Si u prit Vjosa Osmani në Obiliq, Vushtrri, Podujevë e Prishtinë

Presidentja e gjashtë e Kosovës dhe kandidatja e LDK-së për mandatin e dytë të presidentes, Vjosa Osmani, ka zhvilluar të enjten një maratonë tubimesh elektorale në disa komuna të vendit, duke marrë mbështetje masive nga qytetarët vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 7 qershorit.
Cikli i tubimeve të djeshme nisi në Obiliq, në Sheshin “Adem Preniqi”, ku qytetarët kishin rrethuar sheshin për të mirëpritur Presidenten.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj të thellë.

“Faleminderit Obiliq për pritjen e jashtëzakonshme. Tani drejt 7 qershorit, me besim të plotë në fitoren i bashkon qytetarët tanë".
Më pas, entuziazmi u zhvendos në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri. Duke vlerësuar historinë dhe potencialin e këtij qyteti, Presidentja Osmani ndër të tjerash ka theksuar se, Vushtrria i ka dhënë heronjtë më të mëdhenj Kosovës nga Hasan Prishtina, Enver Zymeri e Afrim Bunjaku.
“Nga Kalaja që sfidon shekujt, te energjia e të rinjve që refuzojnë të dorëzohen, Vushtrria mbetet simbol i qëndresës dhe i punës së ndershme. Faleminderit për përkrahjen e jashtëzakonshme. Fitore".

Në mbrëmje, Sheshi i Qytetit në Podujevë ka 'shpërthyer' nga festa. Nën dritat e një spektakli madhështor fishekzjarrësh që ndriçuan qiellin e Llapit, me mijëra qytetarë u mblodhën në atë që tradicionalisht konsiderohet bastion i LDK-së. Për këtë mikpritje elektrizuese, Osmani ka deklaruar se Llapi e vendos fitoren me 7 qershor.
“Llapi i LDK-së, si gjithmonë i fjalës dhe i besës. Më 7 qershor, Llapi vendos. Më 7 qershor, fitojmë bashkë. 113".

Maratona e tubimeve u përmbyll në Degën 3 të Prishtinës, ku Osmani dhe kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku, u pritën nga qindra qytetarë.
Ky takim u karakterizua nga momente mjaft veçanta, ku një qytetar, i cili është edhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), iu drejtua Vjosa Osmanit me epitetin “Zonjë e hekurt”, duke vlerësuar qëndresën dhe lidershipin e saj.
Lidhja Demokratike e Kosovës njofton të gjithë qytetarët se sonte (e premte), në orën 20:00, në sheshin Skenderbeu, në Prishtinë do të mbahet tubimi madhështor i përmbylljes së fushatës elektorale. LDK fton të gjithë qytetarët që t'i bashkohen këtij manifestimi masiv për të vulosur fitoren e madhe të 7 qershorit.






































