Si po riorganizohet skena politike në Kosovë?

"Paraja për politikën, është si qumështi i nënës që ushqen fëmijën e saj". Xhesi Anruh
Partitë politike, ditën që përfundojnë zgjedhjet, përgatitën për zgjedhjet e reja, ky vlerësim është i saktë, sidomos për realitetin e sotëm të ri në Kosovë. Këto ditë ende pa përfunduar zgjedhjet lokale, kemi parë shumë lëvizje politike të iniciuara nga grupe të ndryshme: parti politike, individ, duke dërguar letra dhe duke dhen ide për rigrupime të reja.
Hapi i parë u bë nga LDK, duke pranuar partinë reformistë ORA, të themeluar nga zt Surroi, parti e cila njihet në skenën politike për një garë politike të fortë në parlamentin e Kosovës. LDK, do të mundohet që gjatë këtyre muajve që kanë mbetur, deri në zgjedhje të përgjithshme, të marrë sa me shumë simpatizant nga LDD, ose të bëjë një marrëveshje për bashkim ndërmjet këtyre partive. Në LDD, pakënaqësitë janë rritur shumë, duke u frikësuar për të ardhmen politike të tyre, duke e ditur që skena politike po bëhet çdo ditë më e fortë. Prandaj, një numër i madh i politikanëve të LDD, ose do ta detyrojnë LDD që t’i bashkëngjitët LDK ose gjatë kohës do të ketë rrjedhje të elektoratit të LDD në LDK.
Të paparashikuara do të jenë lëvizjet e PDK, si parti me e madhe në Kosovë, e verifikuar në dy palë zgjedhje. A do ta përsëritë politiken e ndërtimit të një fryme kohezive brenda grupeve të interesit, duke u munduar që të dëshmoj kreativitet politik. Sidomos me lëvizjet e saja për të inkuadruar ne gjirin e vet, intelektual te rinj. Kjo mbetët të shihet. Gjatë gjithë kohës PDK, e ka mbajtur AKR në tension, si thotë një fjale e popullit: “ngre e mos këput”, me cka i ka vështirësuar shumë pozitën AKR si parti politike opozitare.
AAK, pak a shumë e ka treguar rrugën e vet politike deri në zgjedhjet e ardhshme, ajo do të mundohet që ta kanalizoj partinë në dy drejtime: se pari duke u munduar që të jetë forca kryesore politike opozitare, dhe duke e fajësuar sa me shumë PDK, si përgjegjësen kryesore për ngecjen në vend, si dhe, duke u munduar që të tërheqë sa me shumë kuadro politike nga LDK, me qëllim që të marrë sa me shumë elektorat të kësaj partie. AAK, nuk pritët që të ketë ndryshime të mëdha, në rritje, sepse ajo tashme ka një kryesi me mbi 45 anëtarë, dhe kështu është stërngopur me “blerje” personalitetesh politike me poste.
Ndërsa, AKR, është në udhëkryqin e saj me të madh që nga formimi i saj si formacion politik, asaj po i trasohen vetëm dy rrugë, nga mund të shkojë kjo parti, e para është: afërsia me PDK dhe garimi i saj me një listë zgjedhore, ku do të mund ta realizonin veten disa persona në mekanizmat e ardhshëm të pushtetit, me çka gradualisht edhe do ta humbte rolin e saj politik, dhe e dyta: t’i përkushtohet punës për tu reformuar si parti politike, dhe ta orientoj fokusin e vet politik kah një pjesë e madhe e të zhgënjyerve të këtij dhjetë vjetëshi politik. Tërheqja e sa me shumë votuesve të kësaj kategorie të elektoratit, AKR, e bën forcë politike serioze me peshë në Kosovë. AKR, e ka shumë të lehtë që ta luaj rolin e “polit të tretë”, sepse është parti e pa provuar në pushtet, si dhe në gjirin e saj, ka një numër politikanësh të cilët gëzojnë respekt të qytetaret, pa mohuar fuqinë kreative të liderit të saj.
Risi e skenës politike, pa dyshim do të jetë hyrja në politikë e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosja, me çka pritët të pasurohet skena politike. Duke e ditur potencialin rinor që ka kjo lëvizje. Albini dhe lëvizja Vetëvendosje, gjatë gjithë këtij tranzicioni, kanë bërë një politikë opozitariste, jashtë sistemit politik, duke u dëshmuar hera herës si e vetmja forcë opozitare, vis a vis pushteteve, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare. Vendimi për t’i hyrë garës në kuadër të sistemit, nuk do të jetë pa shumë probleme për ketë lëvizje.
Problem i madh do të jetë, se nuk janë të mësuar, që punën e tyre ta bëjnë në kuadër të sistemit, por ketë mund ta kompensojnë me inkuadrimin e personaliteteve nga bota akademike dhe shoqëria civile, te cilët janë duke menduar që t’i hyjnë politikes. Sfidë tjetër do të jetë, se një pjesë e madhe e qytetarëve që e kanë mbështetur për hir të kauzës që ka patur, dhe jo për ta sjellë atë në pushtet. Është urgjente që të krijohet kauza, me te cilën do të synojë që të marr sa me shumë vota. Përndryshe, ka rrezik që Albinin dhe Lëvizjen Vetëvendosje ta pretë fati i njëjtë me ‘homologun’ e tij nga Shqipëria, Erion Velijaj.
Albini do të sulmohet nga të gjitha anët e politikes aktuale dhe të disa mediave, sepse i rrezikon “tortën” në mënyrë të drejtpërdrejt, padyshim që kjo do të bëhet edhe me mbështetje të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare.
Prognoza mbetët prognozë, ndërsa realiteti pritët të shihet në muajt në vazhdim. Shpresoj që fjalët e ambasadorit të një vendi mik, se Kosovës i mungon një forcë politike ndryshe, do të jetë lëvizja Vetëvendosje me Albin në krye.
(Autori është drejtor ekzekutiv i Qendrës për zhvillim dhe politika publike)





































