LAJMI I FUNDIT:

Shkrim i vitit 1903, në “The Spectator”: Revolta në Kosovë dhe kërcënimi i paqes evropiane!

Shkrim i vitit 1903, në “The Spectator”: Revolta në Kosovë dhe kërcënimi i paqes evropiane!
Pamje nga Mitrovica më 1903 (foto e gazetarit britanik Henry N. Brailsford)

Shkrim i publikuar më 25 prill 1903, në faqen 22 të revistës britanike “The Spectator” (titulli origjinal: The Albanian Revolt)
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Revolta në Shqipëri – sepse është revoltë – e kërcënon paqen e Evropës shumë më drejtpërdrejt sesa rebelimi në Maqedoni. Malësorët e egër të asaj krahine të madhe, e cila është më e madhe se Uellsi dhe që tani përmban një milion e gjashtëqind mijë njerëz, nga të cilët një milion e dyqind mijë i përkasin fiseve luftarake që ne i quajmë shqiptarë, kanë fuqi rezistence të cilën maqedonasit nuk e posedojnë. Vendi i tyre është po aq malor sa Zvicra dhe më i mbrojtur, sepse është shumë më pak i njohur; të gjithë ata janë të armatosur; dhe me shekuj janë trajnuar që ta konsiderojnë luftën si të vetmen tregti të ndershme.


Ata ia japin ushtrisë turke ushtarët më të mirë dhe rojet më të besueshme për pashallarët turq, ndërsa besohet se kur përkohësisht bashkohen, siç janë tani, mund të vendosin në terren njëqind mijë luftëtarë të mirë të cilët janë të furnizuar si duhet me pushkë dhe me shpata nga tregtarët gjermanë. Nuk është aspak e sigurt nëse turqit, sado e madhe që është ushtria e tyre dhe sado trima që janë ushtarët e tyre, mund t’i nënshtrojnë shqiptarët drejt rendit – pa shpenzimin të cilin Thesari i Kostandinopojës nuk mundet ta sigurojë. Megjithatë, duket e sigurt se duhet bërë përpjekje. Shqiptarët, që gjithnjë janë pak a shumë të pavarur dhe gjithnjë dyshues ndaj turqve, kohët e fundit janë emocionuar shumë nga urdhrat e njohura si reforma dhe betohen haptazi se, sido që të jetë puna, nuk do t’u binden atyre.

Ata dinë pak dhe edhe më pak ua ndien për situatën e Evropës apo për fuqinë e re të Fuqive të Mëdha; vetëm e dinë se për shekuj me radhë i kanë rrahur turqit në kompromise të dobëta, të cilat i kanë lënë të armatosur dhe thuajse të pataksuar, dhe se kur kanë dashur më shumë e kanë marrë atë nga fqinjët më paqësorë përreth. Urdhrat për të mbajtur rendin thjesht i neveritin ata, ndërsa urdhrat për të pranuar të huajt në detyrë dhe për xhandarmërinë ngjallin tek ata furi dyshimi dhe urrejtjeje. Ata, pra, kanë masakruar një pjesë të popullsisë së Ohrit të cilët janë serbë, si paralajmërim për planet e tyre; e kanë vrarë konsullin rus që mbronte armiqtë e tyre në Mitrovicë; dhe, kanë tentuar të vrasin dy gjyqtarë, një hebre dhe një armen, ekzistencën e të cilëve ata e konsideronin si shkelje të privilegjeve të tyre. Dhe, ata, siç besohet, deklarojnë se në të ardhmen nuk do t’u binden të tjerëve dhe nuk do të paguajnë taksat, por do të sillen në të gjitha aspektet sikur Shqipëria është shtet i pavarur të cilin, në të vërtetë, synojnë haptazi për ta bërë kur grindjet e brendshme janë më pak të komplikuara.

Sulltani, ndonëse i shqetësuar shumë nga mosnënshtrimi i fiseve, ndoshta e ka kaluar në heshtje zemërimin e tyre, sepse pallati i tij ruhet nga shqiptarët dhe ka njëzet mijë prej tyre në Kostandinopojë; por, fuqitë fqinje nuk do t’ia lejojnë atij të drejtojë lojën. Subjektet e tyre janë në rrezik, ata nuk mund të ruajnë paqen në Ballkan derisa Shqipëria është nën armë, dhe këmbëngulin që Sulltani të rivendosë rendin. Rusia është e alarmuar për Bullgarinë dhe Maqedoninë, Austria për Bosnjën dhe Italia për çdo rrezik në brigjet e Adriatikut në të cilat ajo pretendon disa të drejta pronësie.

Prandaj, ambasadorët e Rusisë, Austrisë dhe Italisë e kanë paralajmëruar Sarajin Jëlldëz se nuk mund të pranojnë më premtime dhe se, nëse Sulltani nuk do të rivendosë rendin me forcë ushtarake, ata këtë do ta bëjnë këtë, e në këtë rast Madhëria e tij do të humbasë provincat e mbetura evropiane. Sulltani është dorëzuar, rojet e tij shqiptare vëzhgohen nga regjimentet e tjera, trupat e tij aziatike janë vlerësuar në numrin, siç thuhet, e shtatëdhjetë e pesë mijë burrave dhe shqiptarët kërcënohen me pushtim ushtarak. Me sa duket ata mbeten të palëkundur, sepse ende mbajnë disa oficerë të mëdhenj të cilët Sulltani i dërgoi për t’i qetësuar dhe, nëse është e mundur, për t’ju dhënë ryshfet të burgosurve në Pejë, ndërsa zemërimet më të fundit kanë ndodhur qëkur vendimi i Sulltanit u bë i ditur.

Nuk ka asgjë, pra, veç nënshtrimit ndaj kërkesave të shqiptarëve të cilat Fuqitë nuk do t’i lejojnë, ose nisjes së luftës, ndërsa nuk është aspak e sigurt nëse lufta do të përfundojë me fitoren e turkut. Trupat e Sulltanit janë të shumta dhe të guximshme, por ato nuk janë të organizuara mirë për luftë guerile në një provincë malore pa rezerva ushqimore; do të pengohen nga vështirësitë në lidhje me furnizimet dhe do të kundërshtohen nga raca traditë e së cilës është se gjithmonë mundën t’i mundnin turqit. Ka shumë mundësi që osmanët të mposhten, dhe nëse maqedonasit dhe bullgarët do të ngrihen si një njeri i vetëm, dhe në të vërtetë çdo i krishterë në Turqinë evropiane jashtë Kostandinopojës, do të detyrojnë Sulltanin ose të tentojë një masakër të madhe që do t’i nxiste në tërbim të gjithë sllavët, ose të pranojë se nuk mundet të ruajë më rendin në veri të Bosforit.

Çështja lindore atëherë do të hapej me hakmarrje, sepse çdo Fuqi e Evropës Lindore, e madhe apo e vogël – Rusia, Austria, Serbia, Bullgaria, Greqia, madje edhe Mali i Zi – do të donte një copë territori, dhe ata janë shumë xhelozë për çdo përvetësim apo pretendim nga ndonjë fqinj. Edhe nëse, nga ana tjetër, turqit do të arrinin të pushtonin me të vërtetë klanet, asgjë nuk do të zgjidhej, sepse vendi nuk mund të paguajë një garnizon të madh e shqiptarët do të ishin gjithmonë në rebelim të fshehtë dhe fuqitë rreth tyre do të jenë të gatshme për intriga për ndikim dhe në pritje të shpërthimit tjetër kundër Kostandinopojës. Turqit nuk mund të ndryshojnë sistemin e tyre, apo të pajtojnë ndonjë klasë të nënshtetasve të tyre, dhe kur sundojnë janë pothuajse aq të urryer nga çdo fis mysliman që nuk janë të klanit osman, si dhe nga haraçpaguesit e tyre të krishterë.

Me të vërtetë, aq qartë a dallohen këto gjasa në Kostandinopojë, sa thuhet se shumë turq të shquar e këshillojnë Sulltanin që t’i lërë të qetë shqiptarët, të tërheq gjithçka që mundet prej tyre në radhët e veta dhe jo vetëm të shtyp maqedonasit, por të ripushtojë Bullgarinë. Turqia, thonë ata, do të gjente një mbrojtës evropian, mund të krijohej një Pleven i ri dhe në çdo rast Perandoria do të vuante më pak nga një konferencë evropiane sesa nga kryengritja e përgjithshme në Turqinë evropiane që do të pasonte disfatën. Sulltani nuk ka gjasa që pas përvojës së tij në Greqi ta pranojë atë këshillë; por, nuk duhet të harrojmë se drejtimet e dëshpëruara pëlqehen nga shumë turq të mëdhenj, sepse ata e dinë se Perandoria e tyre Evropiane është e dënuar dhe janë të vendosur që nëse do të bjerë, do të bjerë siç u ngrit, në gjak dhe në flakë. Ata jo vetëm që janë miratues, por ata mendojnë se, si myslimanë, sundimi i të gjithëve rreth tyre është me të drejtë i tyre dhe ata nuk do ta pranojnë qëndrimin në një tjetër pozicion.

Është fat i çuditshëm ky i Gadishullit Ballkanik, i një pjese kaq të bukur dhe pjellore të sipërfaqes së tokës. Njerëzit e saj numërojnë gjashtëmbëdhjetë milionë dhe territori i tyre do të mbante tridhjetë në rehati dhe në lumturi. Ata janë të gjithë burra të bardhë, të gjithë mjaft të guximshëm për t’u bërë ushtarë të mirë, dhe të gjithë të mbushur me ide të cilat, nëse lokalizmi dikur do të zhbëhej, do t’i bënin ata të devotshëm për vendin e tyre të përbashkët. Pothuajse të gjithë janë të një besimi, dhe të gjithë janë detyruar, nga rrethanat, të durojnë tolerancën si rregull praktike e jetës. Midis tyre ka shumë njerëz të aftë dhe do të ishte e mundur, nëse fjala është kur të jenë të lirë, të zhduket tundimi gërryes i përfitimit korruptiv, ose në çdo rast nga marrja e ryshfetit si shkelje e rrezikshme. Nuk ka asnjë arsye të shëndoshë pse, po të liheshin më vete, ata nuk do të krijonin një monarki federale aq të sigurt dhe të begatë sa Austria, me shumë pasuri bujqësore dhe zotërim të tregtisë së tokës midis Azisë Perëndimore dhe Evropës Lindore.

Të vendosur në Detin e Zi dhe Mesdhe, ata madje mund të zhvillojnë fuqi detare dhe të bëhen një faktor i rëndësishëm në politikën evropiane. Në sytë e çdo filozofi politik ky do të dukej pozicioni në të cilin i thirr fati i tyre; por, të gjithë e dinë se nuk është gjëja që do të marrin. Edhe sikur xhelozitë dhe urrejtjet e tyre të brendshme të mos pengonin ndonjë kombinim të përhershëm për mbrojtje, Fuqitë e Mëdha në fqinjësinë e tyre nuk do të duronin t’i shihnin të forcoheshin në bashkim dhe paqe. Rusia do të deklaronte se dera e saj ishte mbyllur për të dhe Austria do të pohonte se i është hequr shpresa e vetme për “hisen në zhvillimin modern të pasurisë”; dhe, të dyja do të shpërdoronin ushtritë dhe do të grumbullonin borxhe mbi veten e tyre, në vend që të hiqnin dorë nga mundësia për të sunduar të paktën në njërën anë të Gadishullit. Ujdia e Evropës rrallëherë është dashamirëse, edhe për një qëllim të tillë siç e kemi skicuar. Ujdia nuk mund të krijohet. Pra, lufta duhet të vazhdojë deri në një fund të papërcaktuar si duhet, dhe një tokë vërtet e lavdishme që mund t’i shtohet fushës së qytetërimit evropian, duhet të mbetet në anarki të fshehtë, me një përgjegjësi të përhershme për vrasje që helmon lumturinë e çdo fshati. Është fat i trishtuar, por, siç tregon historia e katërqind vjetëve të fundit, është e qartë se aktualisht nuk ka asnjë shpresë për ndonjë përmirësim të vërtetë. /Telegrafi/