Shtatë ministra japin dorëheqjen nga qeveria rumune

Shtatë ministra nga partia më e madhe rumune, Socialdemokratët (PSD), kanë dhënë dorëheqje sot nga qeveria e koalicionit pro-evropian të kryeministrit Ilie Bolojan, duke i hequr atij shumicën parlamentare dhe duke rrezikuar qasjen e vendit në fondet e Bashkimit Evropian, raporton agjencia Reuters.
Socialdemokratët (PSD), shumë prej mbështetësve të të cilëve janë zhvendosur drejt së djathtës ekstreme opozitare, i kanë kërkuar Bolojanit, i cili është anëtar i partisë liberal-konservatore PNL, të japë dorëheqjen të hënën, si reagim ndaj përpjekjeve të tij për të ulur shpenzimet shtetërore dhe për të reduktuar deficitin buxhetor, megjithëse deri tani kishin mbështetur të gjitha masat e kabinetit.
Bolojan ka refuzuar të japë dorëheqjen dhe ka deklaruar se do të emërojë ministra të përkohshëm nga radhët e anëtarëve të mbetur të kabinetit, të cilët mund të qëndrojnë në detyrë për 45 ditë, pas së cilës parlamenti duhet të konfirmojë një kabinet të ri.
Socialdemokratët planifikojnë të paraqesin një mocion mosbesimi ndaj Bolojanit në ditët në vijim dhe mund ta rrëzojnë qeverinë me mbështetjen e opozitës së djathtë ekstreme “Aleanca për Bashkimin e Rumunëve”, e cila është partia e dytë më e madhe në parlament.
“PSD është e gatshme të formojë një qeveri të re pro-evropiane dhe të mbështesë një kryeministër, qoftë politikan apo teknokrat, i cili është i hapur ndaj problemeve të qytetarëve dhe i aftë të bashkëpunojë me partitë për të siguruar shumicë parlamentare”, thuhet në deklaratën e partisë.
Partia Nacional-Liberale (PNL) e Bolojanit ka përjashtuar të martën mundësinë e formimit të një koalicioni të ri me të majtën, pa të cilën nuk mund të arrihet një shumicë pro-evropiane në parlament.
Koalicioni aktual është formuar para dhjetë muajsh për të tentuar të frenojë forcimin e partive të së djathtës ekstreme, por anëtarët e tij janë përplasur vazhdimisht për shkurtimet në shpenzimet buxhetore. /Telegrafi/




















































