Shqiptarët në agjendën evropiane

Megjithëse Brukseli zyrtar deri diku sqaroi se cilat ishin aresyet e vërteta që lanë jashtë marrëveshjes për liberalizim të vizave qeveritë në Tiranë e Prishtinë, debati për këtë çështje vazhdon ende.
Vizita e kryediplomates evropiane Catherine Ashton sikur rikthej edhe një herë opinionin tek pyetjet fillestare se përse vërtetë mbetëm jashtë procesit të liberalizimit, dhe përtej kësaj, pse vetëm deklarativisht ne trajtohemi si pjesë e Evropës, e në anën tjetër qysh në fillimet esenciale të këtij procesi, ne na mungon udhërrëfyesi i liberalizimit të vizave.
Është bërë pothuajse e rëndomtë që takimet zyrtare dhe pastaj edhe në konferenca të përbashkëta për media, zyrtarët e lartë të politikës së Bashkimit Evropian, pa hezitim deklarojnë se Kosova është në agjendën evropiane dhe ajo i përket Evropës.
Thelbësisht, asgjë e jashtëzakonshme dhe diçka që sot nuk e konteston askush. Fakti i transformimit gradual nga niveli i deklaratave në punë praktike, sot po shtrohet si domosdoshmëri jona e përbashkët, por mbi të gjitha kjo gjë duhet reflektuar në kërkesat konkrete të politikës sonë zyrtare.
Standardet e dyfishta evropiane në raport me shqiptarët, qoftë si rezultat i mungesës së optimumit të plotësimit të kushteve, apo si rezultat i mungesës së qëndrimit të unifikuar të bllokut evropian karshi Republikës së Kosovës, assesi nuk duhet lejuar që heshturazi të shndërrohen në standard të veçantë vetëm për shqiptarët.
Gjetjet negative në raportin e progresit që i atribuohen demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, specifikave nga fusha e së drejtës, lirisë dhe sigurisë etj., nuk janë fusha ku institucionet vendore ruajnë ekskluzivitetin e ndërhyrjes së tyre. Jo së paku nga dokumentet dhe marrëveshjet ndërkombëtare mbi bazën e të cilave i është hapë rrugë deklarimit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
Në anën tjetër të qenit në këtë gjendje, qoftë si qytetarë apo si institucione zyrtare shtetërore, nuk na jep të drejtë që përgjegjësinë për dështimet eventuale t’ua hedhim të tjerëve. Përkundrazi. Presioni demokratik qytetar dhe politik mbi instancat e organizmave ndërkombëtar që në njëfar forme gëzojnë monopol, sidomos në fushën e së drejtës dhe sundimit të ligjit, duhet të ndodhë sot.
Nuk janë të pakta raportet, qofshin të organizatave vendore apo atyre ndërkombëtare që njëzëri thërrasin EULEX-in, si organ që ruan të drejtën e ndërhyrjes në disa sfera me rëndësi brenda vendit, të fillojë intensifikimin e operacioneve që synojnë vënien e ligjshmërisë dhe fillimin e procedurave gjyqësore ndaj abuzuesve të “mëdhenj” të ligjit. Fundja vet misioni si tërësi ka për qëllim asistencën ndaj institucioneve vendore dhe përafrimin e vendit me Bashkimin Evropian.
Në këtë kontekst, mungesa e konkretizimit të, fillimisht, procesit të liberalizimit të vizave, e pastaj edhe etapave të tjera të rëndësishme të para anëtarësimit edhe në dy vjet aktivitet dhe shtrirje të EULEX-it në Kosovë, gjithsesi duhet vënë në alarm organizmat vendimmarrës në BE, por mbi të gjitha institucionet shtetërore që janë përfaqësues të vullnetit politik të qytetarëve të këtij vendi.
Askush sot nuk e konteston vullnetin e mirë të qeverisë dhe nismave konkrete dhe shumë pozitive që shpijnë drejt integrimit evropian. Progresin në ndërtimin e infrastrukturës, ngritjen e mirëqenies qytetare, stabilitetin ekonomik, politik dhe institucional. Që të gjithat u shërbejnë pozitivisht qoftë kualitetit të jetës në njërën anë, qoftë plotësimit të standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian në anën tjetër.
Ajo të cilën sot qytetarët e Republikës së Kosovës e kërkojnë me të drejtë është lëvizja e lirë dhe mundësia për të zgjeruar horizontin e veprimtarisë së tyre, jo vetëm në pesë vende, sic ndodhë sot pa viza, por në të gjitha ato vende ku sot, fqinjët e tyre serb, malazez e maqedonas bëjnë lirshëm një gjë të tillë.
Pamjet paradoksale të eksodit klasik të shqiptarëve në Maqedoni, që me kushte minimale për jetesë, si rezultat i persekutimit të tyre kombëtar, mësyjnë perëndimin pa viza, sepse tashmë Maqedonia ka plotësuar kriteret e kërkuara…(?) e as pamjet e njëjta të bashkëkombësve tanë në shtetin serb, vendin me një shkallë të lartë të korrupsionit shtetëror dhe moral, me shkelje shtetërore të të drejtave të njeriut në Preshevë e Bujanoc, nuk të bëjnë të ndihesh aspak mirë.
Në këtë situatë, pyetjet se çka në të vërtet nuk funksionoi tek shqiptarët janë shumë normale. Ndoshta opinionistët kanë të drejtë kur përmendin përkatësinë konfesionale? E ndoshta kanë të drejtë edhe ata që mendojnë se qeveria duhet reformuar sistemin e saj të veprimit? Ajo për të cilën jemi të sigurt të gjithë është fakti se përkatësia jonë evropiane është e pakontestueshme. I pakontestueshëm është edhe përkushtimi evropian për Kosovën.
Trandja si metodë e zgjimit nga gjumi që ka kapluar segmente të caktuara ndërkombëtare në Kosovë, apo ndoshta modifikimi i aktiviteteve për realizimin sa më të shpejtë të synimeve tona nacionale u duhet dhënë prioritet. Mënyra dhe metoda e realizimit të tyre, le të mbetet e hapur…




































