Shembjet e dheut dhe gropat, nënshkruhen kontratat e reja nga MIT për mirëmbajtjen e autoudhëve

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka nënshkruar kontrata të reja për mirëmbajtjen e autoudhëve në Kosovë, duke thënë se ato përfshijnë zgjerim të pozicioneve dhe intervenimeve të parapara me synim rritjen e efikasitetit, cilësisë dhe mbulueshmërisë së mirëmbajtjes në rrjetin rrugor.
Sipas njoftimit të ministrisë, angazhimet e para për zbatimin e këtyre kontratave kanë nisur tashmë në terren, ndërsa është paralajmëruar mbikëqyrje dhe angazhim i vazhdueshëm institucional “për të garantuar realizimin e çdo obligimi kontraktual me përpikëri dhe sipas standardeve të kërkuara”.
“Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka nënshkruar kontratat e reja për mirëmbajtjen e autoudhëve… me qëllim të rritjes së efikasitetit, cilësisë dhe mbulueshmërisë së mirëmbajtjes në rrjetin rrugor”, thuhet në njoftim.
Në njoftim theksohet se objektiv i kontratave është ofrimi i shërbimeve konkrete për qytetarët.
“Punë konkrete, investime konkrete dhe shërbim konkret për qytetarët”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Njoftimi i Ministrisë vjen në kohën kur Telegrafi ka raportuar për shqetësimet e qytetarëve lidhur me rrëshqitjen e dheut dhe bllokimin e korsive në disa segmente të autostradës Prishtinë–Prizren, përkatësisht “Ibrahim Rugova”, veçanërisht në hyrje dhe dalje të Suharekës.
Në ankesat e dërguara nga qytetarët, ishte theksuar se në disa segmente “korsi të tëra janë të bllokuara nga dheu dhe mbeturina”, duke e bërë qarkullimin të vështirë dhe, sipas tyre, të rrezikshëm, si dhe duke shkaktuar kolona të gjata në fundjavë.
Më herët, lidhur me këtë çështje, Ministria e Infrastrukturës i kishte thënë Telegrafit se procedura e prokurimit për kontratën për trajtimin e skarpateve ndodhet në shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), por se deri në përfundim të procedurave “do të bëhet largimi i dheut dhe intervenimet e nevojshme përmes kontratave të mirëmbajtjes që janë nënshkruar së fundmi”. /Telegrafi/






















































