eksperti ad

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka deklaruar se SHBA-ja synon ta thellojë partneritetin me Kosovën, duke theksuar se mundësitë për bashkëpunim në fusha si mbrojtja, tregtia, investimet dhe energjia janë "të pakufishme".

Gjatë ceremonisë së organizuar për shënimin e 250-vjetorit të shtetësisë së SHBA-së, Prattipati tha se një Kosovë e qëndrueshme dhe prosperuese është në interes jo vetëm të qytetarëve të saj, por edhe të Evropës dhe botës.


"Miqësia mes SHBA-së dhe Kosovës bazohet në vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe besimin se e ardhmja ndërtohet mbi mundësitë dhe sigurinë. Teksa Kosova vazhdon të zhvillohet dhe të integrohet në komunitetin ndërkombëtar, mundësitë për bashkëpunim, veçanërisht në mbrojtje, tregti, investime ekonomike dhe energji, janë të pakufishme. Bizneset amerikane po kërkojnë partnerë të besueshëm, fuqi punëtore dhe tregje konkurruese. Kosova ka potencialin t'i ofrojë të tria", deklaroi ajo.

Deklaratat e diplomates amerikane vijnë në një kohë kur Uashingtoni ka intensifikuar thirrjet që Kosova t'u bashkohet nismave rajonale për gazin e lëngshëm natyror (LNG) amerikan, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë energjetike të vendit.

Megjithatë, Qeveria në detyrë e Kosovës ka theksuar se nuk është kundër LNG-së amerikane, por vlerëson se gazifikimi i thëngjillit paraqet një alternativë më të favorshme sesa furnizimi me gaz të lëngshëm.


Së fundmi, edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë paralajmëruar se refuzimi i projekteve rajonale të LNG-së mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet strategjike mes Kosovës dhe SHBA-së.

Prattipati nënvizoi gjithashtu mbështetjen e ndërsjellë mes dy vendeve, duke theksuar se Kosova ka qenë një partnere e besueshme e SHBA-së në iniciativa ndërkombëtare, përfshirë angazhimin në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese dhe pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, një nismë e presidentit amerikan Donald Trump për zgjidhjen e konflikteve.

"Edhe SHBA-ja qëndron pranë Kosovës. Ne mbështesim përpjekjet për ndërtimin e institucioneve të forta, zhvillimin e një ekonomie që tërheq investitorë dhe krijon mundësi për të gjithë qytetarët", tha ajo.

Në të njëjtën ceremoni, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, shprehu mirënjohjen ndaj SHBA-së për mbështetjen në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke e cilësuar aleancën mes dy vendeve si jetike.

Kosova mbetet një nga partnerët më të afërt të SHBA-së në rajon, ndërsa Uashingtoni vazhdon të mbështesë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, përmes trajnimit, edukimit të personelit dhe furnizimit me pajisje ushtarake. Në të njëjtën kohë, Kosova është edhe vendi ku ndodhet baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan, Bondsteel.