LAJMI I FUNDIT:

SHBA u kërkon aleatëve vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Kinës për luftën në Ukrainë

SHBA u kërkon aleatëve vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Kinës për luftën në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë nga aleatët e saj për mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ekonomike ndaj Kinës, nëse Pekini ofron mbështetje ushtarake për Rusinë në luftën e saj në Ukrainë.

Konsultimet, të cilat janë ende në një fazë fillestare, kanë për qëllim që të sigurojnë mbështetje nga vendet e G7-së. Deri më tani nuk është e qartë se çfarë sanksione do të propozojë Washingtoni.


Shtëpia e Bardhë dhe aleatët e saj kanë thënë javët e fundit se Kina po shqyrton dhënien e armëve për Rusinë.

Ata gjithashtu kanë paralajmëruar drejtpërdrejt Kinën që të mos e bëjë këtë, duke përfshirë takimet midis Joe Bidenit dhe presidentit kinez Xi Jinping, si dhe gjatë një takimi personal të 18 shkurtit midis sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe diplomatit të lartë kinez Wang Yi në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Hapat fillestarë të administratës Biden për të kundërshtuar mbështetjen kineze për Rusinë kanë përfshirë kontakte jozyrtare në nivel staf dhe diplomatik, përfshirë Departamentin e Thesarit.

Roli i Kinës në luftën Rusi-Ukrainë pritet të jetë ndër temat kur Biden të takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Shtëpinë e Bardhë të premten.

Javën e kaluar Kina lëshoi një dokument prej 12 pikash që bën thirrje për një armëpushim gjithëpërfshirës që u prit me skepticizëm nga vendet Perëndimore. /Telegrafi/