LAJMI I FUNDIT:

Stavileci: Serbia ka humbur 84 milionë euro, pas vendosjes së taksës nga Kosova (Video)

Stavileci: Serbia ka humbur 84 milionë euro, pas vendosjes së taksës nga Kosova (Video)

Pothuajse 3 muaj janë bërë prej kur është vendosur taksë 100% ndaj produkteve  të Serbisë. Gjatë kësaj periudhe Serbia ka humbur 84 milionë euro.

Pothuajse janë bërë tre muaj që kur Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e taksës prej 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, që importohen në Kosovë. E rënia e importit nga shteti serb është në përmasa të mëdha, apo rreth 84 milionë euro, bën të ditur zëdhënësi i Doganës së Kosovës Adriatik Stavileci.

“Efekti i taksës ka qenë i madh që ka ndikuar gati në ndalimin total të produkteve nga Serbia. Nëse një ditë para vendosjes së taksës kemi importuar 1.2 – 1.4 milion euro import produkte. Derisa sot nëse përpjesëtohet kjo shifra prej 600 mijë eurove për këta dy muaj e gjysmë, i bie që kemi rreth 7 mijë euro import në ditë. Pra nga 1.2 milion euro, importi nga Serbia ka rënë në 7 mijë euro”, deklaroi Stavileci për RTV Dukagjinin.

Sipas Stavilecit, me rënien e importit nga Serbia është rritur importi nga shteti i Shqipërisë dhe Maqedonisë.

“Rritja më e madhe është bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia. Kemi një rritje prej rreth 40 % të produkteve të Shqipërisë, ndërsa prej Maqedonisë, kemi një rritje prej rreth 10%. Por, rritja nga Maqedonia do të jetë më e madhe, pasi problem ka qenë bllokimi i rrugës”, tha Stavileci.

Rënia e importit nga shteti serb është vërejtur që nga muaji i parë pas vënies së taksës, ku nga 30 milionë sa ka qenë në nëntorin e vitit 2017, importi ka rënë në 15 milionë në periudhën e njëjtë pas taksës, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Ndërkaq 40 milionë euro  është dallimi në importi nga Serbia mes muajit dhjetor të vitit 2018, dhe dhjetorit të vitit 2017.

Sipas llogaritjeve, 2.1 milionë euro ka qenë mesatarja që kanë fituar për një ditë shteti serb nga Kosova, para taksës 100%.

Ndërsa kërkesa për largimin e kësaj takse po vazhdon akoma nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./RTV Dukagjni/Telegrafi/