Vitet që kanë përfunduar me numrin tetë – që nga viti 1918 e deri më 2018 – kanë qenë vite të ngjarjeve të mëdha, paraprijëse të zhvillimeve tjera me pasoja afatgjata… për të keq, e për të mirë…
1918: FUNDI I LUFTËS SË MADHE DHE PAQJA E PADREJTËSIVE
Në ora 11, të ditës 11 të muajit 11 të vitit 1918, përfundoi lufta më e madhe që njohu historia deri atëherë, e që do të njihej më vonë si Lufta e Parë Botërore. Thuhet se gjatë kësaj lufte u vranë nëntë milionë ushtarë e gjashtë milionë civilë. Kaosi që shkaktoi lufta ndihmoi edhe në përhapjen e Gripit Spanjoll, që do të shkaktonte edhe më shumë viktima: nga 50-100 milionë! Bota ishte shndërruar në një varr masiv. Por, përfundimi i luftës ishte shpresë për një fillim të ri. Së paku kështu mendohej.
Në fakt, përfundimi i Luftës së Parë Botërore u shënua me shumë padrejtësi. Bota u nda në taborin fitues dhe në atë humbës. E, humbësit humbën shumë keq. Perandoria gjermane u shua dhe pas Traktatit të Versajës populli gjerman u dënua të paguante 269 miliardë marka ari – afro 100 mijë tonelata ar – shumë e papërballueshme kjo për një vend të shkatërruar ekonomikisht nga luftimet. Plani gjerman parashihte që kjo shumë mund të paguhej deri në vitin 1988, por vendi kaplohej shpesh nga krizat, për çka Franca pushtoi rajonin e pasur të Rurit.
Në vitin 2010, Gjermania e lau këstin e fundit të këtij reparacioni në shumën prej 70 milionë eurove. Dhe, ky reparacion ishte mësim për vendimet që fituesit morën pas Luftës së Dytë Botërore: populli nuk duhet të dënohet, por liderët! Kjo ishte evidente në rastin e ish-Jugosllavi, e sidomos të Kosovës në raport me Serbinë si nxitëse e luftërave dhe zbatuese e shkatërrimeve, vrasjeve e spastrimeve etnike.
Në anën tjetër, Traktati i Sevrës i vitit 1920, rrezikonte ekzistencën e asaj që do të quhej më vonë Turqi, sepse parashikohej që pjesa më e madhe e këtij territori të ishte nën kontrollin e Francës, Italisë, Greqisë, Britanisë dhe Armenisë. Për herë të parë pas vitit 1453, do të pushtohej Stambolli. Ujërat e këtij shteti preken në çdo skutë me Greqinë, që zotëron pothuajse të gjithë ishujt në Egje e në Mesdhe (që i ka edhe sot). Kjo padrejtësi do të çojë në një luftë tjetër, atë për pavarësi dhe atë kundër Greqisë. Dhe, nga këto luftëra do të lindë miti i babait të kombit turk, shqiptarit që ia ktheu shpresën dhe dinjitetin një shteti të madh, e që vetë i mbështeti politikat antishqiptare në Ballkan – Mustafa Kemal Ataturku.
Me këtë gjendje kaotike të Perandorisë Otomane, nis administrimi britanik i Palestinës dhe fillimi i një problemi që ende nuk po gjen zgjidhje.
Bullgaria do të dënohej me 2.25 miliarda franka ari, por meqë nuk mund t’i paguante, detyrohej të dërgonte bagëti në Greqi, në Rumani dhe në Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene. Shtetit të fundit detyrohej t’ia dërgonte çdo vit 50 mijë tonelata thëngjill. Për shkak të varfërisë në vend, Konferenca e Lozanës më 1932 e liroi Bullgarinë nga reparacionet.
Nga reparacionet u kursye Perandoria Austro-Hungareze, që u copëtua, ndërsa sundimtarët me traditën më të vjetër mbase në botë, Habsburgët, u lanë pothuajse pa asgjë. Austria, shteti që definoi me shekuj politikën evropiane, që dërgoi kulturë kudo ku shkeli, mbeti pa dalje në det, një vend i varfër e i pashpresë. Me shkatërrimin e Perandorisë Austro-Hungareze, u shuan edhe shpresat se do të bashkoheshin në një shtet tokat e copëtuara shqiptare.
Dhe, kush doli shteti që do të fitonte më së shumti?
Serbia, shteti që ishte shkaktari kryesor i nisjes së Luftës së Madhe.
Më 28 qershor 1914, serbi Gavrillo Princip, anëtar i organizatës nacionaliste “Bosnja e Re” do të vriste në Sarajeve trashëgimtarin e fronit të Perandorisë austro-hungareze – arqidukën Franz Ferdinand (ai do të vdiste më 28 prill 1918, në burgun e Terezinit). Në fakt, “Bosnja e Re” ishte si degë e organizatës terroriste serbe “Dora e Zezë” (“Crna Ruka”), në krye të së cilës qëndronte koloneli serb Dragutin Dimitrijeviq, i njohur me nofkën Apis. Ky, në qershor të vitit 1903, në mënyrë mizore vrau mbretin serb, gruan e tij, kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes të Serbisë. Mbreti i deriatëhershëm, Aleksandër Obrenoviq, njihej më shumë për politikat e tij properëndimore, ndërsa Apisi natyrisht se donte që politika serbe të anonte kah Rusia. Kështu, me këtë atentat, më 1903 mori fund dinastia e Shtëpisë së Obrenoviqëve, ndërsa në pushtet – nga ekzili – erdhi Shtëpia e Karagjorgjëve, në krye me Petar Karagjorgjeviqin.
Serbia, që nga viti 1878 kur njihet si shtet – gjoja si viktima më e madhe e pushtimit otoman – kishte zgjeruar territoret e saj me pushtime. Pas luftërave ballkanike ajo pushtoi Kosovën, Sanxhakun, Maqedoninë… Dhe, apetitet e saj pushtuese, për të qenë popull dominues në juglindje të Evropës, nuk u shuan. Prandaj, atentati i Sarajevës nuk ishte gjë tjetër pos ambicie ekspansioniste e Serbisë për ta aneksuar Bosnje e Hercegovinën, e cila në atë kohë ishte nën kontrollin e Austro-Hungarisë.
Dhe, çfarë ndodhi pastaj?
Ultimatumi i Qershorit me 10 pika drejtuar nga ana e Austro-Hungarisë. Serbia e frikësuar dhe pa mbështetjen e Francës dhe të Rusisë të dobësuara ushtarakisht, pranoi të gjitha pikat pos atë të gjashtën – që policët e Austro-Hungarisë të veprojnë për hetime në Serbi – sepse me këtë cenohej sovraniteti i saj shtetëror. Më 28 korrik Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë dhe pastaj filloi ajo që njihet si Lufta e Parë Botërore.
Serbia edhe sot mundohet ta lajë veten nga ky akt terrorist, siç ka bërë në të kaluarën dhe siç bën edhe sot, duke ndërlidhur krimet e saj vetëm me emrat e individëve. Prandaj, vlen të kujtojmë se Apisi, njeriu më me ndikim në qarqet politike serbe, u pushkatua nga ata që i solli në pushtet, më 24 qershor 1917, në Korfuz të Greqisë, gjoja për shkak të planifikimit të atentatit ndaj regjentit Aleksandri i I-rë Karagjorgjeviq. Por, në fakt, ai u pushkatua nga politika për t’u shfajësuar ndaj austro-hungarezëve se shteti serb nuk ishte i përzier në atentatin e Sarajevës dhe se Serbia nuk ishte fajtore për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Mos të harrojmë se në këtë vit, kur SHBA-të nuk ishin të involvuara në luftë, bota besonte se Fuqitë e Boshtit Qendror do të dilnin fituese të kësaj lufte, prandaj serbët donin me çdo kusht të ruanin shtetin e tyre e të ishin në anën e fituesit!
Përfundimi i Luftës së Parë Botërore solli padrejtësi: zgjerimin më të madh të Serbisë. Ata më parë kishin pushtuar Kosovën dhe Maqedoninë, por tash tokë e tyre do të jetë edhe Bosnja dhe Hercegovina, Vojvodina dhe Mali i Zi – mbretin e të cilit, Nikollën e I-rë, e shkarkojnë me intriga përmes Parlamentit malazez më 26 nëntor 1918. Pos këtyre territoreve, ata do të kenë nën kontroll edhe Slloveninë dhe Kroacinë. Sepse, më 1 dhjetor do të krijohet e ashtuquajtura Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, që nuk ishte federatë, po një shtet nën sundimin serb (plan që e kishin hartuar më 20 korrik 1917 në Korfuz, aty ku u ekzekutua edhe Apisi). Mbretëria e Jugosllavisë, siç do të quhej më vonë ky shtet, do të organizohej në banovina (rrethe), të themeluara në mënyrën që në gjashtë prej nëntë sa ishin, serbët të kishin shumicën etnike. Tokat shqiptare ishin ndarë në tri banovina.
Padrejtësitë e shkaktuara pas Luftës së Parë Botërore, botën e futën në Luftën e Dytë Botërore. Edhe nga kjo luftë serbët dolën duke luajtur rolin e viktimës, e madje duke e shpallur veten si popull që kanë vuajtur sa hebrenjtë. Propaganda serbe pohonte se në Kampin e Jasenovcit – në Kroacinë e pavarur nën regjimin ustash të Ante Paveliqit – janë vrarë mbi një milionë nga ta, duke anatemuar secilin që sillte fakte tjera (në Jasenovc thuhet se janë vrarë mbi 40 mijë serbë dhe po aq të kombësive tjera). Me këtë logjikë, pas vitit 1945 persekutohen shqiptarët si gjoja bashkëpunëtorë të nazifashizmit, pra shkelës të të drejtave të serbëve. Me këtë logjikë, gjoja për të mbrojtur serbët nga viktimizimi i mëtejmë, “nga përsëritja e së kaluarës”, kërcet lufta në Slloveni, në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Dhe, a u shpallën serbët ndonjëherë fajtorë? Jo, sepse edhe luftërat e fundit i ndërlidhin me emrin e vetëm një njeriu që vetë e ngrisin dhe e mbajnë në pushtet: dikur me Apisin e më vonë me Sllobodan Millosheviqin. Ky i fundit vdiq në Tribunalin e Hagës, pa u shpallur fajtor.
Tendenca e Serbisë për ta cilësuar veten “viktimë”, nuk është vështirë të vërehet, sidomos në raportet e saj ndaj Kosovës. Kjo u vërejt edhe në 100-vjetorin e shënimit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në Paris, aty ku të pranishëm ishin rreth 80 krerë shtetesh. Meqë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte pranë liderëve të fuqishëm të botës (pas rreshtit ku ishin presidenti francez Emannuel Macron, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin), e ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq diku në një qoshe të parëndësishme ku nuk shihej fare, ata folën prapë për padrejtësi, për fyerje, për viktimizim… Për pak sa nuk e nisën një luftë të re! Prandaj, e mira e kësaj është kur kujton se për dallim nga viti 1918, Serbia nuk është as e madhe si dikur, as e fuqishme për të imponuar vullnetin e saj te pjesa më e madhe e Ballkanit, e as nuk e ka mbështetjen e fuqive të mëdha.
Më 1918, u ripushtuan me krime tokat shqiptare në Kosovë, në Mal të Zi e në Maqedoni. Për këtë arsye, në Shkodër, në maj 1918 u formua Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, qëllimi kryesor i së cilës ishte çlirimi i Kosovës dhe viseve tjera shqiptare që ishin shkëputur padrejtësisht më 1913, dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë. Emrat që ndërlidhen me këtë Komitet janë: Bajram Curri, Hoxhë Kadri Prishtina, Sali Nivica, Niman Ferizi, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Qamil Bala, Sali Rama, Hafiz Ismet Dibra etj. Po më 1918 nisi rezistenca e armatosur në Kosovë, e njohur si Lëvizja Kaçake, e udhëhequr nga Azem Galica.
Më 1918 francezët vazhdonin të ishin në Korçë e italianët në Vlorë, meqë në bazë të Marrëveshjes së fshehtë të Londrës, Italia do të merrte jugun e Shqipërisë dhe protektoratin mbi shtetin shqiptar. Në Kongresin e Lushnjës, delegatët shqiptarë do të vendosnin t’i përzinin italianët nga Vlora.
Për të mbrojtur interesat shqiptare, më 25-27 dhjetor u mbajt Kongresi i Durrësit. Qëllimi ishte formimi i një qeverie të re dhe prezantimi i qëndrimeve në Konferencën e Paqes në Paris që do të mbahej më 1919. Më 8 janar 1918, u dha edhe deklarata e Katërmbëdhjetë Pikave e presidentit Woodrow Wilson që përmbante parimet për negociatat për paqe për të përfunduar Luftën e Parë Botërore. Në pikën 11 të deklaratës kërkohej që Serbia të kishte dalje në det. Në Konferencën e Parisit, Wilson do të ishte mbrojtësi më i zëshëm i pavarësisë së Shqipërisë, për çka Faik Konica do të deklaronte: “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument të pavdekur në zemrat e tyre”!
Para se të fillonte kjo konferencë, më 15 dhjetor 1918, studentët shqiptarë të Vjenës ia dërgojnë Wilsonit një letër me këtë përmbyllje: “Zotëri President! Në qoftë se në vendimin e paqes nji komb lihet i pa njojtun edhe do të përdoret kaq pa-drejtësisht, a mundet kurrë n’atë anë të botës të sigurohet paqa? Shqipnia, sikundër Konferenca e Londonit e kufizoj, kurrë s’mundei të rronte, kishte farën e vdekjes në gjakun e saj që në lindien e vetë. Me këtë mënyrë, Zotërie, deri tash bota na ka përdoruar mizorisht, prandaj ngremë zërin tonë tek Ju, si mbrojtësi i njerëzimit, duke e ditur sigur se marria pjesë e Shteteve të Bashkuara nën udhëheqien të drejtë e të ndershme të Zotërisë s’Uaj në Kongresin e Paqës, drejtësia do të përmbushet dhe shqiptarët duke pasur të drejtën e vetvotimit për formën e qeverimit të tyre do të kenë lejen, si një komb i lirë, të hyjn në Lidhien e Kombëve. […] Në emër të studentëve shqiptarë në Wien, të përvujtunit Jan Basho, Remzi Bape, H. Hifzi, Nush Bushati, Djevat Korça, Luigj Kakariqi, Gjovalin Gjiadri, Raku Buda, Fuad Aslan.”
Viti 1918 ishte vit i pavarësive. Më 1917, Finlanda shpalli pavarësinë nga Rusia. Më 4 janar 1918 kjo pavarësi u pranua nga Rusia dhe fuqitë tjera të mëdha të Evropës, përfshirë Gjermaninë dhe Francën. Më 22 janar, Republika Popullore e Ukrainës shpalli pavarësinë nga Rusia; më 16 shkurt shpallet edhe pavarësia e Lituanisë nga Rusia; më 25 mars pavarësinë nga Rusia e shpall edhe Republika Popullore e Bjellorusisë; më 22 prill pavarësinë nga Rusia e shpallin edhe Armenia, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia, duke formuar Republikën Demokratike Federative të Transkaukazit, për t’u ndarë prapë secila si shtet veç e veç më 28 maj; më 7 tetor, Këshilli i Regjencës shpalli pavarësinë e Polonisë nga Perandoria Gjermane e më 3 nëntor nga Rusia; më 28 tetor Çekosllovakia shpalli pavarësinë nga Austro-Hungaria; më 16 nëntor Hungaria shpalli pavarësinë nga Austria; më 18 nëntor shpallet pavarësia e Letonisë nga Rusia; më 28 nëntor nis lufta e Estonisë për pavarësi nga Rusia; më 1 dhjetor Islanda fiton pavarësinë nga Danimarka! Vendet e sipërpërmendura, që shpallën pavarësinë nga Rusia (pos Polonisë dhe Çekosllovakisë), do të bëheshin me dhunë pjesë e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS).
Kur është fjala te sundimtarët, duhet theksuar se më 4 korrik Mehmedi i VI-të shpallet sulltan i Perandorisë Otomane (do të sundonte deri më 1922, kur u shfuqizua sulltanati nga Ataturku). Më 16-17 korrik 1918, do të shuhej me vrasje familja perandorake ruse Romanov, nga revolucionarët bolshevikë. Kaizeri Wilhelmi i II-të i Gjermanisë abdikon më 9 nëntor dhe vendosë të jetojë në ekzil në Holandë. Më 11 nëntor dorëzon pushtetin perandori Karli i I-rë i Austrisë, por nuk abdikoi, ndërsa më 12 nëntor Austria shpallet republikë.
Në këtë vit lindin edhe sunduesit e ardhshëm, ndër të cilët më të njohurit do të jenë: Helmut Schmidt (kancelar i Gjermanisë), Gamal Abdel Nasseri (president i Egjiptit), Konstantinos Mitsotakisi (kryeministër dhe themelues i një dinastie politikanësh në Greqi) dhe Nicolae Ceausescu (diktatori komunist i Rumanisë).
Viti 1918 mbase është një nga vitet kur lindën më së shumti fitues të Nobelit – 22 të tillë: Gertrude B. Elion, Julian Schwinger, Arthur Kornberg, James Tobin, Frederick Reines, Kai Siegbahn, Richard Feynman, Edward B. Lewis, Edwin G. Krebs, Jerome Karle, Franco Modigliani, Bertram Brockhouse, Nelson Mandela, Paul D. Boyer, Frederick Sanger, Derek Barton, Martin Ryle, Kenichi Fukui, Jens Christian Skou, Ernst Otto Fischer, Aleksandr Solzhenitsyn dhe Anwar Sadat. Ndërkaq, vdiqën tre nobelistë: Louis Renault, Ernesto Teodoro Moneta dhe Karl Ferdinand Braun.
Më 1918 do të lindte edhe nëna e një nobelisti shqiptar: nëna e Ferid Muratit – Henrietta Josephine Bowman.
Më 1918 Nobeli për Fizikë iu nda emrit që përmendet në çdo libër shkollor: Max Planck – babai i fizikës kuantike. E, 100 vjet më vonë, me emrin Nobel do të ndërlidhen një sërë skandalesh… seksuale!
1928: POSHTË REPUBLIKA, RROFTË MBRETËRIA
Karrieristi dhe oportunisti Ahmet Zogu, e shpërbëu në gusht Parlamentin dhe më 1 shtator 1928 u shpall Mbret i Shqipërisë. Ai ndryshoi mbiemrin nga Zogolli në Zogu. Nëna e tij Sadije Toptani u shpall Nëna Mbretëreshë, kurse familjarët e tjerë të tij morën titujt Princër dhe Princesha. Mbretëria e Shqipërisë ishte mbretëri kushtetuese, parlamentare dhe e trashëgueshme. 10 vjet më vonë, më 1938, Zogu do të bëhej me Mbretëreshë, pasi u martua me konteshën hungareze – Geraldine Margit Virginia Olga Maria Apponyi de Nagy-Appony.
Ç’është e vërteta, shumë shqiptarë e mirëpritën këtë vendim, sepse mendonin se një shtet, për t’u zhvilluar (siç po zhvilloheshin shtetet e tjera në Ballkan), duhej ta kishte për udhëheqës një mbret. Madje, flitet se në Kosovë në vitet 1930 u formuan lëvizjet ilegale me ideologji monarkiste, siç do të jenë më vonë marksist-leniniste – varësisht nga sistemi politik që mbizotëronte në Shqipëri. Historiani Ramadan Haziri mendonte se anëtarë të organizatave të tilla monarkiste, si të rinj kanë mundur të jenë edhe Mark Krasniqi dhe Gjon Serreqi. Por, dëshmi për këtë nuk ka!
Shekulli XX është shekulli kur shuhen shumë monarki. Zogu dhe psikopati Jean-Bedel Bokassa janë të vetmit që, për të mos ua rrezikuar kush sundimin, shtetin e organizuan sipas interesave të tyre: i pari u bë mbret e i dyti perandor. As të parit e as të dytit nuk u zgjati ëndrra për sundim deri në shtratin e vdekjes.
Një nga ata që nuk e priti mirë shpalljen e Zogut për mbret, ishte Ataturku. Thuhet se kur mësoi lajmin, sundimtari i Turqisë e goditi me grusht tryezën e tha: “Çfarë! Ta pranoj? Jo, jo. Unë s’do ta njoh kurrë! Mbase do jem i vetmi në botë. Kjo s’ka rëndësi. Ju betohem; ju jap fjalën që s’kam për ta njohur! Duhet dhënë shembulli. Një njeri i zgjedhur nga njerëzit nuk duhet ta tradhtojë kurrë betimin e tij! Kurrë”!
Një e vërtetë tjetër është se Zogu u mundua të krijojë një shtet modern. Mbi të gjitha, investoi në arsim duke dhënë bursa për shumëkënd për të studiuar në shkollat prestigjioze të Perëndimit. Dhe, pasi diplomoheshin, ata ktheheshin në vendlindje për të kontribuar në zhvillimin e vendit dhe në edukimin e brezave të rinj. Shumë nga këta kuadro të shkolluar jashtë, që sollën në frymë të re intelektuale në Shqipëri, e pësuan pas vitit 1945 nga bursisti tjetër i Zogut – Enver Hoxha.
Pos shkollimit, Zogu e rriti sigurinë në vend: reduktoi mentalitetin e cubit dhe të gjakmarrjes, duke çarmatosur popullatën dhe duke shtrirë ndikimin e shtetit ligjor. Në kohën e tij ndërtohen ura, pista aeroporti, nis industrializimi i vendit, elektrifikimi, ndërmirren hapat e parë për zhvillim të turizmit, investohet në shëndetësi, në kulturë, ndalohet poligamia dhe perça… Fatkeqësisht, pikë referimi për Zogun – për të treguar se sa zhvillim po sillte mbretërimi i tij – ishte viti 1912, vit ky kur Shqipëria ishte e copëtuar, e varfër, e shkallmuar… Të njëjtën do ta bëjnë më vonë komunistët, për të cilët të arriturat e tyre mendonin t’i dëshmonin duke krahasuar gjithçka me vitin 1938. Jo me vitin 1939 apo 1940 të pushtimit italian, e sidomos jo me vitin 1941 kur gjatë këtij pushtimi ndodh bashkimi me Kosovën dhe kur me një elitë tjetër politike antizogiste në pushtet, shqiptarët përjetojnë zhvillim më të madh – sidomos në arsim.
Sidoqoftë, si atëherë ashtu edhe sot, Zogut nuk do t’i harrohen kurrë vrasjet politike; mëkati që më 1924 u kthye në pushtet me ndihmën e serbëve, ndërkaq për interesa personale cenoi interesat kombëtare duke nënshkruar një marrëveshje famëkeqe me kryeministrin antishqiptar të Serbisë, Nikolla Pashiq; si dhe që më 1939, gjatë pushtimit italian, ai do ta braktiste popullin e me vete do të merrte pasuri marramendëse për të vazhduar jetën e tij luksoze.
Në ndërkohë, në Kosovë, sipas disa statistikave, 4,326 shqiptarë ikën për në Turqi më 1928; 149 familje u larguan për në Shqipëri. Ndërkaq, kolonizatorët serbë u liruan nga tatimet për pesë vjet.
Më 20 qershor 1920, krijesës së quajtur Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene (që njihet edhe si Mbretëria e Jugosllavisë, por që si emërtim i vetëm do të përdorej zyrtarisht nga tetori 1929) i lëkunden themelet që gjoja bazoheshin në vëllazërinë e sllavëve të jugut, kur ultranacionalisti Punisha Raçiq, në Parlamentin jugosllav në Beograd qëllon me armë ndaj deputetëve të Partisë Fshatare Kroate. Krejt kjo sepse deputeti kroat, Stjepan Radiq, disa ministra serbë i kishte quajtur banditë, grabitës dhe kriminelë, ndërsa Raçiqi me të tjerët nuk mundi ta shpallte të çmendur e as ta ndalonte të shprehte mendimin e tij që binte në kundërshtim me politikat serbomëdha. Vdekjen e Radiqit dhe të tjerëve (përfshirë të serbit të Kroacisë Svetozar Pribiçeviq, që kritikonte politikat e mbretit Aleksandër Karagjorgjeviq), me ditë e kishin kërkuar mediat në Beograd dhe e kishin paralajmëruar disa deputetë serbë. Radiqi do të vdiste në spitalin e Zagrebit më 8 gusht, nga plagët e marra në Parlament. Në Zagreb do të vriteshin të paktën pesë demonstrues që dënuan aktin e Punisha Raçiqit, që tashmë ishte shndërruar në hero të madh në Serbi.
Raçiqi rridhte nga fisi malazez Vasojeviq, njëjtë si Sllobodan Millosheviqi (Vasojeviqët janë antishqiptarë me origjinë shqiptare) dhe me emrin e tij ndërlidhen veprime jo të mira të shqiptarëve. Fillimisht, gjatë luftërave Ballkanike kishte bashkëpunuar me shqiptarët katolikë të veriut të Shqipërisë, të cilët shkurt i kishte bindur të luftojnë në anën e malazezëve kundër otomanëve (pra kundër shqiptarëve myslimanë dhe shqiptarëve katolikë që mbronin Shkodrën). Pastaj, më 1920 do të zgjidhej deputet nga Tetova, si përfaqësues i partisë Xhemijet që përfaqësonte shqiptarët, turqit dhe myslimanët (nga Tetova origjinën e kishte edhe Nikolla Pashiqi, i cili ishte vllah).
Viti 1928 është vit kur bakteriologu anglez, Frederick Griffith, do të vërtetonte ekzistencën e ADN-së. Ky vit ka rëndësi për historinë e televizionit, sepse për herë të parë u bë transmetimi transatlantik i sinjalit televiziv (nga Londra në Nju Jork), si dhe u prezantua televizori i parë me ngjyra. Kjo pajisje do të bëhej më vonë burimi kryesor i informimit dhe zbavitjes.
Në BRSS, më 1 tetor 1927, Josif Stalini nisi planin e parë pesëvjeçar; më 1 nëntor Turqia kaloi nga alfabeti arab në atë latin; ndërsa më 22 nëntor, në Paris jepet premiera e baletit “Bolero” (me muzikën mahnitëse të Maurice Ravelit dhe me koreografi të Bronislava Nijinskas).
Më 1928 lindin emra të mëdhenj të shekullit XX: regjisorët Stanley Kubrick dhe Nicolas Roeg, pop-artisti Andy Warhol, aktorët James Coburn dhe Shirley Temple, kompozitori Ennio Morricone, këngëtarët Serge Gainsborough dhe Fats Domino, politologët Zbigniew Brzezinski dhe Noam Chomsky, aktivisti Elie Wiesel, revolucionari Che Guevara, politikanët Hosni Mubarak dhe Ariel Sharon… Ndërkaq, ndër shqiptarë lindën aktoret Kate Dulaj (e njohur si Katarina Josipi) dhe Esma Agolli, shkrimtari Enver Gjerqeku, historiani Ali Hadri…
1938: GATI PËR LUFTËN TJETËR TË MADHE
Në Mbretërinë e Jugosllavisë u mbajtën zgjedhjet parlamentare ku fitoi Unioni Radikal Jugosllav që mori 306 nga gjithsej 373 ulëset. Ndonëse Opozita e Bashkuar e udhëhequr nga kroati Vladko Macek mori hiç më pak se 44.9 për qind të votave, serbët kishin manipuluar ligjet që atyre t’u takonin vetëm 67 ulëse. Sipas statistikave të asaj kohe, serbët përbënin 38 për qind të popullatës së shtetit, por kishin pushtet absolut, gjë që tregohet edhe me këto zgjedhje.
Që nga viti 1918 e deri në vitin 1938 – sipas të dhënave edhe nga arkivat e Serbisë – serbët i kanë djegur dhe shkatërruar qindra fshatra e mijëra shtëpi, janë vrarë dhjetëra-mijëra shqiptarë e janë shpërngulur mbi 215 mijë syresh për në Turqi. Në datat 9-11 korrik 1938, pala jugosllave dhe ajo turke pajtohen në Stamboll që në gjashtë vjetët e ardhshme të shpërngulen 40 mijë familje shqiptare nga tokat e pushtuara nga serbët. Kjo është e ashtuquajtura Konventa Jugosllavo-Turke që synonte të zhbënte shqiptarët nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Sanxhaku dhe Lugina e Preshevës.
Në ndërkohë vazhdonte kolonizimi i Kosovës dhe dhuna kundër shqiptarëve. Ndër zullumqarët më të mëdhenj serbë ishte Milliq Kërstiqi (Kërrsta) i cili vritet më 1938 e me vrasjen e tij lindi miti për Selman Kadrinë. Siç mbahen fshehtë shumë gjëra nga historia shqiptare, siç keqinterpretohen dhe zbukurohen shumë momente dhe detaje, i tillë është edhe rasti me Selman Kadrinë, të cilit i këndohet kënga se i dridhi eshtrat e Car Dushanit e se nga pushka e tij “me gojë hapur ka mbetë Serbia”.
Studiuesi Liman Rushiti, në veprën e tij “Kujtime për lëvizjen kaçake”, cek fakte interesante për shumë personazhe të historisë, të thëna nga dëshmitarët e kohës (që i kishte mbledhur në vitet ’70-’80 të shekullit të kaluar, e të cilat i botoi në një vepër me vlerë më 2003). Ai thotë se Kërrsta ishte vrarë pas shpine (gjë që nuk përkon me burrërinë shqiptare, për çka në këngë glorifikohen ata që i dalin ballë për ballë armikut) dhe se Selman Kadria ishte njeri i besueshëm i Milliqit, si nip i Kërstiqëve të Istogut – për çka i besohej edhe mbajtja e armës.
Në traditën shqiptare, njeriu nuk vritet pas shpine. Ju kujtohet atentati që Beqir Valteri kishte bërë ndaj Ahmet Zogut në Parlamentin e Shqipërisë? Ndonëse kishte probleme në të folur, e thirri Zogun në emër dhe i tha: “Bëji të fala ungjit tim”! Sepse, kjo ishte tradita burrërore shqiptare e marrjes hak: për ta thirrë hasmin në emër dhe për t’ia treguar arsyen se pse po merr hak!
Kur është fjala te Zogu, duhet thënë se duke pasë parasysh mizoritë e Kërrstës kundër shqiptarëve, ai kishte ofruar të holla për atë që e shpëton dhe e dërgon Selman Kadrinë në Tiranë. Por, këtu ndodh një akt i ultë: tradhtohet nga nipi i babës, Ramë Vuthaj, që po ashtu e godet Selman Kadrinë pas shpine me sëpatë, ndërsa sinjalizon xhandarët serbë që ta marrin. Nën torturat më barbare të kolonëve serbë, Selman Kadria vdes në oborrin e kishës ortodokse në Istog, në qershor të vitit 1938.
Në vitin e Selman Kadrisë, Zogu që drejtonte një shtet me 860 mijë shqiptarë, ishte bërë “burrë” sepse martohet. Për martesë i duhej leja nga Papa (Geraldine ishte katolike). Thuhet se Vatikani kërkonte një martesë sipas riteve katolike – përpara martesës civile – dhe se fëmijët e dalë nga martesa duhej të rriteshin si katolikë. Por, në fund u pajtuan që jo dasma po fëmijët të rriten si katolikë e se martesa do të ishte civile.
“Martesa do të bëhet në pallatin e vjetër në Tiranë dhe ajo do të jetë tërësisht civile… Nuk ka asnjë dyshim që vëllai im dhe mbretëresha e tij do të vizitojnë Papën gjatë muajit të tyre të mjaltit për të marrë bekimin e tij”, kishte thënë për mediat britanike Princesha Myzejen, e cila më 1938 me motrat e saja bëhet e famshme, pasi udhëtojnë në Hollivud. Mediat perëndimore raportonin se producenti i famshëm, Samuel Goldwin, dëshironte që motrat e Zogut të luanin në një version të ri të filmit “Graustark” – shtetit fiktiv që përmendet në shkrimet e George Barr McCutcheonit.
Ngjarjet më të rëndësishme në botë ishin: mbreti Faruk i Egjiptit, i dinastisë shqiptare të themeluar nga Mehmet Ali Pasha, martohet me bukuroshen Safinaz Zulficar; jepet premiera e filmit të parë të animuar me metrazh të gjatë, “Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët”; publikohet stripi i parë me Supermenin; në BRSS ekzekutohet revolucionari bolshevik, Nikolai Bukharin; vdes Ataturku, ndërsa Ismet Inonu bëhet presidenti i dytë i Turqisë…
Më 30 tetor 1938, regjisori Orson Welles transmeton adaptimin për radio të veprës fantastiko-shkencore, “Lufta e botëve” të H.G. Wellsit. Radiodrama kishte plot efekte tonike, narracione dhe ndërhyrje që ngjanin me edicionet speciale të lajmeve. Simulimet e tilla i bënë dëgjuesit të besojnë se marsianët kanë aterruar në Nju Xhersi dhe se janë gati për të sulmuar edhe Nju Jorkun. Linjat telefonike u bllokuan, ndërsa mijëra e mijëra dolën nga shtëpitë për të kërkuar strehim diku tjetër. Kjo radiodramë vazhdon edhe sot të jetë temë për analiza të ndikimit të mediave te masat dhe si burim për shumë teori të komplotit.
Bota ishte në prag të një Lufte tjetër të Madhe. Gjermania aneksoi Austrinë dhe Sudetenlandin në Çekosllovaki. Në Austri gjermanët ndërtuan kampin e parë të koncentrimit në Mauthasen, ndërsa Hermann Goring i quajti çekosllovakët “racë e tmerrshme e xhuxhëve” që “shqetësojnë racën njerëzore”. Këtë vit pasaportat e mëparshme të hebrenjve u shpallën të pavlefshme dhe atyre që kërkonin të rejat për emigrim, u shënohej shkronja “J” (për “Jude”, pra hebrenj). Shumë nga ta, në këtë kohë, u pajisën me pasaporta shqiptare.
Më 9-10 nëntor 1938, ndodh ajo që do të njihej si Nata e Kristaltë apo Nata e Xhamave të Thyer (meqë thyhen dritaret e lokaleve të hebrenjve). Ky veprim i nxitur nga grupet paramilitare SA, ishte akt pogromi. Gjithçka thuhet se ishte reagim për vrasjen e diplomatit gjerman Ernst vom Rath, në Ambasadën gjermane në Paris, nga 17-vjeçari Herschel Grynszpan. Pronat e hebrenjve shënjoheshin dhe shkatërroheshin. 91 hebrenj u vranë dhe 30 mijë u arrestuan dhe u dërguan në kampe.
Në vitin 1938 lindën aktorët Natalie Wood, Christopher Lloyd, Elliott Gould dhe Oliver Reed; balerini Rudolf Nureyev; këngëtarët Kenny Rogers, Ben E. King dhe Nico (manekinia dhe aktorja që ka luajtur në filmat e Federico Fellinit dhe Andy Warholit dhe që u bë më e famshme me kult-rok grupin Velvet Underground); politikani që do të jetë Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan; moguli i mediave (themeluesi i CNN-it), Ted Turner…
Ndër shqiptarë lind aktorja Antoneta Papapavli; gjuhëtari Emil Lafe dhe shkrimtari i madh për fëmijë, Rifat Kukaj, jeta e të cilit tregon se sa mizor ishte sundimi serb. Kukajt më 1945 do t’ia vrisnin babanë me disa anëtarë tjerë të familjes. Kur më vonë, shkrimtari Faruk Tasholli do ta pyeste se a e mban mend babanë, Rifat Kukaj do t’i thoshte: “Po, e mbaj mend si të vdekur. Ia kam pa gjurmën e plumbit tek i ka hyrë në njërin tamth dhe i ka dalë në tjetrin”!.
Më 1938 vdes Branisllav Nushiqi, një nga dramaturgët më të mëdhenj të Serbisë që, si shumë “serbë” tjerë të mëdhenj, ishte vllah. Nushiqi – të cilin disa “shkencëtarë” shqiptarë duan ta përvetësojnë, meqë për ta e ka mbiemrin Nushi dhe është me origjinë nga Gjakova – ka qenë konsull i Serbisë në Prishtinë, në kohën e Perandorisë Osmane. Ai ka shkruar një libër për Kosovën, ndërsa për shqiptarët ka thënë: “Shqiptarët janë autoktonë, të cilët gjatë të gjitha dyndjeve të popujve, e ruajtën tipin dhe karakterin e vet në mënyrë të theksuar. Ata u bënë ballë sulmeve të romakëve, mësymjeve të dendura të sllavëve, të cilët ua pushtuan të gjitha fushat, ultësirat, dhe lumenjtë”.
1948: LINDJA E DASHURISË SHQIPËRI-BRSS DHE ISH-VËLLEZËRIT JUGOSLLAVË…
Në shkurt 1948, komunistët shqiptarë planifikuan ta shkrijnë ekonominë dhe ushtrinë me atë të Jugosllavisë. Një nga mbështetësit e planit ekonomik për ta shndërruar Shqipërinë në prodhuese të lëndës së parë për Jugosllavinë dhe në varësinë ekonomike të jugosllavëve, ishte ministri i Brendshëm dhe i Mbrojtjes, Koçi Xoxe, i cili në inaugurimin e mbarimit të punimeve të hekurudhës Durrës-Peqin, kishte thënë: “Ekzistenca e Jugosllavisë Federative Popullore në kufi është një fat për Shqipërinë, është një siguri e madhe për jetën tonë, për zhvillimin tonë të përgjithshëm. Ndryshe, pa një Jugosllavi të popujve të Jugosllavisë dhe të fortë nga çdo pikëpamje, do të ishte në rrezik qenia e jonë si popull i lirë”.
Kundërshtuesi më i madh i planeve të tilla ishte Nako Spiru (bashkëshorti i Liri Belishovës) i cili, nën presionet e mëdha nga Xoxe, më 1947 bëri vetëvrasje. Por, më 1948 e pësoi edhe Xoxe kur, pas përjashtimit të Jugosllavisë nga Kominformi – të acarimit të raporteve jugosllavo-sovjetike – Shqipëria e mbajti anën e Bashkimit Sovjetik. Planet e mësipërme dështuan dhe udhëheqësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, shfuqizoi Traktatin e Miqësisë me Jugosllavinë të vitit 1946 (që ndër të tjera parashihte bashkimin doganor dhe barazimin e lekut me dinarin). Atëherë nisën spastrimet e elementeve që Hoxha i quante titiste. Ndër të parët e pësoi Koçi Xoxe, i cili dënohet me vdekje. Në gjyqin kundër tij, Xoxe nuk e ka mohuar se është ndjerë mirë kur Nako Spiru vrau veten.
Xoxe ishte pro-jugosllav dhe një person mizor i cili më 1947 kishte nisur luftë kundër komunistëve anti-jugosllavë. Ndër të tjera njihet edhe për gjyqin special kundër 60 personave (mars-prill 1945), që regjimi komunist i cilësonte si “kriminelë të luftës”. Në mesin e të arrestuarve dhe të dënuarve ishte edhe Ibrahim Biçakçiu, i biri i vetëm i Aqif Pashë Elbasanit – patriotit dhe intelektualit që ndër të tjera njihet si organizatori i planit për vrasjen e Esat Pashë Toptanit. Ibrahimi fliste gjermanisht, italisht, turqisht dhe anglisht, ndërsa në Vjenë kishte mbaruar Fakultetin e Tregtisë dhe atë të Shkencave Politike. Ishte i ditur po edhe i pasur, pasi zotëronte prona dhe biznese të mëdha -përfshirë fabrikën e cigareve “Flora” në Tiranë dhe kafenenë me të njëjtin emër ku kishte punuar edhe Enver Hoxha. Ai do të dënohej me vdekje, por pas një peticioni do ta vuante dënimin me burg. Më 1962 u lirua nga Burreli. Aristokrati dhe intelektuali që ishte edhe kryeministër i Shqipërisë nga shtatori 1943 e deri nëntor 1944, do të detyrohej të pastronte rrugët, pusetat e banjot publike të Elbasanit.
Pasi prishen me jugosllavët, Shqipëria merr ndihma nga Bashkimi Sovjetik. Dy vjet më parë, kur Enver Hoxha kishte vizituar Beogradin (vizitë kjo gjatë së cilës nuk bëri kërkesë të takonte asnjë shqiptar të Kosovës), ka urdhëruar që në Tiranë të pritet me këto parulla: “Rroftë marrëveshja midis popullit shqiptar dhe popujve të Jugosllavisë”, “Rroftë mareshali Tito”, “Enver-Tito”, “Rroftë vëllazërimi i ushtrisë kombëtare shqiptare dhe i ushtrisë heroike jugosllave”, “Rrofshin popujt heroikë të Jugosllavisë”… Por, tash jugosllavët ishin armiq të tij, e sidomos lideri i tyre, Josip Broz Tito. Prandaj, nga Shqipëria u dëbuan edhe 1,300 jugosllavë të cilët ishin të angazhuar në çdo institucion politik e shoqëror, gjoja për organizimin e aparatit shtetëror shqiptar.
Në nëntor në Tiranë do të mbahej Kongresi i Parë i Partisë Komuniste, ku u mor vendimi që ky organ politik ta ndryshonte emrin në “Partia e Punës së Shqipërisë” (PPSH). Aty Enver Hoxha do të emërohej Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së, post të cilin do ta mbante deri në vdekje, më 1985. Po ashtu, në Kongres do të bëhej “demaskimi dhe dënimi i revizionistëve jugosllavë”. “Titistët”, vuri në dukje Kongresi, “qenë përpjekur me të gjitha forcat e mjetet për t’ia imponuar edhe Partisë Komuniste të Shqipërisë ideologjinë, politikën e metodat e tyre antimarksiste. Për këtë qëllim kishin organizuar, midis tjerash, edhe grupin komplotist të Koçi Xoxes… Megjithatë, presionet dhe ndërhyrja e revizionistëve jugosllavë s’kishin mundur të preknin politikën proletare të Partisë për luftën e klasave, politikën ekonomike dhe vijën politike revolucionare të saj në përgjithësi”.
Në Kosovë, pas prishjes së marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi, Prizreni (që ishte qendra administrative e Kosovës pas vitit 1941, në Kohën e Shqipërisë, kur Koço Tasi themeloi administratën e parë lokale) nuk do të jetë më “kryeqytet”. Meqë ishte afër Shqipërisë, jugosllavët vendosin që kryeqendra e Kosovës të zhvendosej në një vendbanim të vogël e jo fort të rëndësishëm – në Prishtinë.
Më 1948 u mbajt një regjistrim i popullatës, sipas të cilit Kosova kishte 727,820 banorë nga të cilët 498,242 (68.46 për qind) ishin shqiptarë. Por, edhe pse shumicë, pushtetin në dorë e kishin serbët.
Një ndër njerëzit më të fortë në Jugosllavinë komuniste, si ministër i Brendshëm, ishte antishqiptari Aleksandar Rankoviq (ish-shef i shërbimit famëkeq informativ, OZNA), i cili nuk i ndali politikat shtypëse, si pasojë e të cilave vazhdojnë shpërnguljet e shqiptarëve nga Kosova. Pas prishjes së raporteve me BRSS-në, shumë shqiptarë do të arrestoheshin si “njerëz të Kominternës”. Sepse, cilado të ishte ideologjia në Shqipëri, e tillë ishte “rezistenca” në Kosovë: feudale, monarkiste, balliste, titiste, staliniste, enveriste… derisa Ibrahim Rugova nuk e bëri një shkëputje të frymëzimit nga mëtanë kufirit!
Për prishjen e marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi, Fadil Hoxha (që më 1948 ishte kryetar i Kuvendit dhe Ekzekutivit të Kosovës) do të thoshte: “Në të vërtetë, derisa nuk u prish Shqipëria me Jugosllavinë, ne në Kosovë kishim më pak probleme, por pastaj situata u ashpërsua. Mendoj se shqiptarët në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi do të mund të kishin kaluar më lehtë, sikur të mos ishin prishur marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave. Pra, sikur të kishim pasur sado-kudo raporte normale ndërshtetërore”.
Më 1948 mund të thuhet se shuhet përfundimisht veprimtaria e Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare (LNDSH), që vepronte me dy Komitete Qendrore (një në Prizren e një në Shkup), anëtarët e së cilës jepnin këtë betim: “Betohem në librin e shenjtë, në gjakun shqiptar, në flamur, se do të qëndroj dhe do të bëhem besnik, në organizatën nacionale për çlirimin e atdheut. Jetën do ta sakrifikoj nëse bie në duar të armikut. Për pjesëmarrësit e organizatës nuk do të deklaroj asgjë. Do të mbështetem në të gjitha ligjet që i mbështet organizata. Me çmim të jetës do ta kryej çdo detyrë që ma parashtron organizata” .
Në këtë vit të shkeljeve të mëdha të të drejtave të shqiptarëve, u miratua Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut që kishte 30 nene, para të cilave janë shtatë paragrafë që fillojnë me: “Duke patur parasysh se…”! Dhe, “duke patur parasysh” këtë, kjo Deklaratë është nga më të shkelurat në pjesën e dytë të shekullit XX… e deri më sot! Si p.sh. në Burmë (Mianmari i sotëm) që fitoi pavarësinë më 1948, vit ky kur BRSS nisi deportimin e tmerrshëm të lituanezëve për në Siberi.
Një nga ngjarjet kryesore të vitit 1948 është nënshkrimi i Planit Marshal nga presidenti amerikan Harry S. Truman, që ofronte pesë miliardë dollarë ndihmë për 16 shtete. Ky plan do të rimëkëmbte Evropën e dërrmuar nga Lufta e Dytë Botërore. Por, ngjarja më e madhe është themelimi i shtetit të Izraelit, më 14 maj 1948, me David Ben-Gurionin si kryeministër të parë.
“Në tokën e Izraelit u krijua populli hebre. Këtu u krijua qenia e tij shpirtërore, fetare dhe politike”, deklaroi atëherë Ben-Gurioni.
Formimi i këtij shteti ishte kulmi i synimeve të Lëvizjes Sioniste që nisi në Evropën e shekullit XIX. Këtë shtet e kishte kërkuar i pari publikisht, gazetari Theodor Herzl, përmes veprës së tij “Shteti hebre”. Për ta arritur këtë qëllim, nisi shpërngulja e hebrenjve në Palestinë që në fillim të shekullit XX.
Libri i kujtimeve të Eqrem Bej Vlorës jep detaje të këtyre shpërnguljeve. Në vitin 1904, teksa jetonte në Turqi, me një komision qeveritar u nis për të përuruar hekurudhën e Hexhazit. Pas përurimit, anija më të cilën udhëtonte drejt Jafës kishte edhe një mision për të kryer: të mblidhte të dhëna informative rreth “Misionit Studimor Hebraik” në Tel-Aviv.
“Në dhjetor të vitit 1903 unë u ndodha rastësisht në pallatin e Vezirit të Madh të atëhershëm, Ferit pashë Vlorës. Ai na tregoi se pasdite do të priste Baron Rotçildin (Rothschild) nga Parisi. Më vonë mësuam se ai kishte kërkuar marrjen në koncesion, për 99 vjet, të 20,000 hektarëve tokë (duna rëre) në Tel-Aviv, për të cilën ai ishte gati t’i paguante Qeverisë një qira mjaft të lartë”, ka shkruar ai në librin e tij të kujtimeve, teksa shton se Sulltani (Abdul Hamid i II-të) kishte lejuar formimin e “Misionit…” të cilin po e hetonin.
“Në plazhin e Tel-Avivit ishin ndërtuar dy shtëpi të vogla, fare të thjeshta ku punonin pesë agjentë – nëpunës të Kongresit Botëror Çifut, dhe mblidhnin të dhëna për kushtet ekonomike të arabëve në Palestinë”, ka shkruar më tej Vlora, sipas të cilit, krijimi i shtetit të Izraelit fsheh në vetvete farën e trazirave të ardhshme, “sepse për popujt arabë do të mbetet përherë e papërfytyrueshme të pranojë në heshtje që një pykë çifute të ndajë më dysh botën arabe”.
“Palestina ka qenë dikur çifute, por që nga koha e Solomonit të madh e Davidit të vogël kanë kaluar mijëra vjet. Me të drejtë apo pa të drejtë, sot ajo është 100 për qind arabe dhe Perandoria Osmane nuk ka arsye, qoftë politike qoftë sentimentale, ta ndryshojë këtë gjendje”, kishte thënë Veziri shqiptar, që synoi të frenonte dhënien e tokave me koncesion për realizimin e shpërnguljes së hebrenjve, por që nuk ia doli pasi Sulltani kishte bërë pazare me baronin kontrovers nga Parisi.
Menjëherë pas shpalljes së shtetit të Izraelit, nisi Lufta e Parë Arabo-Izraelite. Më 14 maj, Izraelin e sulmojnë pesë shtete arabe (Libani, Siria, Egjipti, Jordania dhe Iraku). Por, nga këto luftime dhe të tjerat që do të pasonin, Izraeli dilte përherë fitimtar dhe përherë me territor më të madh.
Këtë vit lindën aktorët Samuel L. Jackson, Billy Crystal, Carl Weathers, Jeremy Irons, Gerard Depardieu dhe Jean Reno; këngëtaret Donna Summer, Grace Jones dhe Olivia Newton-John; shkrimtari George R.R. Martin; politikani Al Gore; gjeniu i muzikës elektronike, Jean-Michel Jarre; dhe rokerët e mëdhenj: Ozzy Osbourne, Steven Tyler, Alice Cooper, Stevie Nicks, Robert Plant, John Bonham, Brian Eno, Johnny Ramone, Klaus Meine, Jeremy Spencer dhe Cat Stevens (që sot njihet si Yusuf Islam). Më 1948 lindi edhe Jan Palachu, i cili, për ta kundërshtuar invadimin sovjetik në Çekosllovaki, në janar 1969 ia fut vetes flakën në një rrugë të Pragës.
Më 1948 vdesin: simboli i rezistencës paqësore, Mahatma Gandhi; Orville Wright i cili me vëllain Wilbur kishin realizuar fluturimin e parë me aeroplan; si dhe regjisori i famshëm i filmit, Sergei Eisenstein.
Ndërkaq, ndër shqiptarë lindin: politikani Arbën Xhaferi; aktorët Bujar Lako dhe Timo Flloko; shkrimtarët Agim Deva, Eqrem Basha, Ymer Elshani, Hida Halimi dhe Natasha Lako; historiani Jusuf Bajraktari…
1958: POSHTË REVIZIONISTËT!
Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë ishte Haxhi Lleshi, ndërsa kryeministër ishte Mehmet Shehu. Pasi lideri komunist sovjetik, Nikita Khrushchev (që nga ky vit ishte edhe kryeministër), kishte kritikuar politikat e paraardhësit të tij, Josif Stalin, më 1958 duket më e dukshme ftohja e raporteve mes Shqipërisë dhe BRSS-së. Për elitën politike shqiptare, de-stalinizimi ishte gabim, siç ishte gabim që BRSS-ja nuk e gjykonte sa duhet socializmin jugosllav që përqendrohej në sistemin e tyre unik të vetëqeverisjes.
Enver Hoxha vazhdoi ta mbronte Stalinin e ta akuzonte Titon si heretik që ka nxitur madje trazira në Poloni e në Hungari. Ndaj, bën spastrime tjera të elementeve që ai i konsideronte si pro-sovjetike dhe pro-jugosllave. Më 1958, Hoxha e akuzoi Titon edhe si fashist dhe si person që po bënte gjenocid kundër shqiptarëve të Kosovës. Ndërkaq, Mehmet Shehu deklaronte se revizionizmi duhej të luftohej, sepse po përdorej nga imperializmi për të penguar unitetin e bllokut komunist.
Megjithatë, Shqipëria kishte dhënë edhe sinjale se synonte të përmirësonte lidhjet me Jugosllavinë, “bazuar në parimet marksist-leniniste të ndërkombëtarizmit proletar”. Në një intervistë me gazetarin amerikan Harrison Salisbury (korrespondent i ditores “New York Times” në Moskë), Mehmet Shehu thoshte për Jugosllavinë: “Në politikën tonë me Republikën Federale të Jugosllavisë, ne nisemi nga fakti se të dyja vendet tona po ndërtojnë socializmin, prandaj marrëdhëniet tona duhet të bazohen në respektin e ndërsjellë, bashkëpunimin e mosndërhyrjen”.
Pasi Jugosllavia në këtë kohë nuk i bindej BRSS-së (meqë falë ndihmave të Perëndimit, me Korenë e Jugut po shënonte zhvillimin më të shpejtë në botë), shtohet prezenca ushtarake sovjetike në Shqipëri, kur në Vlorë dërgohen edhe katër nëndetëse tjera, duke e bërë këtë qytet shqiptar si një nga pikat kryesore të flotave ushtarake të Adriatikut, Jonit, por edhe Mesdheut.
Khrushchev e quante Jugosllavinë si “kali i Trojës i imperialistëve”. Ai deklaroi se qëndrimi sovjetik ndaj Jugosllavisë revizioniste ishte ai i vitit 1948. Por, në fakt, bënte lojëra të dyfishta për çka Shqipëria nga ky vit nisi t’i jepte përparësi raporteve të saja me Kinën.
Në vitin 1958, amerikanët përpiluan një raport, ku theksuan se Shqipëria dhe Bullgaria për amerikanët nuk kanë shumë dallime. Ato ishin vendet më të varfra komuniste në Evropë dhe të vetmet me të cilat SHBA-ja nuk kishte marrëdhënie diplomatike. Prandaj, nga këto shtete nxirreshin më së paku informata. Megjithatë, komunizmi ishte aq morbid në Shqipëri, sa që dallimi prapë mbetej i madh, për çka në raport thuhej: “Shqipëria është një dorë të mirë më e vogël dhe më pak e populluar, më e prapambetur në çdo pikëpamje, më e izoluar gjeografikisht nga Moska, më staliniste dhe në marrëdhënie më të acaruara me fqinjët e vet…”! Raporti përmend edhe një fakt tjetër, se pa marrë parasysh sistemin, shqiptarët, për dallim nga fqinjët, kanë paragjykime anti-ruse.
Më 1958 Shkelzen Shala dhe Agim Furtuzi do të bënin një film të shkurtër përmes të cilit synonin të tërhiqnin turistët e huaj. Po këtë vit realizohet filmi i parë artistik shqiptar, “Tana”, me regji të Kristaq Dhamos, me skenar nga Kristaq Dhamo, Fatmir Gjata dhe Nasho Jorgaqi, e muzikë nga Çesk Zadeja. Rolin kryesor, atë të Tanës, e kishte Tinka Kurti. Ndërsa, Stefanin që e dashuronte Tana, e luante Naim Frashëri. Tana e Stefani madje puthen në film.
Ngjarje tjetër që zgjoi kureshtje në Perëndim, ishte vizita që Shqipërisë ia bëri gazetari i ditores britanike “Daily Express”, Sydney Smith. Kjo për faktin se Shqipëria ishte vend i izoluar, ndërsa Britania e Madhe, njëjtë si SHBA-ja, nuk kishte marrëdhënie diplomatike me këtë shtet.
“Kur fëmijët shikojnë një turist, automatikisht të kërkojnë në gjuhën ruse nëse ke një çamçakëz. Por, nëse ti je një anglez, atëherë je një sensacion në Tiranë. Jo vetëm të qënit anglez, por gjithçka angleze, çdo gjë britanike, idetë britanike… janë jashtë harte për këtë vend satelit të mbushur me rubla ruse që e shikon Moskën si qendrën e botës”, ka shkruar ai, duke e quajtur Shqipërinë si dhomë të vogël me pamje të mirë, që është trofe sovjetik dhe një grykë shisheje pranë NATO-s.
Më 1958, Kosova i kishte 890 mijë banorë. Shqiptarët vuanin nga sundimi i Rankoviqit. Sipas disa të dhënave, thuhet se këtë vit 41,000 syresh shpërngulen në Turqi. Po këtë vit u arrestua Adem Demaçi, pak pasi botoi romanin “Gjarpijt e gjakut”. Në gjyqin e tij, ai do të deklaronte: “Nëse Serbia dhe Jugosllavia vazhdojnë me këtë politikë kundër shqiptarëve, nuk do të ketë paqe në Jugosllavi. Nëse Serbia vazhdon me këtë politikë, do të bëhet shkaktare e shkatërrimit të krejt Jugosllavisë dhe, në fund, do të mbetet edhe pa Kosovën”.
Deri në vitin 1958, Kosova kishte 10,690 kilometra katrorë. Këtë vit sipërfaqja e saj shtohet për 197 kilometra tjerë katrorë (Serbia ia merr rrethit të Studeniçanit këtë sipërfaqe dhe ia bashkon rrethit të Zveçanit). Totali i sipërfaqes së Kosovës u bë 10,887 kilometra katrorë.
Viti 1958 ishte vit i avancimit teknologjik të BRSS-së, pasi në orbitë u lansua sateliti i tretë, “Sputnik 3” (dy të parët u dogjën, pasi bien nga orbita). Por, se çfarë tmerri ka sjellë Revolucioni Bolshevik në Rusi, këtë e dëshmoi me librin “Doktor Zhivago”, shkrimtari Boris Pasternak që më 1958 fitoi Çmimin Nobel për Letërsi.
Më 1958 lindin shumë këngëtarë dhe aktorë të mëdhenj. Nga këngëtarët vlen të përmenden: Michael Jackson, Prince, Madonna, Joan Jett, Andrea Bocelli, Bruce Dickinson dhe Kate Bush. Ndërkaq, nga aktorët: Alec Baldwin, Kevin Bacon, Jamie Lee Curtis, Gary Oldman, Michelle Pfeiffer, Sharon Stone dhe Viggo Mortensen.
1968: DEMONSTRATAT, PËR NDRYSHIM…
Viti 1968 është vit i zhvillimeve të mëdha për shqiptarët. Fillimisht, vlen të përmendet Konferenca Albanologjike e mbajtur në Tiranë (17 janar 1968) dhe Simpoziumi shkencor i mbajtur në Prishtinë (9-12 maj 1968), me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ku morën pjesë studiues shqiptarë e të huaj të fushave të historisë, të letërsisë, të gjuhësisë, të folklorit dhe të etnografisë. Pastaj, ishte Konsulta e njësimit të gjuhës shqipe, e mbajtur më 22-23 prill 1968 në Prishtinë, në të cilën u konstatua se si “gjuhë letrare e shqiptarëve në Jugosllavi njihej njëzëri gjuha letrare e shtetit amë (Shqipërisë)”. Pastaj ishin manifestimet e shumta me rastin e 90-vjetorit (qershor 1968) të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të 60-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Po më 1968 nisën diskutimet për ndryshime kushtetuese në Federatën jugosllave, me të cilat parashihej avancimi i statusit të Kosovës.
Pas rënies së Rankoviqit në Plenumin e IV-t të KQ të LKJ-së (i njohur si Plenumi i Brioneve), gjërat nisin të ndryshojnë për të mirë për shqiptarët në Jugosllavi. Nëpër shkolla shtohet kuadri shqiptar, por ende mungonte ai i kualifikuari për çka shumë lëndë vazhdonin të jepeshin në serbisht. Revistat, si “Jeta e re” dhe “Zëri i Rinisë”, botonin shkrime historike, përfshirë ato të historianëve nga Shqipëria. Ndërsa, Redaksia e Botimeve “Rilindja” u kushtonte rëndësi veprave që flisnin për jetën dhe të bëmat e Skënderbeut.
Në këtë vit shmanget emërtimi fyes që serbët e përdorin për shqiptarët, “shiptar” ose “shiftar”, ndërsa në vend të Metohisë nis të përdoret termi Rrafshi i Dukagjinit.
Por, shqiptarët vazhdonin të ishin prapë më të diskriminuarit në Jugosllavi. Kjo ka bërë që të shpërthenin demonstratat për avancimin e të drejtave të tyre kombëtare. Demonstrata e parë u mbajt më 6 tetor 1968 në Prizren, për të vazhduar në tetor, nëntor e dhjetor në qytete tjera të Kosovës, madje në Ulqin, Preshevë e Tetovë.
Parullat që u përdorën në këto demonstrata, ishin: “Rroftë flamuri kuq e zi!”, “Rroftë populli shqiptar!”, “Duam Universitet!”, “Duam barazi!”, “Duam vetëvendosje”, “Askush të mos luajë me fatin tonë”, ”Poshtë politika kolonialiste ndaj Kosovës”, ”Viset e banuara me shqiptarë t´i bashkohen Kosovës”, ”Për të drejtat tona gjak do të derdhim”, ”Në një dorë kazmën e në tjetrën pushkën”, ”Duam Republikë”, “Duam vetëvendosje deri në shkëputje”, “LNÇ-ja nuk na solli lirinë!”, “Duam Kushtetutë!”, “Duam bashkimin e Preshevës me Kosovën!”, “Poshtë burokracia!”, “Poshtë tradhtarët!”, “Poshtë Veli Deva!”, “Rroftë Klasa punëtore!”, “Rrofshin minatorët”, “Rroftë fshatarësia”, “Rroftë rinia”, “Poshtë Fadil Hoxha”, “Rroftë vëllazëria shqiptare”, “Rroftë Adem Demaçi”, “Rroftë Kadri Halimi”, “Duam lirimin e të burgosurve politikë”…
Dhjetëra demonstrues u arrestuan dhe u dënuan; shumë nga ta u plagosën; ndërkaq u vra 17-vjeçari Murat Mehmeti – nxënës i Shkollës së Mesme Teknike në Prishtinë.
Se barazia në Jugosllavi nuk vlente për shqiptarët, këtë e dëshmon shkrimi i gazetares Christine Von Kohl, në ditoren “Die Presse” të Austrisë, më 9 dhjetor 1968, në të cilin serbët thoshin haptas se “të gjithë shqiptarët duhet shpërngulur në Shqipëri”!
Për demonstratat, pala jugosllave kishte akuzuar Shqipërinë si nxitëse. Por, për këto ngjarje nuk kishte ndonjë deklarim e qëndrim të qartë nga pala shqiptare, sidomos për statusin e Kosovës si republikë. Sidoqoftë, demonstratat e vitit 1968 ndikuan që shqiptarët pa frikë ta përdornin flamurin. Pastaj, më 1970 themelohet Universiteti i Prishtinës. Ndërkaq, në vitin 1974 u miratua Kushtetuta e re që Kosovën e bëri pjesë të Federatës jugosllave. Pos kësaj, u përmirësuan edhe raportet Shqipëri-Jugosllavi, me çka u shtuan kontaktet mes krijuesve dhe intelektualëve shqiptarë të të dy anëve të kufirit.
Me këto demonstrata lindi një mit urban, se sa “tolerant” Tito ka qenë. Atëherë, po edhe sot besohet se kur Tito “rastësisht” dëgjoi se shqiptarët kanë çue krye në Kosovë, pyet se çfarë kërkojnë. “Flamurin”, i thonë këshilltarët. “Po ua jepni pra”, ishte “përgjigja” e menjëhershme dhe e lehtë e Titos. Në fakt, ai kishte thënë “studentët kanë të drejtë” për protestat studentore në Beograd, Zagreb, Lubjanë e Sarajevë, që ishin shumë të ndryshme nga ato të shqiptarëve e që kishin të bënin kryesisht me reformat ekonomike që shkaktonin papunësi dhe largime të rinisë për në Perëndim. Kërkesat e studentëve shqiptarë dalloheshin edhe nga kërkesat e studentëve të Perëndimit që më 1968 protestonin për barazi gjinore, sociale, racore, liberalizim, ambientalizëm…
Kosova më 1968 kishte 1,159,000 banorë, ndërsa Shqipëria 2,052,778. Këtë vit lindin Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj.
Kur është fjala te flamuri, duhet theksuar se pas rënies së Rankoviqit, elita politike e Kosovës që më 1967 e kishte iniciuar çështjen e flamurit, madje edhe në takimet që kishin me Titon. Serbët – në krye me Dobrica Qosiqin – në një mbledhje të KQ të LK të Serbisë, i kishin kundërshtuar haptazi diskutimet për rikthimin e të drejtës së përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar, pra edhe të rregullimit të asaj të drejte me ligj dhe me Kushtetutë. Megjithatë, kjo e drejtë u aprovua në një mbledhje të Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Kosovës, më 4 tetor 1968, në Prishtinë. Ilaz Kurteshi, në cilësi të kryetarit të atëhershëm të LSPP-së, në fjalën hyrëse kishte theksuar se përdorimi i lirë i flamurit shqiptar është element i barazisë kombëtare. Në atë mbledhje ishin edhe Fadil Hoxha (asokohe kryetar i Kuvendit të Kosovës), Veli Deva (kryetar i LK të Kosovës), Avdi Bakalli, Ismet Gunga dhe personalitete të tjera të kohës.
Lufta e Ftohtë vazhdonte ta mbante botën të ndarë në bllokun kapitalist dhe në atë komunist. Por, edhe mes bllokut komunist kishte ndarje. Shumica e shteteve ishin satelite të BRSS-së. Dy nga to kishin politika të pavarura – Koreja e Veriut dhe Jugosllavia. Ndërsa, dy shtete tjera kundërshtonin BRSS-në, por i lidhte e njëjta ideologji – Kina dhe Shqipëria.
Më 20-21 gusht 1968, BRSS-ja invadoi Çekosllovakinë, akt të cilin Shqipëria e vogël e dënoi fuqishëm. Mu për këtë, më 13 shtator 1968, Shqiptaria zyrtarisht largohet nga Pakti i Varshavës, ku ishte anëtarësuar më 14 maj 1955.
Lufta e Vietnamit ishte në qendër të zhvillimeve në botë. Në janar 1968 nis Ofensiva Tet që përfshin sulmet e Viet-Kongëve në 100 qytete. Luftimet ishin aq të ashpra sa që gjenerali amerikan William Westmoreland përmendi përdorimin e bombës atomike. Për t’u përkeqësuar situata, u themelua edhe grupacioni komunist Kmerët e Kuq, që financimin kryesor e kishte nga Kina.
Më 1968 nisi ngritja e Saddam Husseinit në Irak, ndërsa Mao Zedongu kërkon riedukim të rinisë urbane në fshatra, përmes lëvizjes: “Lartë në male dhe poshtë në fusha”.
Viti 1968 vlen të përmendet edhe për zhvillimet teknologjike, sepse presidenti amerikan Lyndon B. Johnson kërkon që të gjithë kompjuterët qeveritarë të mbështesnin ASCII-n. Të njëjtën politikë e vazhdoi presidenti republikan Richard Nixon, që në zgjedhjet presidenciale në SHBA të këtij viti, mundi demokratin William Westmoreland.
Këtë vit në kinema jepet premiera e një prej kryeveprave më të mëdha të kinematografisë, “2001: Odiseja hapësinore”, me regji të Stanley Kubrickut. Në BRSS këtë kryevepër kinematografike e konceptuan si garë tjetër mes Lindjes dhe Perëndimit, ndaj më 1972 erdhi “kundërpërgjigja” e tyre me filmin “Solaris” të një gjeniu tjetër të regjisë së filmit – Andrei Tarkovsky.
Më 1968 lindin aktorët: Will Smith, Hugh Jackman, Owen Wilson, Daniel Craig, Josh Brolin… këngëtaret: Celine Dion, Kylie Minogue, Lisa Marie Presley (e bija e Elvisit)… ndërsa vdes njeriu i parë që fluturoi në hapësirë, Yuri Gagarin, dhe pas sulmit me armë edhe fituesi i Nobelit për Paqe, Martin Luther King Jr.
1978: TË MENÇURIT VININ NË SHPREHJE… NË KOSOVË!
Në Shqipëri më 12 nëntor u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Fronti Demokratik – organizatë e Partisë së Punës – si shumë herë më parë, ishte e vetmja forcë që mori pjesë në zgjedhje, duke fituar që të 250 ulëset e Kuvendit. Dalja në votime ishte e 100 për qindtë (1,436,285 shqiptarë me të drejtë vote), ndërsa vetëm tri vota ishin të pavlefshme.
Asgjë e re në Shqipëri! Kryetar i presidiumit të Kuvendit Popullor vazhdonte të ishte Haxhi Lleshi, e kryeministër Mehmet Shehu. “Risia” e vetme ishte që Kina ndërpreu ndihmat ekonomike dhe ushtarake për Shqipërinë, gjë që shtoi mjerimin e shqiptarëve. Pra, s’kishte më miqësi Shqipëri-Kinë.
Nga ndihmat kineze që ishin dhënë më parë, nga Uzina e Traktorit në Tiranë del traktori i parë, të cilin e teston Mehmet Shehu. Gjatë ngasjes ai për pak sa nuk shkel për vdekje disa punëtorë, si për të treguar realitetin morbid në të cilën jetonin shqiptarët e Shqipërisë. Teksa bëhej ky testim, “vëllezërit” e mëparshëm kinezë kishin nisur reformat ekonomike të udhëhequra nga Deng Xiaopingu, rezultati i të cilave shihet sot me ngritjen dhe ndikimin e madh të këtij shteti në ekonominë botërore. Në këtë paradoks, Shqipëria realizoi “dokumentarin” që quhej “Lumja ti moj Shqipëri”, ku figurë qendrore është Enver Hoxha me shokë, në të cilin falsifikohej e kaluara dhe shtrembërohej realiteti i kohës duke glorifikuar komunizmin.
Në ndërkohë, në Kosovën si pjesë të Jugosllavisë, gjërat rrjedhin për së mbari. Universiteti i Prishtinës funksiononte dhe kishte kritere e standard të duhur, pasi të diturit vinin çdo herë e më shumë në shprehje. Kosova krijoi elitë artistike e intelektuale për lakmi, ndërsa injorantët nuk kishin zë e ndikim në shoqëri. Kjo dëshmohet edhe me emrat e mëposhtëm që kishin poste të larta në organet politike.
Me Kushtetutën e vitit 1974, Këshilli Ekzekutiv (apo Qeveria e Kosovës) kishte edhe “Ministrinë e Jashtme” dhe të drejtën e lidhjeve të traktateve me shtetet tjera. Këshilli i parë Ekzekutiv i Kosovës (1974-1978) për kryetar kishte serbin Bogolub Nedelkoviq. Më 1978, kryetar i ri zgjidhet Bahri Oruqi, kurse nënkryetarë ishin: Pajazit Nushi, Riza Sapunxhiu dhe Enver Rexhepi. Ndryshe, sekretar i Sekretariatit Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme (“Ministria e Jashtme”) pranë përbërjes së Këshillit Ekzekutiv, në vitet 1974-1978 ishte Ukshin Hoti (i vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1999, trupi i të cilit ende nuk është gjetur).
Në Kosovë më 1978 u shënua 100-vjetori i Lidhjes së Prizrenit. Derisa më 2018 shënimi i 140-vjetorit të kësaj ngjarjeje të madhe për historinë shqiptare karakterizohet me lëshime protokollare e madje me skandal, më 1978 kryetar i Këshillit për përkujtimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte një intelektual, Pajazit Nushi. Ai e ka mbajtur edhe ligjëratën kryesore në manifestimin ku merrnin pjesë edhe figura të rëndësishme nga Shqipëria.
“Një burrë i kulturuar, i urtë, i mençur”, e përshkruante Nushin gazetari Viktor Meier, i cili më 1978 ishte në Kosovë.
Ky përvjetor do të ketë rëndësi të madhe për ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare në Kosovë.
Më 1978, vlerë të madhe kishte edhe drama e Ekrem Kryeziut, “Epoka para gjyqit”, ngjarjet e së cilës ndërlidhen me Lidhjen e Prizrenit. Në Kosovë ky tekst do të inskenohej si dramë televizive nga Kryeziu, me aktorët: Faruk Begolli, Hadi Shehu, Shani Pallaska, Istref Begolli, Ragip Loxha, Afrim Kasapolli etj. Në Shqipëri, në shfaqjen teatrale do të luajnë: Sandër Prosi, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Ndrekë Luca, Robert Ndrenika, Anastas Kristofori, Xhemil Tagani etj. Regjinë në Shqipëri e ka bërë Pirro Mani, i cili më 1972 në Prishtinë kishte inskenuar versionin më të mirë teatral të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, të bazuar në veprën me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë.
Më 1978 u hap Hoteli Grand në Prishtinë. Ky hotel në maje i kishte pesë yje. Ato yje ende qëndrojnë aty, teksa brenda gjithçka ka degraduar dhe nuk është ndjekur asnjë trend i ri për vlerësimin e objekteve hoteliere (hiç këtu skandalet për privatizimin e tij). Prandaj, 40 vjet më vonë, New York Times do ta shpallë atë për hotelin më të keq në botë.
“Ky hotel është i humbur në kujtimet e të kaluarës së Kosovës”, ka shkruar gazetari Andrew Higgings, teksa ka cituar shkurtazi vlerësimet që për të jepen në internet: “I pështirë”, “katastrofë”, “një tmerr i vërtetë”, “ndoshta më i keqi ku kam qenë ndonjëherë”…
Më 1978, Roman Polanski ik për në Francë, pasi shpallet fajtor për akuzat e marrëdhënies seksuale me një të mitur 13-vjeçare. Që nga ky vit ai do të kërkohet nga drejtësia amerikane. Këngëtarja dhe kompozitorja angleze, Kate Bush, pasi zbulohet dhe mbështetet financiarisht nga kitaristi i grupit Pink Floyd, David Gilmour, lanson singlin “Wuthering Heights”. Dalja në skenë e Kate Bushit do të ndikojë në rrjedhat muzikore, meqë vazhdon të jetë një nga artistet më frymëzuese të skenës pop dhe rok. Nga femrat krijuese të ndikuara nga ajo, vlen të përmenden: Madonna, Adele, Alison Moyet, Bjork, Tori Amos, PJ Harvey…
Këtë vit, prifti Karol Jozef Wojtyla do bëhet Papa Gjon Pali i II-të – kreu i ri i Vatikanit dhe i Kishës Katolike. Roli i këtij polaku do të jetë shumë i madh në shkatërrimin e komunizmit. Po ashtu, do të ndikojë pozitivisht në sensibilizimin e çështjes së Kosovës. Më 1993, bashkë me Nënën Tereze ai e vizitoi Shqipërinë, ndërsa më 2004, presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, do t’ia ndajë Medaljen e Artë të Lirisë.
Më 1978 del video-loja e famshme “Space Invaders” (Pushtuesit e hapësirës). Një industri e re digjitale po merrte hov e me të edhe konceptet ndryshe për përkufizimin e gjeneratave. Sipas studimeve, ata që kanë lindur mes viteve 1960-1980, i takojnë Gjeneratës X; ata që kanë lindur mes viteve 1980-2000, i takojnë gjeneratës Y. Por, profesori i Sociologjisë në Universitetin e Melburnit, Dan Woodman, thotë se kjo ndarje duhet të rishikohet pasi ata që kanë lindur mes viteve 1977-1983 i përkasin mikro-gjeneratës, anëtarët e së cilës quhen ksenialë (Xennials), pasi kanë karakteristikat e Gjeneratës X dhe të Gjeneratës Y (vitet 1980-2000). Pra, janë më të mirët, digjitalo-analogë, dhe më 1978 lindi gjenerata e dytë e tyre.
Ky vit nuk është i mirë për Vatikanin, pasi vdiqën dy papë: Papa Pali i VI-të dhe Papa Gjon Pali i I-rë. Këtë vit vdiqën edhe dy miliarderë: John D MacArthur dhe John D. Rockefeller III. Por, më së keqi e pësuan kompozitorët, sepse më 1978 vdiqën gjithë këta emra: Don Gillis, Robert Heger, Ivan Ivonovich Dzerzhinsky, Marguerite Canal, Vadim Nikolayevich Salmanov, Tolchard Evans, David McKinley Williams, Gino Contilli, Nicolas Nabokov, Russian composer, Ernest Kanitz, Aram Katchaturian, Bjarne Brustad, Theodore Karyotakis, Zoltán Aladár, Michel Gusikoff, Antonio Veretti, Aasan Ferit Alnar, Willem Van Otterloo, Wesley La Violette, Carlos Chavez y Ramires, Franz Alphons Wolpert, Harrison Kerr, Ivan Jirko, Charles Trowbridge Haubiel, Pancho Vladigerov, Tibor Serly, Jacques Brel, Otto Siegl, Howard Swanson…
VITI 1988: “JOGURT REVOLUCIONI”, “SHQIPTARËT E NDERSHËM”, FILLIMI I FUNDIT TË JUGOSLLAVISË DHE DALJA E IBRAHIM RUGOVËS NË SKENËN POLITIKE TË KOSOVËS
Situata nuk ishte e mirë në Kosovë. Sllobodan Millosheviqi nisi të marrë pushtet absolut në Serbi dhe haptas t’i shfaqë planet antishqiptare të hartuara nga Akademia Serbe e Shkencave – për shndërrimin e federatës jugosllave në një krijesë të dominuar nga serbët.
Synimet serbe gjoja fshiheshin prapa të ashtuquajturit Revolucion Antiburokratik, me protesta në vise të ndryshme të Jugosllavisë. Kështu, më 5 tetor 1988, 150 mijë protestues serbë të udhëhequr ndër të tjerët edhe nga hungarezi famëkeq Mihal Kertesh, u mblodhën para Kuvendit të Vojvodinës në Novi Sad. Të nesërmen, e gjithë Kryesia e këtij rajoni jep dorëheqje (Kerteshi më vonë do të deklarojë se ka për t’ua prerë shqiptarëve dy gishtat – tek bënin “V”-në si simbol të paqes dhe demokracisë). Më 7 tetor dështoi plani i tillë në Malin e Zi, por qëllimi do të arrihej më 10 janar 1989. Serbët mësynë Revolucionin Antiburokratik edhe në Slloveni, në rajonin më të pasur të Jugosllavisë, por u ndaluan nga policia sllovene, pak edhe me ndihmën e kroatëve.
Më 17 nëntor 1988, liderët komunistë të Kosovës, Kaqusha Jashari dhe Azem Vllasi, shkarkohen nga Komiteti Qendror i Lidhjes Komuniste të Kosovës (LKK). Ky ishte hapi i parë drejt suprimimit të autonomisë së Kosovës, synim që do të realizohej pak muaj më vonë, më 23 mars 1989, kur serbët do të kenë dominim absolut në shumicën e tetë njësive të Federatës jugosllave (Serbi, Kosovë, Vojvodinë e Mal të Zi, ndërsa Bosnja e Hercegovina e Maqedonia ndonëse nuk ishin nën ndikimin direkt serb, nuk kundërshtonin shumë politikat e Millosheviqit).
Të vetëdijshëm për planet finale të Millosheviqit, minatorët e “Trepçës” ndërmarrin një marsh drejt Prishtinës. Këtij marshi në këmbë, që nisi më 17 nëntor 1988, nga të gjitha anët e Kosovës do t’i bashkohen – deri më 22 nëntor – afro 500 mijë njerëz. Por, protestuesit paqësorë shqiptarë – që mbanin fotot e Titos si dëshmi se nuk janë për shkatërrim të Jugosllavisë, siç pretendonin serbët kur sulmonin Kosovën – ishin të vetmuar. Askush nuk u dilte në ndihmë.
Më 19 nëntor 1988, serbët u mblodhën në Beograd, në vazhdën e protestave që ndryshe i quanin edhe Mitingjet e së Vërtetës, ku Millosheviqi tha: “Do ta fitojmë betejën e Kosovës përkundër pengesave që kemi brenda shtetit dhe jashtë tij. Pra, do të fitojmë përkundër bashkimit të armiqve tanë jashtë dhe atyre nga brenda. Se ky popull do të fitojë betejën e lirisë, kjo është e ditur që nga koha e pushtuesve turq dhe gjermanë”.
Rezistenca shqiptare do të vazhdonte me demonstrata edhe vitin tjetër. Shumë u vranë, shumë u plagosën e u arrestuan. Në Kosovë u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Në krah policëve serbë u dalin edhe forcat speciale nga të gjitha njësitë federative të Jugosllavisë. Secili më i keq se tjetri!
Pas shkarkimit të Jasharit dhe Vllasit, njeriu më i pushtetshëm në Kosovë ishte Remzi Kolgeci, i cili ishte kryetar i Kryesisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Kosovës. Ai masave në Prishtinë, në nëntor 1988, ju thotë: “Nuk mund të bëj asgjë për ju”! Në janar, vendin e tij në krye të LKK-së do ta zinte Rrahman Morina. Më 30 prill 1989, Kolgeci dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Kryesisë.
Nga viti 1988, u rrit numri i shqiptarëve oportunistë që do t’i bindeshin pushtetit të Millosheviqit. Ata më vonë do të quheshin, nga vetë serbët: “Shqiptarë të ndershëm”!
Irritim, zhgënjim, frikë kudo ndër shqiptarë…
Në prill 1988, në Beograd mbahet një takim mes shkrimtarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, nga i cili takim Ibrahim Rugova (kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës), do të nis të identifikohet si luftëtari më i zëshëm për mbrojtjen e kauzës shqiptare në Kosovës.
Në intervistën dhënë revistës “Start”, më 1989, ai do të thotë: “Të shkolluarit janë gjithmonë fajtorë për gjithçka. Ju pengon që inteligjenca shqiptare që për herë të parë shfaqet si tërësi autonome dhe atë në këtë situatë të vështirë. Shfaqen intelektualët dhe rrezikojnë. Mendoj se në këtë fatkeqësi pikërisht kjo është e mirë, ajo shfaqja jonë e pavarur – ndonëse e rrezikshme. Rreziku jonë është kualiteti i ri e ndoshta nuk e teproj të them se është edhe shenjë e pjekurisë sonë”.
Në janar 1988, vdiq në burg Andrija Artukoviqi, bashkëpunëtor i regjimit ustash të Ante Paveliqit – liderit të Kroacisë së pavarur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai u ekstradua në Jugosllavi nga SHBA-ja – ku kishte jetuar që nga viti 1945 – nën akuzat për vrasjen masive të civilëve serbë. U dënua me vdekje, por dënimi nuk u zbatua për shkak të moshës dhe gjendjes së tij shëndetësore. Gjatë ekstradimit, në media u lansuan pamjet e futjes së tij në veturë, ku ai çohet pak dhe ngre kokën lartë. Nga shqiptarët atëherë del barsoleta se në ato momente ai donte të dinte se sa armiq çetnikë serbë i kanë mbetur gjallë. “Ai vendosi vet të kthehet, që të vdes në tokën e tij”, ishte versioni tjetër shqiptar, për fundin e jetës së tij. Në fakt, pushteti komunist jugosllav kishte kërkuar ekstradimin e tij që nga viti 1951, kërkesë që përherë kishte hasur në veshin e shurdhër të amerikanëve.
Ndërkohë, revista franceze “GEO” botoi artikullin: “Shqipëria, shteti më i çuditshëm i Evropës”. Reporteri Edouard Bailby dhe fotografi Michel Setboun kur u futën në Shqipëri përmes Jugosllavisë, nga kufitarët jugosllavë u paralajmëruan me këto fjalë: “Kur të ktheheni, në qoftë se kaloni këtu, ne do t’ju konfiskojmë çdo shkrim të botuar në Shqipëri”. E njëjta vlente edhe në Shqipëri ku u atyre u është thënë: “Materialet e shtypura jashtë Shqipërisë nuk janë të autorizuara të hyjnë në vend. Veçanërisht, prospektet (traktet) mbi Jugosllavinë dhe revistat pornografike”.
Në këtë shkrim zbërthehej Shqipëria e paradokseve. Kjo vërehej sidomos me katër paragrafët e mëposhtëm:
“Nuk ka automjete individuale (të ndaluara ngaqë përfaqësojnë ‘egoizmin borgjez’), por karroca të tërhequra nga demat, tufa me dele, lopë duke u shëtitur, fshatarë duke ecur apo punëtorë me biçikleta, dhe ndonjëherë disa autovetura. As traktorë nuk ka, por disa kamionë dhe xhipa që u përkasin organizmave zyrtarë. Këto automjete zigzagojnë përmes kafshëve dhe këmbësorëve që ecin në mes të rrugës ose anash saj”
“Gjatë rrugës, në hyrje të uzinave, në fasadat e ndërtesave, disa prej tyre të rrënuara, kishte parulla: ‘Lavdi RPSSH’; ‘Përjetë me Enverin’. Ndonjëherë, një shkrim urdhëron qytetarët: ‘Merr librin, kazmën dhe pushkën tënde’. Shqipëria i përket një bote e cila nuk është më ajo e evropianëve të fundshekullit XX. I përket të shkuarës apo të ardhmes? ‘Japonezët nuk kanë përse të vijnë tek ne’, thotë shoqëruesi ynë. ‘Ata vendosin teknologjinë mbi njeriun’! Ky mendim ka lidhje me nacionalizmin të futur në mendje nga Enver Hoxha dhe vullnetin e rezistencës ndaj përparim-zhvillimit të përjetuar nga e gjithë shoqëria perëndimore”.
“Në qytete, në fshatra, nuk kam parë njeri të ngutë hapat. Bota duket sikur rrotullohet me ngadalësi. ‘Relaksohuni’, përsëriste guida jonë. Në fakt, ne kishim ndjenjën sikur të ishim katapultuar në orbitën e një kohe të harruar”.
“Disa fakte mjaftojnë për të treguar që Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë është e veçantë në llojin e saj. Kështu, çmimet nuk janë rritur që prej 1944! Madje, kohët e fundit, çmimi i një kilogrami sheqer ka kaluar nga 10 në 8 lekë. Përsa i përket rrogave, ekzistojnë dy lloje: minimumi 500 lekë në muaj dhe maksimumi 1,000 lekë. S’ka luks, s’ka të privilegjuar dhe as nomenklaturë si në Bashkimin Sovjetik. Toka (prona) i përket shtetit, dhe pothuajse të gjitha banesat. Pajisjet shtëpiake kushtojnë shtrenjtë dhe janë të rralla: 3,000 lekë për një lavatriçe; 4,500 për një televizor. Ndërsa biçikleta, i vetmi mjet udhëtimi individual i pranuar zyrtarisht, kushton rreth 750 lekë secila… Është e vështirë të dallosh në rrugë një punëtor nga një funksionar, një katundar nga një ministër, një fshatar nga një qytetar, madje edhe një ushtar nga një oficer. Tek të gjithë thjeshtësia është rigorozitet”.
Më 1988, Shqipëria kishte 3.19 milionë banorë. Kosova kishte 1.85 milionë banorë.
Një ngjarje e madhe u bë lajm botëror dhe me të lidhej emri i një historiani kontrovers të Kosovës – Hakif Bajramit. Fjala është për implikimet e Kurt Waldheimit – ish-Sekretarit të OKB-së që më 1988 ishte president i Austrisë – në gjoja krime gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më 7 shkurt të vitit 1988, Agjencia Telegrafike Hebraike (JTA), raporton se Waldheim ka marrë pjesë në ekzekutimin e “104 shqiptarëve në Kampin e Prishtinës” më 1944. Por, historianët gjermanë që nisën të hulumtojnë të kaluarën e Waldheimit, nuk mundnin të gjenin dokumentet që e ndërlidhnin atë me këto krime apo deportimin e civilëve të ish-Jugosllavisë në kampet e punës e të vdekjes. Zyra e Waldheimit (Presidenca austriake), siç raportonte JTA, kishte mohuar këto akuza që u publikuan edhe nga javorja gjermane Der Spiegel.
Akuzat vinin pikërisht nga Bajrami, që ishte drejtor i Arkivit të Kosovës dhe kryetar i Komisionit të Historianëve që merreshin me shkrimin e historisë së Partisë Komuniste të Kosovës. Për të thuhej se kishte lejen e Ali Shukriut – “shqiptarit të ndershëm”, komunistit luajal të politikës serbe – për të hulumtuar arkivat e Beogradit. Ndaj, ende ekzistojnë dyshimet se publikimet që ndërlidhen me figurën e Waldhemit, i ishin servuar Bajramit për interesa të politikës së asaj kohe. Se diçka e dyshimtë ishte këtu, dëshmon fakti se Bajrami kishte refuzuar të bashkëpunonte me një komision ndërkombëtar të historianëve, të formuar nga Austria, për të hulumtuar të kaluarën ushtarake të Waldheimit.
Pas tetë vjetësh pushtimi e luftimesh, më 1988 BRSS tërhiqet nga Afganistani. Një nga liderët e forcave të muxhahedinëve që u rezistuan suksesshëm sovjetikëve, Osama bin Laden, do të formonte këtë vit grupin famëkeq terrorist, al-Qaeda. Më 1988 përfundoi lufta Irak-Iran, e cila për tetë vjet sa zgjati, shkaktoi mbi një milion viktima. Por, nuk u ndal lufta mes izraelitëve e palestinezëve. Madje, këto luftime u intensifikuan pasi më 15 nëntor 1988 u shpall shteti i pavarur i Palestinës.
Bllokut Lindor komunist në Evropë iu lëkundën themelet, fillimisht pasi rajoni Nagorno-Karabak kërkoi të ndahej nga Azerbajxhani e të bashkohej me Armeninë. Pastaj, nisën Demonstratat e Qiririt në Bratisllavë të Çekosllovakisë dhe Revolucioni i Këngëve në Estoninë që ishte pjesë e BRSS-së. Për disa analistë, ishte në fakt plani i zhvillimit ekonomik i quajtur Perestrojka, i iniciuar nga kryeministri sovjetik Mikhail Gorbachev, ai që i dha goditjen më të madhe komunizmit.
Më 10 nëntor, terroristët libianë shkatërruan aeroplanin e Pan Am-it mbi territorin e Skocisë, duke lënë mbi 270 të vdekur. Këtë akt terrorist nuk do ta harronin kurrë amerikanët dhe kjo do t’i kushtonte rënd liderit libian, Muammar Gaddafi, i cili dy vjet më parë veç ishte bombarduar nga SHBA-ja e udhëhequr nga presidenti Ronald Reagan (pas sulmit terrorist në një diskotekë të Berlinit, që vizitohej nga ushtarët amerikanë).
Më 1988 lajmërohet virusi i parë (krimb) në kompjuterë, ndërsa Tim Berners-Lee në CERN do të diskutonte konceptin e WWW-së (World Wide Web apo Rrjeti Mbarëbotëror). Koncepti i WWW-së do të jetësohej më 6 gusht 1991 dhe bota më kurrë nuk do të jetë e njëjtë.
Më 1988 u lindën artistet e famshme të së sotmes: Rihanna, Adele dhe Emma Stone
Më 7 dhjetor 1988, një tërmet shkatërrues me magnitudë prej 6.8 shkallë të Rihterit, goditi Armeninë. Numri i viktimave thuhet se arrinte deri në 50 mijë. Pas këtij tërmeti, në Britani të Madhe nisi aktiviteti humanitar i njohur si Rock Aid Armenia. Qëllimi ishte që përmes muzikës të ndihmoheshin viktimat e këtij tërmeti. Në kuadër të këtij aksioni u lansua edhe singli “Smoke on the Water”, i grupit Deep Purple. Kënga e vitit 1972 do të përpunohej nga emrat më të mëdhenj të industrisë së rockut: Bryan Adams, Ritchie Blackmore, Bruce Dickinson, Geoff Downes, Keith Emerson, Ian Gillan, David Gilmour, Tony Iommi, Alex Lifeson, Brian May, Paul Rodgers, Chris Squire, Roger Taylor, John Paul Jones dhe Jon Lord.
VITI 1998: KOSOVA NË FLAKË
Fillimi i vitit 1998 nisi me masakra të tmerrshme në Drenicë. Gjatë luftimeve të 28 shkurtit 1998, në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe forcave serbe, pasi mbetën disa policë të vrarë, pasoi hakmarrja serbe në Likoshan e Qirez ku u vranë dhe masakruan 24 civilë shqiptarë. Ndërkaq, në orët e hershme të mëngjesit të 5 mars 1998, në Prekaz u sulmua sërish familja Jashari. Pas rezistencës disaditore, vëllezërit Adem dhe Hamëz Jashari vriten me 18 anëtarë të tjerë të familjes së ngushtë. Numri i përgjithshëm i të vrarëve nga familja e gjerë shkonte në 56.
Këto ngjarje shënuan kthesën në politikën amerikane kundrejt Kosovës. I deleguari amerikan, Robert Gelbard – i cili më herët kishte nxitur shqiptarët në luftë duke thënë “a po e prisni Supermenin”, ndërsa më vonë nxiti serbët për sulme kur pjesëtarët e UÇK-së i quajti terroristë – do t’i marrë pamjet nga këto masakra dhe do t’ia hedhë Sllobodan Millosheviqit në tavolinë, duke i thënë me tone të ashpra: “Ja çfarë ke bërë”! Emri i Gelbardit do të zhduket shpejt nga rrjedhat në Kosovë, meqë SHBA-ja emëron Christopher Hillin (ambasadorin e tyre në Shkup) si përfaqësues special për Kosovën, në misionin që Henry Kissinger e quante më herët “Shuttle-Diplomacy”.
Viti 1998 është viti kur lufta përhapet në tërë Kosovën. Sulmi i radhës, më 24 mars, ndodhi në Gllogjan. Aktori Sylë Kuçi që përkthente për mediat e huaj, do ta përshkruante “rastësisht” situatën që mbizotëronte në terren. Ai e shoqëronte reporterin Lorent Boussie – i cili ishte i interesuar të vizitonte Manastirin e Deçanit, përkitazi me temën “Bashkëjetesa e manastirit ortodoks (serb) dhe e popullatës shqiptare përreth” – kur papritmas u gjend në zonë lufte.
“Me të arritur në Prelep, dëgjoheshin krismat. Në sheshin e fshatit Irzniq u ndalëm. Meqenëse vetura jonë mbante targa me ‘BG’, fshatarët iknin prej nesh si prej djallit… Dikush na urdhëronte të ndalonim e dikush të afroheshim. Dukej se edhe koha ndaloi. Shikonim vetëm grykat e armëve dhe pritnim kur do të villnin zjarr. Njëri që si dukej ishte epror, u bërtiti: ‘Ne pucajte, imaju beogradsku registrciju!’ (Mos gjuani, kanë regjistrim të Beogradit!). Nga dritarja e djathtë xhiruesi nxori kamerën dhe thirri ‘Francuska televizija, fran…’! ‘Ah, nënën tuaj! Vetëm edhe ju na duheshit” – shfryu njeriu. Na mësynë si bisha. Na nxorën jashtë dhe na mbështetën për veture. Kush mëshonte me grykë e kush me qytë pushke. Më së keqi e pësoi ‘tonisti’. Dikur na i kërkuan dokumentet. Kur morën vesh emrin tim, u tërbuan krejt… ‘Po ti, çka lyp këtu…?’ U thashë se jam përkthyes dhe se për këtë e kam lejen. ‘Jo, jo!’ – thanë – “Je terrorist. Je porositur t’i sjellësh këta këtu…’!
Më vonë Kuçi dhe gazetarët u liruan, me këtë paralajmërim: “Nëse vetëm një fjalë e asaj çka të thashë do të publikohet, të premtoj se do të të zhduk me soj e sorollop! Kuptove?”
“Jo vetëm unë, por edhe francezët e kishin të qartë. Deshi të më thoshte edhe diçka, por fjalët e tija i mori ushtima e helikopterit, i cili ateroi aty pranë. I sollën tre vigj me policë të përgjakur. Për herë të parë shihja policë serbë të plagosur. Çudi! Jo, jo, ndjenjë e çuditshme. Vallë, edhe këta ‘po i merrka’ plumbi? Si duket po, se erdhi edhe një vig. Afër tij – Vula. ‘Naçellnik’ Vula. Thashë: E pat puna! Kur të më vërejë, do të merret me mua personalisht – ashtu, siç e kishte zakon të ‘merrej’ me bashkëqytetarët e vet shqiptarë. Për fat, u hallakatën. Nga një toki-voki thërrisnin në ndihmë. Thonin se po sulmoheshin me bomba. Pasoi një granatim i gjatë. Tërë lagjja u mbulua me tym. Granatimi ende vazhdonte, kur neve na urdhëruan të largoheshim. Xhiruesi Gerek, më këshilloi të shtrihem në dyshemenë e veturës. Më tha se ka mundësi të të gjuajnë me snajper, e pastaj deklarojnë se e kanë vrarë të vetët”, thuhet në shkrim.
Në fakt, serbët janë të prirë të vrasin dhe autorësinë t’ua mveshin të tjerëve. Kështu ndodhi në natën e 14-15 dhjetorit 1998, kur në lokalin “Panda” të Pejës u vranë pesë të rinj serbë. Ndonëse autoritetet e Serbisë të viteve 2010 publikuan të dhënat se ky krim ishte inskenuar nga serbët, më 1998 ata akuzuan shqiptarët për këto vrasje. Dhe, ky krim ishte si pretekst për spastrimin e mëvonshëm etnik të Pejës si dhe për të rekrutuar kriminelët në marshin vrastar kundër shqiptarëve.
Luftime kishte edhe në rrethinë të Pejës, Gjakovës dhe Suharekës e madje edhe në periferi të Prishtinës, kur fshati Bardhi i Madh ra nën UÇK-në, siç do të bien Malisheva dhe Rahoveci. Jakup Krasniqi, i cili më 11 qershor u shfaq publikisht si zëdhënës i UÇK-së, do të deklarojë se në Malishevë – si “kryeqytet” provizor i Kosovës – do të jepeshin letërnjoftimet dhe pasaportat e UÇK-së. Përfaqësues politik i UÇK-së atë kohë ishte Adem Demaçi, ndërsa zëvendës i tij Albin Kurti.
Në korrik 1998 u zhvillua Beteja e Loxhës, një nga më të mëdhatë të vitit 1998. Por, në gusht e shtator nisi ofensiva e madhe serbe gjatë së cilës UÇK humbi kontrollin pothuajse në tërë Kosovën. Pas këtyre ofensivave, tokat mbetën shkrumb e hi, me qindra të vrarë e të masakruar. Brenda Kosovës ishin afro 400 mijë civilë të zhvendosur. Vendin po e kaplonte katastrofa humanitare.
Për masakrat e vitit 1998, të cilat tërhoqën vëmendjen e botës, publicisti anglez Tim Judah do të thotë se nuk ishin më ndryshe nga ato që i përshkruante Edith Durham në fillim të shekullit XX. Pra, ishin tmerr që veç Serbia di ta bëjë!
Gjatë ofensivave, më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme të Drenicës forcat serbe kryen një tjetër masakër të tmerrshme, ku u vranë 23 anëtarë të familjes Deliu e ku fotografia e foshnjës me biberon, Valmirit, trondit tërë botën. Në këtë masakër u vranë tetë fëmijë: Valmiri 18-muajsh, Menduhia 4-vjeçe, Gentiana 5-vjeçe, Donjeta 6-vjeçe, Jetoni 10-vjeç, Antigona 14-vjeçe dhe Mihanja 16-vjeçe (mbi këto të dyja edhe, sipas dëshmive, ishte ushtruar dhunim seksual). Dituria 6-javëshe, që për çudi mbijetoi këtë masakër, vdiq pas ngjarjes.
Sipas disa të dhënave, gjatë periudhës janar 1998-dhjetor 1999, nga të vrarit e të masakruarit në Kosovë, 945 ishin fëmijë: 45 foshnja, 21 ishin 1-vjeçarë, 26 ishin 2-vjeçarë, 24 ishin 3-vjeçarë, 16 ishin 4-vjeçarë, 19 ishin 5-vjeçarë, 23 ishin 6-vjeçarë, 32 ishin 7-vjeçarë, 16 ishin 8-vjeçarë, 28 ishin 9-vjeçarë, 34 ishin 10-vjeçarë, 38 ishin 11-vjeçarë, 43 ishin 12-vjeçarë, 49 ishin 13-vjeçarë, 63 ishin 14-vjeçarë, 68 ishin 15-vjeçarë, 93 ishin 16-vjeçarë, 163 ishin 17-vjeçarë dhe 144 ishin 18-vjeçarë.
Më 1998 Tribunali Ndërkombëtar për Krimet në Ruandë dënoi majorin Jean Paul Akayesu për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Për herë të parë gjyqi ndërkombëtar i cilësoi dhunimet si akt gjenocidi, me qëllim shkatërrimi të një grupi të caktuar. Më 1998 u dhanë dëshmitë e para për dhunimet e vajzave shqiptare nga forcat ushtarake, paramilitare e policore serbe. Por, ky realitet i hidhur kalonte që atëherë në heshtje.
P.sh. në Vraniq, ndonëse kishte dëshmi se në shtator të vitit 1998 forcat serbe kanë dhunuar një grup femrash, ato kanë refuzuar të përgjigjen. “Dukuria e dhunimit duket se ka përmasa më të mëdha se sa ishim të informuar. Kemi mjaft indikacione dhe shumë pak ose aspak dëshmues për dukurinë e dhunimit të femrave. Kuptohet mjedisi i jonë shumë rëndë e përjeton këtë fenomen që vërtet është i rëndë… Mendoj se askush nuk ka pse të ngurrojë për ta treguar të vërtetën, sepse më e rëndë është zhdukja e së vërtetës, se dëshmimi i saj”, ka thënë Pajazit Nushi, kryetar i KMDLNJ-së, më 1999.
Fatkeqësisht, shqiptarët gjatë kësaj periudhe nuk punuan sa duhet në mbledhjen e dëshmive për krimet serbe. Në plot raste ka ndodhur që organizatat vendore për mbrojtje të të drejtave të njeriut të informohen nga Human Rights Watch dhe gjatë përkthimit të bëjnë gabime. P.sh. paragrafi nga serbishtja për vrasjen e Valmir Deliut, “ubili su Valmira” (e vranë Valmirin), është përkthyer se u vra një vajzë me emrin Valmira (siç e kanë lexuar)!
Ndërkohë, Partia Socialiste e Serbisë, e Sllobodan Millosheviqi, miraton një dokument më 14 dhjetor 1998, që kishte të bënte me kolonizimin e Kosovës me refugjatë nga Kroacia dhe nga Bosnja e Hercegovina. “Ka mundësi reale që atyre t’iu ndahet tokë pune, pasi që kemi vërtetuar se në Kosovë ka mbi 44,529 hektarë tokë e cila mund të ndahet për kolonët serbë dhe malazezë”, thuhet në dokument, ku insistohej të bëhej një regjistrim që do të ulte shumë numrin e shqiptarëve. “Bartësit e veprimtarisë separatiste në Kosovë gjithnjë ishin emigrantët nga Shqipëria. Për këtë shkak është e domosdoshme që me regjistrimin e popullatës dhe në mënyra të ndryshme të vërtetohet numri i tyre (emigrantëve – v. j.) dhe që shteti të marrë qëndrim ligjor ndaj tyre. Llogaritet se numri i emigrantëve nga Shqipëria është mbi 400 mijë”.
Ratomir Taniq, anëtar i delegacionit serb në negociatat me shqiptarët e Kosovës, ka pranuar më vonë se kishin plan për pastrimin etnik të Kosovës. Në fakt, gazeta londineze “Times”, më 8 prill 1999 lidhur me planin në fjalë raportonte si vijon: “Qysh në vjeshtë të vitit 1998 CIA kishte informacione për planin me emrin e koduar ‘Operacioni Patkoi’, me synim që për disa muaj të vriste ose të dëbonte shqiptarët.
Fatkeqësisht, në kohën e luftimeve të mëdha me forcat serbe, më 21 shtator në Tiranë do të vritej luftëtari dhe koloneli Ahmet Krasniqi, që ishte ministër i Mbrojtjes i Kosovës. Kjo vrasje e rëndë dhe e pasqaruar deri në ditët e sotme, do të dëmtonte atë që njihet sot si Marrëveshja e Oslos e 21-23 majit të vitit 1998, për bashkërendimin dhe unifikimin e UÇK-së me Forcat e Armatosura të Kosovës (FARK).
“Edhe në Kosovë, në vitet e luftës (1998, 1999) politikanët tanë nuk arritën të mundnin egoizmin e tyre dhe të kuptonin që vetëm së bashku mund t’u përballojnë sfidave të luftës. Po të mos ishin ndërmjetësit amerikanë, politikanët tanë kurrë nuk do të bëheshin së bashku për të shkuar në Konferencën e Rambouilletit”, ka thënë Blerim Shala në një shkrim të tij.
Prandaj, qershori 1998 do të shënonte involvimin e madh amerikan në Kosovë për shpëtimin e shqiptarëve edhe nga vetvetja. Për këtë detyrë u angazhua “Buldozeri” Richard Holbrooke, i cili Kijevën do ta cilësojë si “vendin më të rrezikshëm në Evropë”. Po këtë muaj, më datë 24, ai do të takonte pjesëtarët e UÇK-së, nga ku mbetet i paharruar momenti kur në një odë të Junikut zbathi këpucët kur u fut brenda, e pranë tij me çizme dhe armë rrinte Lum Haxhiu (Hajdin Abazi). Kjo ishte hera e parë që amerikanët pranun UÇK-në si palë në procesin e çështjes së Kosovës. Dhe, ky veprim ishte reagim ndaj hezitimit të Beogradit për të gjetur zgjidhje paqësore dhe për të garantuar të drejtat e shqiptarëve në Kosovë.
Para këtij takimi, Holbrooke ishte ai që kërkoi nga lideri politik i shqiptarëve, Ibrahim Rugova, të takojë presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviq. Ky takim i mbështetur nga amerikanët, do të pasohej me takimin mes presidenti amerikan Bill Clinton dhe Rugovës, në Zyrën Ovale, më 27 maj në Uashington. Në takim me Millosheviqin të pranishëm ishin edhe Fehmi Agani, Mahmut Bakalli dhe Veton Surroi. Takimi në Beograd ishte më shumë dëshmi se shqiptarët janë për zgjidhje paqësore. Ndërsa, dobia ishte vizita në SHBA, ku Bill Clinton i premtoi delegacionit të shqiptarëve të prirë nga Rugova, se “Amerika nuk do të lejojë që në Kosovë të përsëritet Bosnja”. Ky premtim ishte konfirmim i “Vijës së kuqe” që ishte tërhequr për Kosovën nga presidenti George Bush në dhjetor të vitit 1992, e që njihet si “Kërcënimi i Kërshëndellave”, përmes të cilit Serbia paralajmërohej për pasojat nëse nis luftë në Kosovë. Kjo konfirmohet edhe nga kjo e dhënë: më 15 shtator 1998, kur Clinton pyeti gjeneralin Wesley Clark nëse “do të jetë gati të përkujdeset për kosovarët, apo jo…”, Clark ia kishte kthyer: “Po zotëri…”!
Pra, gjërat nisin të ndryshojnë në favor të Kosovës. Përderisa më 2 maj 1998, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s deklarohen për zgjidhje paqësore të problemeve në Kosovë. Më 12 qershor të po të njëjtit vit, ministrat e Mbrojtjes të NATO-s bëjnë me dije se varësisht nga rrjedhat e mëtejme të ngjarjeve, NATO-ja mund të ndërmarrë masa konkrete, përfshirë edhe intervenimin ushtarak.
Një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës ishte ministri i Jashtëm britanik, Robin, Cook, i cili në emër të Grupit të Kontaktit (që u mblodh pas masakrës ndaj Jasharajve) pati bërë përpjekjen e parë, në mars të vitit 1998, të iniciojë procesin e ndërmjetësimit ndërkombëtar. Ndërsa, kryeministri i tij, Tony Blair, ishte një nga nxitësit më të mëdhenj të intervenimit ushtarak të NATO-s. “E kujtoj sot takimin me Rugovën në ‘Downing Street’. Me vete kishte një gur të çmuar që ma dhuroi dhe të njëjtin e mbaj edhe sot. Më foli shumë për Kosovën, nuk bërtiste ishte shumë i urtë dhe më foli me sinqeritetin më të madh. Më luti dhe më tha: ‘Mos lejo që njerëzit e mi të vuajnë në Kosovë’. Unë i premtova se do ta ndihmoj”, ka thënë Blair gjatë vizitës së tij në Prishtinë, më 2010.
Por, të gjitha këto paralajmërime hasën në veshin e shurdhër të regjimit serb. Prandaj, ndodhi ultimatumi i 13 tetorit dhe e ashtuquajtura marrëveshje Holbrooke-Milosheviq, e më vonë edhe Rezoluta 1199 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Me këtë rast, gjenerali Clark ia dorëzoi Milosheviqit memorandumin, në të cilin vihej para zgjedhjes: të ndalonte represionin në Kosovë dhe të lejonte hyrjen e vëzhguesve ndërkombëtarë ose të llogariste në sulmet ajrore të NATO-s. Sipas marrëveshjes, lufta duhej të ndalej. Njëkohësisht kërkohej që forcat e NATO-s të bënin edhe kontrollin ajror të zonës. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, serbëve u lejohej të mbanin pikat ushtarake në Pejë, Prizren, Gjilan, Prishtinë, Mitrovicë e Ferizaj dhe atë numër forcash që ishin të pranishme përpara shkurtit 1998. Në këtë mënyrë, numri i militarëve që do të lejoheshin në Kosovë, arrinte shifrën e 10 mijë trupave të ushtrisë federale dhe 15 mijë të policisë. Në atë kohë, në Kosovë gjendeshin 40 mijë forca ushtarake dhe paramilitare, duke përfshirë edhe trupat e Arkanit. Pos kësaj, në bazë të Rezolutës 1199, precizohej edhe çështja e të gjithë njerëzve në arrest, në cilësinë e pengjeve të luftës. Sipas këtyre dokumenteve, ata do të duhej të liroheshin pa kusht – pos atyre që akuzoheshin për krime lufte, për të cilat kompetent do të ishte Tribunali i Hagës.
Kjo marrëveshje i dha kohë UÇK-së, së dobësuar nga ofensivat e mëparshme, të rigrupohej e të riorganizohej me formimin e brigadave dhe zgjerimin e rezistencës edhe në rajonin e Podujevës, edhe për faktin se trupat serbe nuk u tërhoqën nga Kosova, por vetëm se u spostuan nga një zonë në tjetrën. Dëshmi për këtë është vrasja në pritë – më 2 dhjetor në Prishtinë – e Hyzri Tallës, Afrim Maliqit e Ilir Durmishit. Prandaj, luftimet shpejt rinisën, për të kulmuar në dhjetor.
Mirëpo, këtë herë e vërteta nuk mund të fshihej, sepse sipas marrëveshjes së 13 tetorit, Serbia pranoi formimin e Misionit Verifikues të Kosovës, sipas Rezolutës 1203 të KS të OKB-së, si një mision i OSBE-së që do të keishte 1800 vëzhgues të huaj, në krye të të cilëve ishte William Walker – amerikani që do ta thotë të vërtetën dhe do ta akuzojë Serbinë për krime kundër njerëzimit.
Viti 1998 ishte vit i atentateve. Më 6 shkurt 1998, në Francë, nga dy persona të armatosur vritet Claude Erignac, prefekti i Korsikës; më 12 shtator, në Tiranë vritet një nga themeluesit dhe deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Azem Hajdari; më 19 nëntor, në Shën Petersburg të Rusisë vritet deputetja e dhomës së ulët të Parlamentit rus, Galina Starovoitova; më 10 nëntor 1998, në Jerevan të Armenisë vritet zëvendësministri i Mbrojtjes, Vagram Khorkhoruni. Po këtë vit, një boshnjak i Konjiqit i quajtur Muamer Topalloviq, thotë se kishte planifikuar të bënte atentat ndaj Millosheviqit. Por, plani i tij shpejt dështoi për shkak të gjaknxehtësisë.
“Në rrethinën e Shabacit mora një taksi (tetor). Taksisti mendonte se jam serb i Bosnjës dhe filloi të lavdërohej për numrin e myslimanëve që kishte vrarë në Sarajevë. Më nxori jashtë taktit. Në fund të rrugës i thashë se nuk do të të paguaj, nxora pushkën nga çanta dhe iu kërcënova se do ta vras. Ai kishte shkuar drejt e në polici dhe më kishte lajmëruar”, do të thotë ai më vonë. “Shumë shpejt më rrethoi policia, më arrestoi dhe më dërgoi në stacionin policor. Atje më morën në pyetje plot 24 orë dhe vazhdimisht më rrahën. Nuk u tregova se jam nisur për të vrarë Milosheviqin, por u thashë se jam nisur për në Kosovë. Nuk më besonin. Më rrihnin me shkopinj gome, me duar, me këmbë… Më futën në burg si një kriminel”.
Se serbët nuk i respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare, tregon edhe ky boshnjak që 35 muaj ka vuajtur në burgjet serbe e që në dëshminë e tij ka thënë se në Burgun e Mitrovicës së Sremit ishin 400 shqiptarë të cilit nuk kishin as shtrat për të fjetur.
Shqipëria më 1998 nisi të kaptohej nga kriza e refugjatëve nga Kosova, por edhe nga problemet e brendshme politike dhe ekonomike që kishin tronditur vendin një vit më parë. Kryetar i shtetit ishte Rexhep Meidani, ndërkaq më 2 tetor, Pandeli Majko do të bëhej kryeministër.
Më 1998 vdes këngëtari Falco, aktori Lloyd Bridges, pediatri Benjamin Spock me librin e të cilit “Foshnja dhe përkujdesja për fëmijën” u rrit gjenerata e hipikëve, psikopati Pol Pot i Kamboxhias, që vrau deri në tre milionë banorë të shtetit që udhëhiqte, nobelisti Octavio Paz, aktori Frank Sinatra dhe regjisori Akira Kurosawa. Ndërsa, filmi “Titanic” është i pari film në botë që do të fitonte një miliard dollarë.
2008: REALIZIMI I ËNDRRËS PËR SHTET DHE PUSHTETI QË RRËNON ËNDRRAT PËR JETË
Pothuaj tri vjet pasi nisi procesi për vendosjen e statusit përfundimtar të Kosovës, më 10 nëntor 2005 – kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së aprovoi emërimin e finlandezit Martti Ahtisaarit si përfaqësues special për statusin e ardhshëm të Kosovës (zëvendës i tij ishte Albert Rohan) – i erdhi dita shpalljes së pavarësisë. Duket e çuditshme, por negociatat për pavarësi që zhvilloheshin në Vjenë të Austrisë, mes palës kosovare dhe asaj serbe, zgjatën më pak se ato për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi në Bruksel, që nisën më 2011 e që asgjë me rëndësi nuk i sollën Kosovës deri më 2018 (ato do të vazhdojnë edhe më 2019). Në fakt, negociatat e Vjenës zyrtarisht nisën në korrik 2006 me të ashtuquajturin “Takim i elefantëve” dhe përfunduan në mars 2007. Kaq! Dhe, për këtë mision e disa negocime tjera në konfliktet ndërkombëtare, Ahtisaari po më 2008 do të nderohej me Çmimin Nobel për Paqe.
Sidoqoftë, dita erdhi që Kosova të shpallë pavarësinë. Kjo pavarësi kishte një “bisht” mbas – të ashtuquajturën “Pakoja e Ahtisaarit”. Pavarësia ishte e kushtëzuar dhe nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Nga të këqijat që do t’i bëjnë pushtetarët shqiptarë pas Pavarësisë, del se kjo mbikëqyrje ishte “sa për të qenë”. Por, problem i madh nga Pakoja (siç është edhe sot) mbetej decentralizimi asimetrik dhe krijimi i të ashtuquajturave zona të mbrojtura për pakicën serbe (veriu i Mitrovicës parashikohej të bëhej komunë). Pastaj, mohohej e drejta për referendum, ndërsa serbët kishin vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës dhe të drejtën e votës së dyfishtë, pa të cilën nuk mund të bëheshin ndryshimet kushtetuese për proceset e rëndësishme për Kosovën.
Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, pushtetin e mori Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Kjo parti kishte fituar 34.3 për qind të votave. Qeveria e ardhshme e Kosovës, me kryeministër Thaçin, do të jetë ajo e koalicionit mes PDK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që kishte fituar 22.6 për qind të votave (Aleanca Kosova e Re kishte fituar 12.3 për qind, Lidhja Demokratike e Dardanisë 10 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 9.6 për qind). Kryeministër do të emërohej Hashim Thaçi nga PDK, ndërsa president Fatmir Sejdiu i LDK-së.
Shpallja e pavarësisë u përcoll me probleme mes akterëve politikë, sa që thuhej se kishte ndërhyrje të ashpra nga Zyrat e huaja Ndërlidhëse, sidomos nga ajo e SHBA-së që udhëhiqej nga Tina Kaidanow. Këto probleme do të dilnin në pah më vonë nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Jakup Krasniqi, që thotë se kishte tendencë të personalizohej momenti i shpalljes së kësaj pavarësie. Ndërsa, Sejdiu i LDK-së do të shprehej se Deklaratën e Pavarësisë është dashur ta lexojë Krasniqi e jo Thaçi
Pavarësia u shpall më 17 shkurt të vitit 2008, në Kuvendin e Kosovës, nga Hashim Thaçi pra. Në mbledhje morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë. Deklarata i ka 12 pika. Paragrafi i parë i pikës së parë thoshte: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”. Ndërsa, paragrafi i fundit i pikës së fundit thoshte: “Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre”!
Shtetet e para që do ta pranonin pavarësinë e Kosovës ishin Kostarika dhe Afganistani, të përcjella nga Shqipëria, SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca. 53 shtete e njohën Kosovën më 2008. Për 10 vjet Kosova nuk ia doli të dyfishojë këtë numër të njohjeve. Fatkeqësisht, më 2018 shumë shtete deklarojnë se kanë tërhequr njohjen.
Tre vjet para Pavarësisë, më 2005, në Prishtinë digjen flamujt e Presidencës, apo Flamuri i Dardanisë i konceptuar nga Ibrahim Rugova. Shoqatat e dala nga lufta kanë thënë se kjo është bërë pasi ka ndodhur një provokim “me flamuj personalë”. “I vetmi flamur i shqiptarëve duhet të jetë flamuri aktual kombëtar”, kishte thënë atëherë Faik Fazliu, që ishte kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, del në publik flamuri shtetëror verdh-e-kaltër me gjashtë yje, që ishte konceptuar nga Trim Ibrahimi. Aty nuk kishte as një pikë të kuqe e as të zezë. Për këtë, më 2008, në faqet e forumeve të dikurshme në internet, bëhen sondazhet virtuale për dhe kundër këtij flamuri. Shumica nuk e pëlqenin.
Kushtetuta e Republikës u miratua më 9 prill 2008, ndërsa hyri në fuqi më 15 qershor 2008, kur edhe u bë “transferimi i plotë” i kompetencave prej UNMIK-ut në institucionet vendore. Më 11 qershor 2008 miratohet edhe Himni i Kosovës i kompozuar nga Mendi Mengjiqi. Ky himn, tok me atë të Spanjës, Bosnje dhe Hercegovinës dhe San Marinos, nuk ka tekst.
Pas shpalljes së Pavarësisë, 27 shtete anëtare të BE-së miratuan vendosjen e një misioni jo-ushtarak për sundimin e ligjit, të quajtur EULEX (që vepronte sipas Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara), që për detyrë kishte të zhvillojë sektorin e policisë dhe të drejtësisë në Kosovë. Meqë pavarësia ishte e mbikëqyrur, funksiononte edhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO). Mandati i ICO-s përfundoi në shtator 2012, e ai i EULEX-it vazhdon ende.
Duhet theksuar se misioni i EULEX-it ishte shumë i mirëpritur nga banorët e Kosovës. Sipas tyre, Kosova do të ndihmohej nga BE-ja përparimtare, e jo si më parë nga UNMIK-u që kishte edhe misionarë nga shtetet e varfra e diktatoriale. Duket e çuditshme, por me këtë mision paramendohej integrimi i shpejtë në BE dhe zhvillimi i vendit. Fatkeqësisht, zhgënjimi shpejt do të jetë i madh, sepse pas shpalljes së Pavarësisë zhvillimi më i madh kishte të bënte me korrupsionin (madje, që nga dita e parë e Pavarësisë, me rastin e tenderëve për manifestime e për blerje të flamujve). Kjo ka bërë që të shuhen shpresat e kosovarëve për jetë të dinjitetshme. Shumica nga ata qindra-mijëra të deportuar të cilët pas 11 qershor 1999 (pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Kumanovës) u kthyen në Kosovë nëpër fusha të minuara e shtëpi të rrënuara, sot hulumtojnë rrugët për të ikur nga vendi. “Mirupafshim në Kosovën e lirë”, këndohej dikur. “Do të bëhet mirë… në Perëndim”, thonë sot!
Më 26 mars 2008, Serbia (që mbante strukturat e saj paralele, sidomos në veri të Kosovës, ku nuk shtrihej – që nga paslufta e deri sot – autoriteti i Prishtinës), deklaroi se do të kërkojë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, përkitazi me aktin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. kërkesa zyrtare për këtë u shtrua më 15 gusht 2008, në OKB, nga ministri i atëhershëm i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq. 77 shtete e miratuan kërkesën e tij; gjashtë vota ishin kundër, ndërsa 74 shtete abstenuan. Më 22 korrik 2010, u shpall opinioni këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sipas të cilit “deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”.
Nuk duhet harruar se më 17 shkurt 2008, kundër kësaj pavarësia kanë protestuar serbët në Bosnje dhe Hercegovinë, në Malin e Zi e në Serbi – për disa ditë rresht. Në Beograd protestuesit sulmuan ambasadën sllovene, amerikane dhe kroate… Nga protestat nuk u kursyen as bizneset e huaja e as banorët shqiptarë, kroatët, hungarezë… Dhe, në muajt në vazhdim, Serbia tërhoqi ambasadorët nga shtetet që njihnin Kosovën si shtet të pavarur.
Në fillim të vitit 2008, John Bolton – këshilltari i sotëm për sigurinë kombëtare, i presidentit amerikan Donald Trump – në bashkëpunim me diplomatët Lawrence Eagleburger dhe Peter W. Rodman, u shprehën kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sipas tyre, presidenti George W. Bush nuk duhej të krijonte përplasje me Rusinë përmes Kosovës së pavarur. Por, kërkesa e tyre hasi në vesh të shurdhër. Kosova u bë e pavarur dhe kjo ishte ndër ngjarjet më të mëdha në botë. Këtë e ka thënë më 2008 edhe shefi i diplomacisë gjermane, Frank Walter-Steinmeier.
Kosova, pas 17 shkurtit 2008, për tre vjet rresht do të mbajë një epitet të mirë: shteti më i ri në botë… derisa më 2011 kur shpallet pavarësia e Sudanit Jugor, vit ky kur nisin edhe negociatat e Brukselit, lindin “fusnotat” e “flluskat”, kur rrena në politikën e Kosovës bëhet trend e politikanët shqiptarë “amputohen” nga marrja. Të ligat që u bënë ndaj ëndrrës për liri e pavarësi, nga vetë shqiptarët, do ta shtyjnë grupin Troja që më 2009 ta lansojë këngën “Amaneti i Clownit”, ku ndër të tjera shprehet mllefi – për njerëzit e politikës që ishin dhe fatkeqësisht edhe sot janë me pushtet – me këto fjalë: “Edhe sa vjet duhet me shkue, me i duru k’ta njerz’ që krejt forcën ma kanë marrë… janë këta njerz që vet nuk muj me i nal’”.
Në Shqipëri, në vitin 2008 president ishte Bamir Topi e kryeministër Sali Berisha. Në këtë shtet, më 15 mars 2008 ndodh Shpërthimi i Gërdecit (i deponive të armëve), ku mbeten 26 të vrarë dhe 300 të lënduar. Për këtë tragjedi jep dorëheqje ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Më 2 prill 2008, në Samitin e Bukureshtit, Shqipëria merr ftesën për anëtarësim në Aleancën ushtarake Veriatlantike, në NATO, anëtare e plotë e së cilës do të bëhej një vit më vonë.
Më 23 maj, në një aksident komunikacioni mbetet i vdekur Dritan Hoxha, një nga njerëzit më inventiv në botën shqiptare të mediave.
Bota më 2008 u kaplua nga kriza e dytë më e madhe ekonomike e shekullit XX; një krizë që gjunjëzoi sistemin bankar, që tronditi bursat dhe nxiti ndërhyrje radikale të qeverive në shumë shtete të botës.
Kriza nisi më 2007 në SHBA, me kreditë e tregut të patundshmërive. Huatë ishin të shumta, mundësitë e pakta për t’u larë, çmimi i patundshmërive binte, ndërsa mënyra e konceptimit të kredive ishte e dyshimtë. Kur borxhi nuk shlyhej, bankat nisën të bankrotojnë njëra pas tjetrës. Miliona njerëz humbën kursimet, miliona mbetën në rrugë… Kjo krizë shtyu krijimin e planit amerikan prej 700 miliardë dollarësh për të blerë borxhet e këqija.
Shpejt kriza amerikane e kaloi Atlantikun dhe kaptoi Evropën, për çka plane të njëjta shpëtimi do të ndërmerrnin Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Holanda. Gjendja më e rëndë ishte në Islandë, ku kolaptoi i tërë sistemi bankar. Islanda kërkonte ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, e po ashtu Hungaria e Letonia…
Kjo krizë shtroi dilemën se a duhet qeveritë të ofrojnë ndihmën që si barrë do t’ju mbetet gjeneratave të reja. Ndërsa, në Kosovë lind një barsoletë: “Kriza ekonomike sillet nëpër botën, e në fund kthehet në Kosovë dhe thotë: ‘Shtëpi, e ëmbla shtëpi’”!
Katastrofa të mëdha ndodhin në botë në vitin 2008. Këtë vit do të ashpërsoheshin luftimet në Rripin e Gazës. Nga luftimet u vranë 13 izraelitë e afro 1,500 palestinezë.
Këtë vit nisi lufta mes Rusisë dhe Gjeorgjisë. Pasi separatistët nga Osetia Jugore dhe nga Abkhazia shkelën armëpushimin e vitit 1992, pasoi ndërhyrja e forcave gjeorgjiane në këto rajone pro-ruse. Në ndihmë separatistëve u doli Rusia, që invadoi territorin e Gjeorgjisë. Osetia Jugore dhe Abkhazia shpallën pavarësitë, që do ta pranoheshin veç nga Rusia. Kjo luftë vuri në pah planet ruse për ta rimarrë rolin e dikurshëm të BRSS-së si superfuqia e dytë ushtarake në botë, me sferë ndikimi përtej kufijve shtetërorë. Kjo do të bëhej e ditur disa vite më vonë – pas invadimit në Krime të Ukrainës dhe të dërgimit të trupave ruse në Siri. Prandaj, planet e tilla ekspansioniste shtynë SHBA-në dhe Poloninë që më 2008 të nënshkruajnë marrëveshjen për vendosjen e një pjese të mbrojtjes anti-raketore në territorin polak.
Po këtë vit, BE-ja nisi betejën kundër piratëve somalezë që terrorizonin anijet tregtare dhe të udhëtarëve që kalonin pranë ujërave të këtij shteti afrikan.
Më 2008, Duma e Rusisë zgjodhi për kryeministër personin që ushtronte detyrën e presidentit të shtetit, Vladimir Putinin. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, fitoi koalicioni i Partisë Demokratike të udhëhequr nga Boris Tadiqi. Shkaku i krizës së qeverisë, kryetari ukrainas, Viktor Juscenko, e shpërndau Kuvendin. Ndërsa, socialdemokratët e Borut Pahorit fituan zgjedhjet në Slloveni.
Në Beograd u arrestua ish-lideri i serbëve të Bosnje dhe Hercegovinës, Radovan Karaxhiq, i akuzuar për gjenocid dhe krime lufte. Ai do të ekstradohej në Tribunalin e Hagës, ku më 2008 do të akuzohej edhe ish-zëdhënësja e këtij institucioni ndërkombëtar të drejtësisë, Florence Hartmann, sepse publikoi pjesët e vendimeve të fshehta të Këshillit të Ankesave në lëndën kundër Kasapit të Ballkanit – Sllobodan Millosheviq.
Në qershor 2008, senatorja demokrate Hillary Clinton (bashkëshortja e Bill Clintonit), u tërhoq nga gara e nominimit të kandidatëve demokratë për garën për president të SHBA-së. Me këtë ajo ia hapi rrugën senatorit Barack Obama, i cili në gusht do të bëhej kandidati zyrtar i Partisë Demokratike. Emërimi i afro-amerikanit Obama dhe fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit 2008, paraqet një nga ngjarjet më të rëndësishme në skenën e politikës ndërkombëtare atë vit. Në dhjetor ai bëri publik ekipin për siguri kombëtare, ku ishte Hillary Clinton si sekretare e Shtetit, Robert Gates si ministër i Mbrojtjes dhe gjenerali i pensionuar Jim Jones si këshilltar. Ky ekip ishte lajm i mirë edhe për Kosovën.
Në vitin 2008 ndodhën dy katastrofa të mëdha. Mianmari u përfshi nga një ciklon shkatërrimtar gjatë të cilit u mbytën 130 mijë njerëz. Ndërsa, një tërmet në Kinë mori 90 mijë jetë.
Në vitin 2008 vdiqë aktorët Heath Ledger, Roy Scheider, Charlton Heston dhe Paul Newman; regjisori Sydney Pollack; muzikantët Jeff Healey, Isaac Hayes dhe Richard Wright; politikani slloven, Janez Drnovsek (kryetar i RSFJ-së në vitet 1989-90); politikani amerikan dhe miku i madh i kauzës së shqiptarëve të Kosovës, Tom Lantos; gjeniu i shahut – heroi amerikan që mundi BRSS-në në shah, por që u shndërrua në armik pasi theu bllokadën amerikane kundër Serbisë, Bobby Fischer; fituesi i Nobelit të Letërsisë që dëshmoi tmerret e komunizmit, Aleksandr Solzhenitsyn; shkrimtari i madh i fantashkencës, Arthur C. Clarke; Edmund Hillary – burri që i pari shkeli majën më të lartë në botë – Everestin…
2018: PËRVJETORËT, MBARËKOMBËTARJA, USHTRIA, “KORRIGJIMI”, DEMARKACIONI, LIBERALIZIMI, BOJKOTI, PËRRALLAT, IZOLIMI…
Vitin 2018 e zbërthen më së miri artisti i madh shqiptar, artisti Murat Mehmeti, përmes një karikature të tij: njerëzit me sako futen në një detektor, e dalin cullakë më 2019. Pra, marrja ka dalë në lendinë.
Më 2018 u shënua 10-vjetori i Pavarësisë së Kosovës? Por, çfarë të thuhet për këtë përvjetor, që u festua zbehtë, siç ishte edhe jeta në këto 10 vite? Çka rëndon më shumë në peshoren e sukseseve dhe dështimeve?
Dështimet, thonë shumica.
Dështimet shihen në sistemin arsimor, në sistemin e shëndetësisë, në sistemin e drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit, kundër krimeve ekonomike, në zhvillimin ekonomik, në luftën kundër papunësisë, në rritjen e numrit të njohjeve, në anëtarësimin në institucionet e rëndësishme ndërkombëtare (p.sh. UNESCO, INTERPOL… pse jo OKB… pse jo edhe BE), në lëvizjen e lirë, në perspektivën për të jetuar në Kosovë…
Viti 2018 ishte viti i 550-të i vdekjes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Prandaj, ky vit ishte Viti i Skënderbeut. Më saktësisht, ishte Vit Mbarëkombëtar! Interesant, të gjithë popujt kanë aktivitete kombëtare, e veç shqiptarët mbarëkombëtare.
Por, a mbani mend ndonjë aktivitet nga ky Vit Mbarëkombëtar?
Duket e çuditshme, por në kohë më të këqija, p.sh. në vitin 1968, Skënderbeu është kujtuar më mirë. Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Siç ishte organizuar më mirë, më 1978, 100-vjetori i Lidhjes së Prizrenit. Në fakt, 140-vjetori i kësaj date të rëndësisë së madhe historike, më 2018 u shoqërua me diletantizëm e sjellje të pahijshme. Sidomos kur dihet se çfarë burrash janë mbledhur më 10 qershor 1878. P.sh. një intelektual si Abdyl Frashëri…
Sipas kujtimeve të Tafil Boletinit, kur axha i tij Isa Boletini shkon në Vlorë, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali ia propozon postin e ministrit të Luftës. Por, Isa beu thotë: “Jo, nuk asht ai vend për mua, pse edhe ktu e mrapa kam shumë detyra”. Dhe, ia rekomandoi Mehmet pashë Dërallën… E, një grua që thotë se është pasardhëse e Derallës, krye në vete del te foltorja e kompleksit të Lidhjes së Prizrenit, më 10 qershor 2018, aty ku politikanët “patriotë” nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, po e shënonin këtë ngjarje të madhe kombëtare. Meqë kjo grua nuk dëgjohej, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ia ndez mikrofonin. Kur zëri i saj dëgjohej, çohet kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ia ndërpret fjalimin dhe e largon nga aty…
Më 21 mars, ma në fund o votua Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi. Por, cili kufi u votua dhe cili kufi është kundërshtuar më parë me gaz lotsjellës në Kuvend? Ku janë ndryshimet? Këtë askush nuk e di, por ky votim u cilësua si arritje e madhe e Kosovës, si hap drejt liberalizimit të vizave.
Entuziazmi për liberalizim ishte tepër i madh më 18 korrik, kur Kosova mbetet “shkret” pa krerët e shtetit. Të gjithë shkuan në Bruksel, për të mos mbetur larg meritave, teksa Komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, njofton për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Por, kaloi viti 2018 dhe banorët e Kosovës vazhdojnë të jenë më të izoluarit të kontinentit evropian. Dhe, për këtë u akuzua BE… Sepse, shqiptarët nuk kanë faj!
Më 26 mars, pasi nuk i lejohet hyrja në Kosovë dhe pasi nuk e respekton këtë ndalesë shefi i së ashtuquajtur Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ai arrestohet në veri të Mitrovicës nga njësitet speciale të Kosovës. Gjiriq sillet i lidhur në Prishtinë. Pas Gjuriqit, u paralajmërua se do të ndalohet edhe vizita e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq. Por, ai hyri në Kosovë më 8 shtator, qëndroi dy ditë, dhe provokoi me këtë fjalim në 30-vjetorin e “Jogurt Revolucionit”: “Millosheviqi ishte lider i madh. Qëllimet i kishte më të mirat, por rezultatet i patëm të këqija’.
Nga shumëkush, kjo vizitë e Vuçiqit dhe fjalimi i tij u krahasua me shënimin e 600-vjetori të Betejës së Kosovës, më 28 qershor 1989, kur Sllobodan Millosheviqi tha para qindra-mijëra serbëve të mbledhur në Gazimestan, nga të gjitha anët e ish-Jugosllavisë: “Askush nuk duhet të befasohet se pse Serbia këtë verë ka ngritur kokën për Kosovën. Kosova është qendra e pastër e historisë, e kulturës dhe kujtesës së saj. Çdo komb ka një dashuri që ia ngroh zemrën. Për Serbinë është Kosova”. Në këtë fjalim Millosheviqi paralajmëroi edhe luftën: “Gjashtë shekuj më vonë, këtu, jemi të angazhuar sërish në beteja dhe po ballafaqohemi me beteja. Ato nuk janë beteja të armatosura, ndonëse gjërat e tilla nuk mund të përjashtohen”.
Më 29 mars, deportohen gjashtë turq nga Kosova për në Turqi, të cilët nga regjimi i Recep Tayyip Erdoganit cilësoheshin si “terroristë” të organizatës FETO. Tre zyrtarët më të lartë të shtetit, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, e kryeparlamentari Kadri Veseli, thonë se nuk kanë ditë send për këtë punë. Fatkeqësisht, në Kosovë gjatë tërë vitit do të ketë zhvillime kur zyrtarët shtetërorë do të deklarohet se “për këtë janë informuar nga mediat”!
Sidoqoftë, për skandalin e shtetasve turq shkarkohet drejtori i inteligjencës së Kosovës, Driton Gashi, si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, që kohë më parë mburrej fort për aksionin ndaj Gjuriqit në veri. Në vend të Sefajt, ministër emërohet Bejtush Gashi. Por, as Gashi nuk do ta ketë larg, sepse deputeti i njohur si këndonjës i tallavas, Labinot Tahiri, kishte “kritere” të fuqishme lokaliste: që një ministër i Qeverisë të jetë nga qyteti i tij, Ferizaj. Dhe, ia doli mbanë e ministër u bë anonimi Ekrem Mustafa, i cili ka probleme me lexim, siç kanë shumica e funksionarëve qeveritarë. PISA, bre…!
Negociatat me Serbinë, si me Serbinë… Më 24 qershor, Thaçi dhe homologu i tij serb, Vuçiqi, takohen në Bruksel. Pas takimit Thaçi tha se ky ka qenë “një takim i vështirë, porse palët janë dakorduar që ky proces i bisedimeve të marrë një dinamikë dhe se një marrëveshje përfundimtare është në interes të të dyja vendeve”.
Më 2 gusht, Thaçi paralajmëron “korrigjim” të kufijve. Sipas tij, Kosova nuk do të humbë asgjë, por do ta fitojë Luginën e Preshevës. Askush nuk i besonte, ndaj nisin kundërshtimet e partive opozitare, por edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj. Sepse, “korrigjimi” për ta nënkuptonte humbjen e veriut të Kosovës, madje edhe Liqenin e Ujmanit që ka rëndësi vitale për Kosovën.
Për ta “ndaluar” Thaçin në këtë “korrigjim”, pozita emëron një ekip negociator të cilit do t’i prijnë Fatmir Limaj nga Nisma dhe Shpend Ahmeti nga PSD (më 2018, 12 deputetë ndahen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe marrin në udhëheqje Partinë Socialdemokrate të Kaqusha Jasharit). Këtij ekipi më 2018 nuk i bashkohen LDK dhe Vetëvendosje. Ndërkohë, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mohgerini, kërkon që negociatat të udhëhiqen nga Thaçi, ndërsa presidenti i amerikan Donald Trump, ia dërgon nga një letër Thaçit e Vuçiqit ku kërkon “marrëveshje historike”. Kjo ka shtyrë shumëkënd të dyshojë se mes Kosovës dhe Serbisë, pra mes Thaçit e Vuçiqit, ka pasur negociata sekrete për ndryshimin e kufijve.
“Një dreq i madh ka hy këtu”, do të thoshte famëkeqi që la “fjalë të madhe”, Rrahman Morina.
Më 26 qershor u mbajt në Pejë mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Si në shumë takime të tilla të mëparshme, u thanë shumë fjalë, u dhanë shumë premtime, u shitën shumë poza e shumë patriotizma folklorikë, por… “What the Fuck”, siç tha Edi Rama.
Kjo mbledhje u mbajt pas një vendimi të rëndësishëm nga Qeveria e Kosovës, për taksën prej 100 për qind për produktet nga Serbia dhe nga Bosnje e Hercegovina (përjashtuar brendet ndërkombëtare). Pas këtij vendimi, kryetarët serbë të katër komunave në veri të Kosovës, reaguan duke dhënë dorëheqje nga postet e tyre. Ndaj këtij vendimi reaguan edhe Mogherini dhe Komisioneri Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn. Por, fatmirësisht, taksa nuk u hoq.
E, pos taksës, një tjetër ngjarje me rëndësi për Kosovën e vitit 2018 ishte miratimi – me shumicë absolute nga Kuvendi i Kosovës – i tri projektligjeve për transformimin në ushtri të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ndaj këtij vendimi pati reagime të mëdha nga Serbia, nga ku u dërguan shumë letra drejt shtetarëve të botës (përfshirë Edi Ramën) që të tërhiqet njohja e Kosovës. Por, si shumë herë më parë, për ushtrinë ishin shtetet e forta, me në krye SHBA-në.
Ka zëra që thonë se kompromisi për ushtrinë është sinjal për “korrigjim”. Por, e vërteta do të mësohet më 2019, vit ky kur kosovarët sërish do të shpresojnë se do të bëhet mirë e se do të ndodhë liberalizimi i vizave.
Në botë kishte shumë reagime ndaj spiunëve rusë të maskuar në diplomatë. Shqipëria, më 26 mars, shpall të padëshirueshëm dy “diplomatë” të tillë (100 dëbohen nga 20 shtete). Ky vendimi erdhi pas sulmit me agjent nervor të spiunit të dyfishtë në Britani, Sergei Skripal. Ndërkaq, më 31 mars, në Shqipëri pati protesta nga banorët e Kukësit dhe të zonave përreth, të cilët pranë tunelit Kalimashit në “Rrugën e Kombit”, kundërshtuan tarifën jo të lirë – sidomos për standardin e përgjithshëm shqiptar, e në veçanti për zonat e varfra të veriut – prej pesë eurove për një kalim. Me këtë rast digjen sportelet e pagesave. Për një kohë taksa u hoq, por kjo nuk zgjati për shumë. Shpejt u vendos që për banorët e Kukësit të kenë një “lirim”, ama jo edhe për ata të Kosovës. Sidoqoftë, deklaratat patriotike nuk do të ndalen nga Rama, i cili më 28 nëntor dy shqiptarë të Kosovës i bën ministra të qeverisë së tij.
Më 30 prill, Shqipëria dhe Greqia filluan zyrtarisht negociatat për çështjet e hapura mes dy vendeve, sidomos për kufizimin e zonave detare. Marrëveshje ende nuk ka, ndërsa raportet mes dy vendeve u tensionuan më 28 tetor, kur ekstremisti 35-vjeçar nga Qarku i Gjirokastrës, Kostandinos Kacifas, mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e rendit. Kjo ngjarje shkaktoi reagime të shumta në Greqi, ku u rikthyen ndjenjat antishqiptare. Pas varrimit të Kacifasit, Shqipëria do të shpall persona non grata eurodeputeten Eleni Theocharous. Pos saj, “për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të vendit dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues”, 52 persona tjerë me shtetësi greke u shpallën të padëshiruar.
Viti 2018 është vit i protestave në Shqipëri. Në nëntor nisin protestat e banorëve të Tiranës që kundërshtojnë projektin e ndërtimit të Unazës së Madhe, meqë ky projekt parashikon rrënimin e objekteve të tyre banuese. Ndërsa, më 5 dhjetor, studentët e universiteteve publike të Shqipërisë filluan protestën më të madhe dhe më shpresëdhënëse në vitet e fundit, me tetë kushte – ku kryesoret ishin përgjysmimi i tarifave vjetore të studimeve, përmirësimi i kushteve nëpër konvikte dhe rritja e buxhetit për arsimin! Rama kërkoi “negociata”, por studentët i refuzuan ato. Thjesht, nuk i besojnë më demagogjisë së politikës shqiptare. Ata duan zgjidhje dhe jo llafe. Por, si shumë herë të tjera, Rama e zhvendosi vëmendjen nga problemet reale me vendime të momentit: më 28 dhjetor ai shkarkoi nëntë ministra!
Kur është fjala te Maqedonia, duhet cekur se pas 27 vitesh ky vend zgjidhi kontestin e emrit me Greqinë, me marrëveshje e 17 qershorit që i ndërron shtetit emrin në Maqedonia e Veriut, gjë që mundëson zhbllokimin e proceseve euroatlantike (anëtarësimin në NATO dhe në BE) dhe mbase edhe prosperitetin ekonomik të vendit. Ngjarje tjetër e madhe për këtë vend ishte arratisja në Hungari e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili nga gjykatat e vendit ishte dënuar me dy vjet burg për shpërdorim detyre.
Jo vetëm gjykimi ndaj Gruevskit, por edhe i ish-zyrtarëve tjerë të Qeverisë së tij, kanë qenë po ashtu ndër lajmet kryesore të vitit 2018 në Maqedoni, vend ky i cili më 2019 do të përballet edhe me zgjedhje presidenciale, që nga analistët shihen si test i ri për Qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev, por edhe për partinë opozitare VMRO-DPMNE-në që për lider të ri ka Hristijan Mickoskin.
Ngjarjet kryesore që shënuan botën më 2018 janë: lufta në Siri ende nuk është ndalur, ndërkaq askush nuk e di se çfarë do të ndodhë pas paralajmërimit të presidentit amerikan Donald Trump, për tërheqjen e trupave nga ky vend; në Kinë, Xi Jinping siguron statutin e “presidentit të përjetshëm”; në Rusi, Vladimir Putini zgjedhjet për herë të katërt për president të vendit; Erdogani rizgjidhet president i Turqisë; lideri koreanoverior shkon në Korenë e Jugut për ta takuar presidentin Moon Jae-in (më 2018 ai takon edhe presidentin amerikan); Trumpi tërhiqet nga marrëveshja nukleare me Iranin; Eritrea dhe Etiopia i hapin fund konfliktit 20-vjeçar; zjarret në Greqi marrin jetët e 87 njerëzve; në Konsullatën arabe në Stamboll të Turqisë vritet gazetari Jamal Khashoggi; Franca ballafaqohet me protestat më të mëdha që nga viti 1968…
Më 2018 vdiqën: njeriu që përflitej si më i pasuri në botë – pronari i IKEA-s, Ingvar Kamprad; një nga mendjet më të mëdha të njerëzimit, Stephen Hawking; regjisorët Milos Forman dhe Nicolas Roeg; diplomati anglez i angazhuar në proceset politike në fillim të shpërbërjes së Jugosllavisë komuniste, lordi Peter Carington; ikona amerikane e muzikës shpirtërore (soul), Aretha Franklin; ish-sekretari i OKB-së, Kofi Annan, aktori Burt Reynolds; një nga yjet më të mëdha të shansonave franceze, Charles Aznavour; sopranoja Montserrat Caballe; miqtë e mëdhenj të Kosovës në ditët më të vështira: senatori John McCain dhe ish-presidenti amerikan George Bush.
Më 2018 vdiqën edhe dirigjenti Bahri Çela; gazetari i njohur Ibrahim Rexhepi; regjisori Bekim Lumi; shqiptari që kaloi më së shumti vite në burgjet e ish-Jugosllavisë, Adem Demaçi; legjenda e futbollit të Kosovës – kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, puna e të cilit është meritore edhe për storjen më të suksesshme shqiptare më 2018: Përfaqësuesen e Kosovës në futboll…
2028: DHE…
Gjithçka është e mundur më 2028… në Kosovë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme