Ten Hag zbulon emrin e superyllit që Man Utd nuk arriti ta nënshkruajë në verë

Ten Hag zbulon emrin e superyllit që Man Utd nuk arriti ta nënshkruajë në verë

Premier League
Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Kronika e Zezë

"Je surpriza e këtij Big Brother" - Meriton Mjekiqi emocionohet nga mesazhi që merr në 'Big Love'

Magazina
Kalo në kategori