Shkon në gati 2000 numri i të vdekurve në Venezuelë
Dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën javën e kaluar kanë shkaktuar një bilanc tragjik njerëzor dhe dëme të mëdha materiale.
Sipas autoriteteve venezuelase, numri i viktimave është rritur në 1.943 persona, ndërsa mbi 10.500 të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, tha në një adresim për televizionin shtetëror se ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë operacionet në zonat më të goditura, ndërsa autoritetet po punojnë për ofrimin e ndihmës për mijëra familje që kanë mbetur pa strehë.
Sipas “United States Geological Survey”, dy tërmetet me magnitudë 7,2 dhe 7,5 goditën Venezuelën më 24 qershor, duke tronditur një pjesë të madhe të vendit. Lëkundjet u ndjenë edhe në disa shtete fqinje, ndërsa pasgoditjet vazhduan edhe në ditët pas fatkeqësisë, duke vështirësuar operacionet e shpëtimit.
Ndërkohë, studiuesit e NASA kanë publikuar një vlerësim paraprak, sipas të cilit rreth 58.870 objekte – përfshirë banesa, ndërtesa publike dhe infrastrukturë – ka të ngjarë të jenë dëmtuar ose shkatërruar nga dy tërmetet.
Ekspertët paralajmërojnë se dëmet reale mund të rezultojnë edhe më të mëdha, pasi shumë zona të prekura ende nuk janë inspektuar plotësisht.
Autoritetet venezuelase kanë shpallur gjendje emergjente në rajonet më të goditura dhe kanë bërë thirrje për mbështetje kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa mijëra banorë vazhdojnë të qëndrojnë në qendra të përkohshme strehimi, mes frikës nga pasgoditjet dhe vështirësive në sigurimin e ushqimit, ujit dhe shërbimeve bazë. /Telegrafi/




























