Kampionia në fuqi e vendit tonë, në gjysmëfinale eliminoi Trepçën, derisa pejanët ishin më të mirë se Golden Eagle Ylli, duke siguruar “vizën” për finalen e madhe.

Ballafaqimi mes “bardhekaltërve” dhe Pejës pritet të prodhojë një lojë të fortë, ashtu siç ndodh gjithnjë në përballjet mes këtyre dy rivalëve të përbetuar.


Ndërkaq, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) përmes një njoftimi ka falënderuar ekipet pjesëmarrëse të IPKO Kupës së Kosovës, duke shpresuar se ndeshjet finale do të luhen në frymën sportive.

FBK pret që ndeshjet finale të zhvillohen në rregull dhe të jenë pasqyrë e vërtetë e cilësisë së ekipeve dhe e sjelljes së tifozëve në Kosovë. FBK apelon te klubet dhe tifozët e tyre që me sjelljet e tyre të ndikojnë që kjo ngjarje të jetë e rregullt dhe të ketë karakter sportiv dhe festiv.

“Apelojmë edhe nga organizatori, që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe të parandalojë të gjitha lëshimet nga ndeshjet gjysmëfinale. Turneu Final i Kupës është një ngjarje në të cilën përveç basketbollistëve duhet të përfaqësohen denjësisht edhe tifozët, zyrtarët e FBK-së, sponsorët dhe të gjithë kontribuuesit në basketbollin e Kosovës. Ne presim që finalet të pasqyrojnë pikërisht këtë”.

“Duke qenë vetëm disa ditë larg nga konfirmimi për pranim në FIBA, FBK dëshiron të potencojë se nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që imazhi i IPKO Kupës dhe i FBK-së të rrezikohet ose rrënohet nga veprimet e pjesëmarrësve në finale”, është thënë në njoftimin e FBK-së.

Finalja në mes Sigal Prishtinës dhe Pejës nis në orën 20:15. /Telegrafi/

telegrafi sport app