Një batutë për Cristiano Ronaldon u bë gjatë ceremonisë së festimit të Spanjës pas triumfit në Kupën e Botës, teksa mijëra tifozë u mblodhën në Madrid për të festuar suksesin e madh të kombëtares.

Pas fitores ndaj Argjentinës në finale, skuadra e drejtuar nga Luis de la Fuente u prit nga rreth dy milionë tifozë në kryeqytetin spanjoll.


Skuadra prej 26 futbollistësh, së bashku me stafin teknik, u takua me familjen mbretërore spanjolle dhe kryeministrin Pedro Sanchez, përpara se të parakalonte nëpër rrugët e Madridit me një autobus të hapur, i cili mbante mesazhin: "Yjet shkëlqejnë së bashku”.

Festimet kulmuan në sheshin Cibeles, një nga vendet më të famshme të Madridit, ku rreth 120 mijë tifozë u mblodhën për të parë prezantimin e lojtarëve në skenë.

Futbollistët e Spanjës u shfaqën me bluza ku shkruhej "Somos Campeones", që në shqip do të thotë "Jemi kampionë".

Para se të ngjiteshin në skenë, secili lojtar u prezantua në mënyrë të veçantë nga moderatori Raul Ramos, i cili tërhoqi vëmendjen me një batutë ndaj Cristiano Ronaldos.

Gjatë prezantimit të sulmuesit të Crystal Palace, Yeremy Pinos, moderatori tha: "Në Lomo del Chentchi, dikur e quanin Pino 'Cristiano Ronaldo'. I vetmi ndryshim? Pino ka një Kupë Bote”.

Batuta shkaktoi të qeshura te tifozët e pranishëm dhe te bashkëmoderatori i ceremonisë.

Cristiano Ronaldo dhe Portugalia u eliminuan në fazën e 1/8 së finales nga Spanja, e cila më pas vazhdoi rrugëtimin deri te trofeu.

Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Mikel Merino i Arsenalit në minutën e parë të kohës shtesë të pjesës së dytë./Telegrafi/

telegrafi sport app