LAJMI I FUNDIT:

Strakosha flet si hero: E kam studiuar Dybalan, falë Zotit e prita penalltinë

Strakosha flet si hero: E kam studiuar Dybalan, falë Zotit e prita penalltinë

Thomas Strakosha është heroi më i ri i skuadrës italiane Lazio.

Kryeqytetasit arritën një fitore tejet të madhe në shtëpinë e kampionit në fuqi Juventus 2-1.


Ciro Immobile realizoi dy gola, por ata gola nuk do të kishin vlerën e tri pikëve nëse Thomas Strakosha nuk do të ishte në formë të mrekullueshme.

Ylli shqiptar priti penalltinë e Paulo Dybalas në minutën e 97-të, duke sjellë gëzim jashtëzakonisht të madh tek tifozët e Lazios.

Strakosha duke pritur penalltinë e ekzekutuar nga Dybala

Reprezentuesi i Shqipërisë e kishte studiuar argjentinasin, por edhe dëgjoi babanë e tij që i tregoi anën.

“Ishte e vështirë të shihja gjyqtarin duke akorduar penallti në minutën e fundit, Juventus nuk do ta kishte merituar të shënonin”, u shpreh fillimisht Strakosha.

“Zoti më ndihmoi ta ndali atë penallti. Si Grigioni (trajner i portierëve) ashtu edhe babi im, më këshilluan që të hidhesha në krahun e djathë dhe ishte zgjedhje e duhur”, u shpreh ylli shqiptar.

Festa e yllit shqiptar pas pritjes së penalltisë

“E kam studiuar Dybalan dhe e dinim se nëse do të bëhej një penallti ka do të gjuajë. Më ka ndihmuar edhe fati”.

Ai e vlerëson këtë paraqitje ndër pesë më të mirat në karrierën e tij, por thotë se fitorja në Supercup ishte më e vlefshme.

“Sigurisht që kjo ndaj Juventusit është ndër pesë ndeshjet më të mëdha në karrierën time, por si të parën e vlerësojë atë në Supercupën e Italisë”, u shpreh Strakosha.

Pas fitores së madhe, Lazio është ngritur në pozitën e katërt në tabelë me 19 pikë të grumbulluara. /Telegrafi/