LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria i tregon Perëndimit se si të sillet me Iranin

Shqipëria i tregon Perëndimit se si të sillet me Iranin

Struan Stevenson

Një raport prej 13 faqesh nga Ekipi i Zbulimit dhe Reagimit në kompaninë Microsoft, ka zbuluar se sulmet kibernetike, që kanë dëmtuar këtë vit shërbimet dhe institucionet qeveritare të sigurisë në Shqipëri, ishin vepër e Republikës Islamike të Iranit.


Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009, ndaj pati menjëherë mbështetje të gjerë nga aleatët e NATO-s në mbarë botën, të cilët iu bashkuan dënimit të Iranit për sulmin e  kryer. Raporti i Microsoft-it theksoi se origjina e sulmeve kibernetike ishte drejtpërdrejt në Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) në Teheran. Po ashtu, bëri me dije se regjimi i mullahëve kishte vënë në shënjestër qeverinë shqiptare në shenjë hakmarrje ndaj pranisë në këtë vend të Ashraf 3-shit – shtabit të rezistencës iraniane në emigrim – Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit – MEK – në qarkun e Durrësit, 30 kilometra në perëndim të kryeqytetit Tiranë.

Qeveria shqiptare ra dakord të mirëpresë më shumë se 3 000 disidentë iranianë, kur ata u transportuan me aeroplan në Tiranë në vitin 2016, pas sulmeve të përsëritura dhe vdekjeprurëse në kampet e tyre, Ashraf 1 dhe 2 në Irak, të ndihmuara dhe nxitura nga regjimi iranian. Ashraf 3 u ndërtua nga MEK-u në një tokë bujqësore të pazhvilluar më parë. Ai është zgjeruar gradualisht në një qytezë të vogël. Një samit i madh vjetor në Ashraf 3, ku do të merrnin pjesë liderë politikë të ftuar nga Amerika, Evropa dhe shumë vende të tjera, u anulua nga qeveria shqiptare në momentin e fundit në muajin korrik, kur u zbuluan kërcënimet terroriste dhe kur ndodhi edhe sulmi kibernetik.

Pas zbulimeve të Microsoft-it, kryeministri shqiptar Edi Rama ndërpreu marrëdhëniet me Iranin dhe urdhëroi mbylljen e ambasadës iraniane në Tiranë, duke i dhënë 24 orë kohë stafit diplomatik dhe të sigurisë për t’u larguar nga Shqipëria. Disa agjentë të MOIS-it dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë u arrestuan, ndërsa të tjerët u penguan të hynin në vend.

Akti i qeverisë shqiptare u vlerësua gjerësisht nga Perëndimi. Madje ShBA-ja vendosi sanksione ndaj MOIS-it dhe udhëheqjes së saj, ndërsa NATO dhe Bashkimi Evropian denoncuan sulmin dhe mbështetën lëvizjen e Shqipërisë.

Mbyllja e Ambasadës së Iranit në Shqipëri pasoi dëbimin e mëparshëm të ambasadorit dhe sekretarit të parë iranian në dhjetorin e vitit 2018, pasi një sulm i planifikuar me bombë ndaj MEK-ut u zbulua në kohë nga shërbimet sekrete shqiptare. Komploti terrorist i bëri jehonë arrestimit në Evropë në verën e atij viti të një diplomati iranian, me akuzën e planifikimit të një sulmi me bombë në një tubim masiv të mbështetësve të opozitës iraniane në Paris.

Asadollah Asadi ishte agjent i lartë i MOIS-it. E përdorte mbulesën si diplomat në Ambasadën iraniane në Vjenë, për të planifikuar një sulm terrorist, që nëse do të ndodhte do të bënte kërdinë në tokën evropiane, duke vrarë potencialisht qindra burra, gra dhe fëmijë.

Dëshmitë nga prokurori belg treguan se si Asadi dyshohet se kishte sjellë në Vjenë nga Teherani bombën TATP 550 të montuar në mënyrë profesionale dhe të fshehur në çantën e tij diplomatike, duke ia dhënë më pas atë së bashku me një zarf me 22 000 euro dy bashkëpunëtorëve të tij.

Gjatë gjyqit në Antverp u mësua se Asadi i kishte udhëzuar ata se si të aktivizonin bombën. Një bashkëpunëtor i tretë do të ishte në mitingun e Vilpint si vëzhgues. Të katër personat e akuzuar janë dënuar me vite të gjata burgimi në Belgjikë. Gjyqi ndaj “diplomatit” iranian Assadi ishte vetëm maja e ajsbergut.

Regjimi teokratik i ka përdorur për dekada me radhë ambasadat e tij si celula terroriste dhe si fabrika për prodhimin e bombave, duke kryer sulme me bomba, vrasje, rrëmbime dhe sulme kibernetike në mbarë botën.

Zbulimet nga qeveria amerikane këtë verë se regjimi iranian kishte komplotuar vrasjen e këshilltarit të presidentit Donald Trump për sigurinë kombëtare, John Bolton, dhe ish-sekretarin e shtetit, Mike Pompeo, treguan edhe një herë se si Republika Islamike është si një “kafshë” e rrezikshme dhe e plagosur, që po bën çmos të shpëtojë veten.

Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Shahram Pursafit, një agjent i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, iu ofruan 300 000 dollarë për të “eliminuar” Boltonin. Pursafi është ende i lirë. Por, ndërsa Perëndimi e ka përgëzuar Ramën për qëndrimin e tij të ashpër kundër regjimit kriminal të mullahëve, qeveria belge ka nënshkruar çuditërisht një traktat të ri me Iranin, për të lehtësuar shkëmbimin e të burgosurve.

Me sa duket, të burgosurit me kombësi iraniane në Belgjikë, dhe të burgosurit me kombësi belge në Iran do të shkëmbehen dhe do të lejohen që të kryejnë dënimet e tyre me burg në vendet e tyre përkatëse. Është e qartë se nga këndvështrimi iranian synimi i këtij traktati, do të jetë lirimi i Asadit dhe i tre bashkëpunëtorëve të tij, të cilët do të trajtohen si heronj dhe ndoshta do të promovohen në detyra më rëndësi kur të kthehen në Iran. Lirimi i tyre nga burgu në Belgjikë do të përbënte një tallje të plotë me drejtësinë evropiane, dhe do t’i dërgonte regjimit iranian sinjalin më të qartë se ai mund të kryejë sulme terroriste në Evropë pa u ndëshkuar. Në fakt, iranianët mund të inkurajohen të marrin pengje të tjera evropiane për t’i mbajtur si mjet negocimi për shkëmbimet e ardhshme të të burgosurve.

Ky traktat skandaloz dhe shkëmbimi i të burgosurve duhet të ndalet. Në të vërtetë, BE duhet të marrë shembull nga rasti i Shqipërisë, të urdhërojë mbylljen e ambasadave të Iranit dhe dëbimin e stafit të tyre diplomatik dhe agjentëve të MOIS nga vendet e BE-së.

Ekspozimi i ambasadave të regjimit iranian si qendra të terrorizimit, do të shënonte edhe fundin e përpjekjeve të lëkundura për të rikonfirmuar marrëveshjen bërthamore të Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit që kishte shumë probleme, të firmosur nga presidenti i ShBA-së Barack Obama në vitin 2015, dhe më pas të braktisur në mënyrë të njëanshme nga Trump në vitin 2018.

Përpjekjet e dëshpëruara për të ripërtëritë marrëveshjen janë udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrel, që është kritikuar nga shumë njerëz për qëndrimet e tij të buta ndaj regjimit të mullahëve. /Burimi: “United Press International/Në shqip nga: Bota.al/

Në trend

Më shumë
Pasuria e profesorit të suspenduar Xhevat Krasniqi: Mbi 160 mijë euro para të gatshme, 150 mijë euro pasuri të paluajtshme

Pasuria e profesorit të suspenduar Xhevat Krasniqi: Mbi 160 mijë euro para të gatshme, 150 mijë euro pasuri të paluajtshme

Lajme
Dortmundi

Dortmundi "zbrazë" konton e Real Madridit - skuadra gjermane fiton një tjetër pjesë të shumë nga shitja e Bellingham

La Liga

"O Bes Kallaku", reagimi epik i Xhensilës kur fansat i përmendin ish-partnerin në koncert

Magazina
Presidenca i reagon ashpër Pacollit pasi e quajti provokim veprimin e Osmanit me të mbijetuarat e luftës gjatë seancës në KS të OKB-së

Presidenca i reagon ashpër Pacollit pasi e quajti provokim veprimin e Osmanit me të mbijetuarat e luftës gjatë seancës në KS të OKB-së

Lajme
Shtatë ish-anëtarë të grupit “Çakallët” dënohen për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës

Shtatë ish-anëtarë të grupit “Çakallët” dënohen për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës

Drejtësi

"Serbia po frikëson dhe shantazhon qytetarët e Kosovës"- Qeveria shpalos detaje tjera nga biseda telefonike Kurti-Macron

Lajme
Kalo në kategori