LAJMI I FUNDIT:

SHBA-ja mposhti Rusinë në një betejë për kontrollin e internetit global

SHBA-ja mposhti Rusinë në një betejë për kontrollin e internetit global

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mposhtur Rusinë në garën për kontrollin e trupit përgjegjës të Kombeve të Bashkuara për formësimin e zhvillimit të internetit global, një garë kjo e parë si simbolik gjeopolitike mes tensioneve të gjera në mes të SHBA-ve dhe Rusisë dhe si një përgjigje ndaj frikës së rritjes të censurës së internetit nga regjime autoritare.

Gjatë së enjtes, anëtarët e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikimit votuan për të emëruar Doreen Bogdan-Martin, kandidate e mbështetur nga SHBA-ja, si sekretare e përgjithshme e grupit.


CNN raporton se Bogdan-Martin, një veterane e UNT prej afro 30 vitesh, e lindur në New Jersey, e mposhti rivalin kryesor, Rashid Ismailov, duke marrë 139 vota nga 172 të mundshme. Ismailov fitoi vetëm 25 vota. Bogdan-Martin do të jetë gruaja e parë që udhëheq me UNT, transmeton Telegrafi.

“Ndihem e përulur dhe e nderuar për zgjedhjen si Sekretare e Përgjithshme e UNT, dhe jam e lumtur për besimin që vendet anëtare ma dhanë mua”, shkroi Bogdan-Martin në Twitter ditën e djeshme.

“Jam e gatshme që të udhëheq një UNT e cila do të inspirojë, përfshijë dhe do të përtërijë, në mënyrë që të gjithë, kudo që të mund të shfrytëzojnë fuqinë digjitale për transformimin e jetëve të tyre”, shtoi tutje ajo.

Zyrtarët amerikanë kanë bërë fushatë të madhe për votimin e Bogdan-Martin, në disa raste duke e përshkruar atë si një pikë kthese për internetin e lirë dhe të hapur – parime që po sfidohen gjithnjë e më shumë nga Rusia dhe Kina teksa ato vende i kufizojnë liritë digjitale të popujve të tyre.

Javën e kaluar, presidenti Joe Biden nxiti vendet anëtare që ta mbështesin Bogdan-Martin, duke argumentuar se udhëheqësia e saj në UNT do të ndihmonte që interneti të bëhej “përfshirës dhe i qasshëm për të gjithë, sidomos për botën në zhvillim”.

Zgjedhjet reflektuan mbi ndasitë e gjera të ideologjisë mbi të ardhmen e internetit, me SHBA-të dhe aleatët e saj që favorizojnë një sistem shumë të ndërlidhur i udhëhequr në mënyrë të barabartë në nivel ndërkombëtar nga vendet anëtare të OKB-së, bizneset, grupet shoqërore civile dhe ekspertët teknik. /Telegrafi/