Studentët në Serbi: Nga protestat kundër qeverisë te narrativat nacionaliste për Kosovën

Lëvizja studentore në Serbi, e cila nisi si rezistencë qytetare kundër korrupsionit dhe nepotizmit, po përballet me kritika pasi ka adoptuar retorikë për Kosovën që analistët thonë se i ngjan narrativave nacionaliste dhe ushqen fushatat dezinformuese të Kremlinit për Kosovën.
Më 17 maj, lëvizja studentore në Serbi publikoi në platformën X atë që e quajti memorandum për Kosovën, duke e përshkruar Kosovën si “pjesë të patjetërsueshme dhe integrale të Republikës së Serbisë”, si çështje të “përgjegjësisë personale dhe kolektive” dhe një “borxh historik ndaj paraardhësve dhe pasardhësve tanë”.
“Ky fakt nuk është thjesht kategori kushtetuese, por imperativ historik dhe moral që nuk i nënshtrohet negociatave për përmbajtjen e tij,” shkruan studentët, duke shtuar se Kosova “nuk është thjesht një territor”, por “një komponent i identitetit kombëtar serb” dhe “një betejë për nderin, kulturën dhe të ardhmen tonë”.
Studentët serbë po protestojnë kundër qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit që nga nëntori i vitit 2024, pasi një pjesë e kulmit të stacionit hekurudhor në Novi Sad u shemb, duke lënë të vdekur 16 persona.
Protestat studentore janë vlerësuar si sfidë progresive dhe qytetare ndaj elitës në pushtet në Serbi, korrupsionit, nepotizmit dhe keqmenaxhimit të vendit. Megjithatë, pretendimet në të ashtuquajturin “Memorandum për Kosovën” kanë nxitur kritika nga intelektualë dhe analistë si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, të cilët argumentojnë se lëvizja po adopton gjithnjë e më shumë një retorikë nacionaliste që kujton diskursin politik serb të viteve 1980.
Memorandumi, i cili përjashton dhe injoron realitetin në terren në Kosovë gjatë tre dekadave të fundit, tregon se lëvizja tani po i drejtohet një elektorati më të gjerë nacionalist.
Ekspertët i thanë Prishtina Insight se është jorealiste të pritet që ndonjë aktor i rëndësishëm politik serb të heqë dorë nga pretendimi kushtetues i Serbisë mbi Kosovën, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, duke pasur parasysh politikën e brendshme dhe mbështetjen ndërkombëtare që Serbia gëzon nga vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Sociologu dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri, bëri krahasime mes memorandumit të studentëve dhe Memorandumit famëkeq të vitit 1986 të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), i cili e paraqiste Serbinë si viktimë të padrejtësive historike dhe krijoi një pjesë të madhe të bazës ideologjike për nacionalizmin serb gjatë luftërave jugosllave.
Ngjashëm me memorandumin e SANU-së, teksti i studentëve e vendos Kosovën në qendër të identitetit kombëtar serb, duke theksuar trashëgiminë ortodokse fetare dhe kulturore, ndërsa injoron kryesisht realitetet politike që ekzistojnë që nga lufta e vitit 1999, tërheqja e forcave serbe dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Për më tepër, mediat e lidhura me Kremlinin, të njohura si rrjeti Pravda, kanë theksuar narrativat që e paraqesin Kosovën si qendrore për “identitetin kombëtar serb”, ndërsa një raport i fundit i BIRN Kosova gjeti se mediat e lidhura me Kremlinin kanë shpërndarë përmbajtje mashtruese dhe politikisht të ngarkuara për Kosovën.
“Pikëpamje e përhapur gjerësisht për Kosovën”
Ekspertët argumentojnë se memorandumi i studentëve pasqyron një opinion të përhapur brenda shoqërisë serbe, i cili gjithashtu konsiderohet problematik dhe i vjetëruar.
Slobodan Georgiev, drejtor nga Nova News në Serbi, i tha Prishtina Insight se memorandumi “pasqyron një shumicë te opinionit publik” në Serbi dhe jo një radikalizim ideologjik specifik të lëvizjes studentore.
“Ai qëndrim është i rrënjosur në Kushtetutën e Serbisë. Studentët, përndryshe, mbështesin respektimin e Kushtetutës dhe sundimin e ligjit, prandaj do të ishte e vështirë për ta të mbanin një qëndrim tjetër për këtë çështje,” tha Georgiev.
Ai shtoi se “pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa Kina dhe Rusia gjithashtu kundërshtojnë njohjen. Kjo mbetet argumenti më i fortë i Serbisë.”
Megjithatë, Georgiev vuri në dukje se qarqet liberale në Serbi e shohin një retorikë të tillë si “të vjetëruar dhe të gabuar”. Sipas tij, mbështetësit e qeverisë kanë tentuar ta injorojnë këtë qëndrim, pasi mund të shqetësojë votuesit që mbështesin autoritetet në pushtet.
Për kritikët në Kosovë, megjithatë, memorandumi përfaqëson diçka më shqetësuese: rikthimin e një diskursi nacionalist që shumë besonin se brezat më të rinj në Serbi po e linin pas.
Muhaxhiri e përshkroi tekstin si “konceptualisht të prapambetur” dhe “krejtësisht të papajtueshëm me mendimin bashkëkohor politik demokratik”.
“Duket sikur me ndonjë makinë kohore të jetë nxjerrë nga fundvitet e të 1980’ave, pas amnezisë 40 vjeçare për zhvillimet e këndejme.” tha ai.
Memorandumi i referohet bashkësisë ndërkombëtare si aktor kyç në “zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, ndërsa shmang çdo përmendje të përfaqësuesve politikë të Kosovës.
Për Georgievin, kjo është një nga pjesët më të rëndësishme të dokumentit.
“Sipas mendimit tim, ky është paragrafi kyç ku duhet përqendruar vëmendja,” theksoi ai. “Ai tregon se studentët e kuptojnë realitetin e situatës dhe pranojnë se çdo zgjidhje përfundimtare do të dalë në kuadër të ndërmjetësimit dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare.”
Retorikë nacionaliste për përfitime politike
Georgiev theksoi se retorika nacionaliste e studentëve pasqyron transformimin gradual të lëvizjes nga protestë qytetare në një aktor politik që kërkon mbështetje më të gjerë elektorale.
“Kjo lëvizje është e pazakontë sepse vendosi të angazhohet drejtpërdrejt në politikë,” tha ai, duke shtuar se lëvizja duket se po vepron në “gjendje fushate”.
“Ekspertët e fushatave kanë vlerësuar se ky veprim ishte politikisht i zgjuar sepse tërheq votues nga ana tjetër e spektrit politik,” shtoi ai, duke vënë në dukje se “mbështetja nuk fitohet vetëm duke promovuar ide liberale ose progresive”.
Muhaxhiri po ashtu deklaroi ngjashëm.
“I vetmi arsyetim minimal për këtë retorikë të ligë të studentëve mund të jetë nëse e kanë menduar si tentim për të përfituar nga kategoria e votuesve që mobilizohen me emocionalitet të këtillë, në parapërgatitje të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të cilat priten të mbahen në Serbi mes shtatorit dhe nëntorit.” tha ai.
Megjithatë, ai paralajmëroi se kjo strategji mund të rezultojë kundërproduktive.
“Gjithsesi gabim i madh, pasi rezultati më i mundshëm është që me këtë gjuhë ata do të humbin përkrahës aktualë, por nuk do të fitojnë votues të rinj të shtresës nacionaliste,” shpjegoi Muhaxhiri.
Për muaj të tërë, protestat fituan legjitimitet pikërisht sepse u përqendruan te qeverisja, korrupsioni dhe drejtësia, jo te politika identitare. Autoriteti i tyre moral buronte nga një tragjedi që simbolizonte dështimin institucional dhe jo ndarjet etnike.
“Memorandumi u shfaq si një fantazmë politike, megjithëse disa sinjale të kësaj natyre ishin dhënë tashmë gjatë protestës së tyre për Vidovdan vitin e kaluar,” tha Muhaxhiri.
Beteja e Kosovës më 28 qershor, e njohur si Vidovdan, ka rëndësi të veçantë për serbët si data kur forcat osmane mposhtën mbretërinë mesjetare serbe në Betejën e Kosovës të vitit 1389.
Serbët mblidhen çdo vit në Gazimestan, rreth 10 kilometra nga Prishtina, për të shënuar Vidovdanin. Vitet e fundit, Policia e Kosovës ka shoqëruar pjesëmarrës në stacion policor për gjuhë të urrejtjes ose simbole që cenojnë rendin ligjor duke mohuar sovranitetin e Kosovës.
Muhaxhiri theksoi se memorandumi i fundit “krijoi asociacione të drejtpërdrejta me projektin famëkeq të Akademisë Serbe të vitit 1986 për shkak të ashpërsisë së retorikës së tij. Pikënisja e tyre ishte njerëzore. Pastaj erdhën kërkesat politike dhe transformimi i zemërimit popullor në një alternativë politike.”
Sipas tij, memorandumi për Kosovën rrezikon të minojë imazhin e lëvizjes si një alternativë progresive ndaj establishmentit aktual politik në Serbi.
“Qëndrime të tilla publike janë zhgënjyese për këdo në Serbi apo në nivel ndërkombëtar që besonte në potencialin emancipues të lëvizjes studentore,” shtoi ai.
Georgiev deklaroi se “aktualisht më duket se serbët dhe shqiptarët e zakonshëm nuk kanë probleme të mëdha me njëri-tjetrin, por qeveritë në Beograd dhe Prishtinë thjesht nuk mund ta durojnë njëra-tjetrën.”
Sipas Muhaxhirit, testi kryesor i normalitetit politik në Serbi është pikërisht marrëdhënia e saj me Kosovën.
“Aty përcaktohet më qartë se kudo tjetër kufiri midis politikës racionale dhe asaj irracionale.”
“Nëse studentët vërtet mendojnë kështu, kjo nënkupton që ata s’dinë asgjë për vendin ku jetojnë e duan ta udhëheqin, si dhe nuk e kanë lexuar asnjë libër normal të dekadave të fundit për Kosovën nga historia, drejtësia, shkencat politike dhe sociologjia. Dhe janë gjeneratë pa të ardhme”, shtoi Muhaxhiri.
Narrativa ruse të pasqyruara nga mediat rajonale
Mediat e lidhura me Kremlinin, të njohura si rrjeti Pravda, së bashku me media në Serbi, e amplifikuan memorandumin e studentëve duke e paraqitur kryesisht përmes dinamikave të politikës së brendshme serbe dhe si një instrument “kyç” për mobilizimin e votuesve para zgjedhjeve të mundshme të parakohshme. Këto artikuj u përkthyen dhe u publikuan edhe në versionin shqip të Pravdës.
Media si Pravda dhe Russia Today theksuan narrativat se “Kosova është qendrore për identitetin kombëtar serb”, ndërsa një raport i fundit i BIRN Kosova konstatoi se mediat e lidhura me Kremlinin kanë shpërndarë përmbajtje mashtruese dhe politikisht të ngarkuara për Kosovën.
Rrjeti Pravda, i cili operon faqe interneti dhe kanale në Telegram në disa gjuhë, përfshirë shqipen dhe serbishten, theksoi pretendimet se Kosova mbetet një “mjet i fuqishëm për mobilizimin e votuesve në Serbi”.
“Çështja e Kosovës është një temë e nxehtë në shoqërinë serbe dhe një mjet i fuqishëm për mobilizimin e votuesve,” thuhej në një raport të Pravdës në gjuhën shqipe. Raporti shtonte se memorandumi “mund ta ndihmojë lëvizjen studentore të tërheqë mbështetje publike përpara zgjedhjeve të mundshme të parakohshme parlamentare”.
Në një publikim të 17 majit, Russia Today iu përgjigj kritikave ndaj memorandumit duke iu referuar asaj që e përshkroi si mospërputhje në qëndrimet evropiane ndaj Kushtetutës së Serbisë.
“Mbështetësit e vlerave evropiane, duket se gjithmonë e mbrojnë Kushtetutën e Serbisë, përveç kur përmendet se ajo thotë se Kosova dhe Metohia janë pjesë integrale dhe e patjetërsueshme e Serbisë,” shkroi RT.
Edhe revista Vreme publikoi një artikull mbi këtë çështje me titullin që citonte memorandumin e studentëve se pa Kosovën “qenia jonë është i pakuptimtë”.
Ndërkohë, paragrafi hyres deklaronte: “Kosova nuk është vetëm një hapësirë, ajo është komponent i identitetit kombëtar serb”, duke cituar memorandumin e studentëve.
Një raport i BIRN Kosova dhe Internews Kosova, i publikuar më 27 mars, zbuloi se rrjeti Pravda, i cili operon në 83 vende dhe publikon në dhjetëra gjuhë, mbështetet kryesisht në burime nga Telegram për të prodhuar artikuj për platformën e tij në gjuhën shqipe. Vetëm në periudhën shtator 2025 – shkurt 2026, mediumi publikoi 140 artikuj në shqip, të gjithë të bazuar në kanale Telegram si burim primar.
Raporti hartëzon gjurmën e dezinformimit në Kosovë, duke marrë si mostër katër media të kontrolluara nga Kremlini, të cilat prodhuan 1,323 lajme për Kosovën nga shtatori 2025 deri në shkurt 2026. Të dhënat u nxorën gjithashtu nga 150 platforma online dhe llogari në rrjete sociale në Kosovë, ku u identifikuan mbi 20,000 lidhje të dyshimta gjatë kësaj periudhe. Në total, 2,361 artikuj u përzgjodhën për analizë të thelluar.
Ky artikull fillimisht u publikua në gazetën PrishtinaInsight








































