eksperti-banner

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, partitë politike në Kosovë kishin përfshirë në listat e tyre edhe kandidatë nga Lugina e Preshevës dhe Shqipëria.

Megjithatë, me procesin e numërimit që po shkon drejt fundit, asnjëri prej tyre nuk ka arritur të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës.


Në listën e Lëvizjes Vetëvendosje garoi edhe Ragmi Mustafi nga Lugina e Preshevës, i njohur si ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi. Sipas rezultateve aktuale, ai renditet i 97-ti në listën e LVV-së me 5,954 vota, duke mbetur jashtë parlamentit.

Po ashtu, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Kreshnik Çollaku, ishte pjesë e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, si kandidat i propozuar nga presidentja Vjosa Osmani.

Çollaku renditet i 85-ti në listën e LDK-së me 2,022 vota dhe nuk ka arritur të sigurojë mandat deputeti.

Jashtë Kuvendit pritet të mbetet edhe Gjelbrim Halili nga Lugina e Preshevës, i cili garoi në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me numrin 94.

Deri më tani, ai ka siguruar 711 vota, të pamjaftueshme për të fituar një ulëse në legjislaturën e re.

Kështu, përkundër përfshirjes së emrave nga Lugina e Preshevës dhe Shqipëria në listat zgjedhore, asnjëri prej tyre nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës në përbërjen e re./Telegrafi/