“Shqiponjat” nuk i duan maqedonasit e Prishtinës në Pejë

Sipas njoftimit në Facebook, kjo kërkesë vjen për shkak të situatës së krijuar në Maqedoni ditëve të fundit.
“Klubi i tifozëve Shqiponjat i bën thirrje Klubit Basketbollistik Prishtina të mos udhëtojë në Pejë me dy sllavo-maqedonasit, Ilievski dhe Trajkovski, pas situatës së krijuar në Maqedoni”.
“Këta dy persona nuk janë të mirëseardhur në Karagaç derisa djemtë e Pejës, Dukagjinit dhe Kosovës, në mënyrë të padrejtë vriten dhe arrestohen në Maqedoni”.
“Derisa të zbardhet rasti, të sqarohet situata dhe të lirohen të arrestuarit, ne nuk do t'i mirëpresim trajnerin e Prishtinës, Marjan Ilievskin dhe lojtarin Bojan Trajkovski”.
“Shpresojmë të keni mirëkuptim dhe të respektoni kërkesën tonë”, thuhet në një njoftim të Shqiponjave drejtuar KB Prishtinës.
Ndërkohë, drejtori i klubit, Art Gashi, i kontaktuar nga portali Koha.net është treguar i matur në qëndrimin e tij.
“Janë çështje që implikojnë familje të Pejës. Ka të arrestuar në familjet e tifozëve. Nuk mund të dalim kundër qëndrimit të tyre, por Prishtina këta lojtarë i ka nën kontratë. E gjitha çka mund të them si qëndrim i joni është që nuk duam asnjë ekses dhe se kërkojmë nga Policia e Kosovës masa të larta të sigurisë”, ka thënë Gashi. /Telegrafi/



















































