LAJMI I FUNDIT:

Serbia, “e përkëdhelura” e Bashkimit Evropian

Serbia, “e përkëdhelura” e Bashkimit Evropian

Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një hap më “serioz” për integrimin e Ballkanit Perëndimor (BP). Ndoshta, më mirë të thuhet, po tregohet më i afrueshëm dhe miqësor me Serbinë, e cila, për të plotësuar interesat e vetë, luan fort, me “dy karrige” apo më shumë, dhe është në gjendje të destabilizojë rajonin, kryesisht Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë – destabilizimi i të cilave sjell edhe atë të Shqipërisë. Për pasojë, burokratët evropianë, për Serbinë, kanë zgjedhur ofrimin e “karotës” në vend të “kërbaçit” – duke iu referuar metaforës në diplomaci “karota dhe kërbaçi”. (Qasja “carrot and stick” përdoret si një kombinim i shpërblimit me ndëshkimin për përmbushur një objektiv të caktuar. Në këtë rast, Serbisë po i afrohet vetëm karota).

Siç deklaroi presidenti i Komisionit, Juncker, do të adaptohet një strategji për një “perspektivë të besueshme të zgjerimit me Ballkanin Perëndimor”. Faqja zyrtare e BE e konsideron këtë hap “një konfirmim për të ardhmen evropiane të rajonit si një investim gjeostrategjik në një Evropë të stabilizuar, të fortë e të bashkuar, të bazuar në vlera të përbashkëta”. Strategjia përcakton prioritete, si: nevoja për reforma; fqinjësi të mirë mes vendeve të BP; proces i bazuar në merita – në bazë të rezultateve; një plan-veprim me iniciativa të interesit të përbashkët. Komisioni sinjalizon një mundësi hyrjeje të Serbisë dhe Malit të Zi më 2025, dhe vendet e tjera në një moment tjetër të pacaktuar në kohë. Ideja e kësaj platforme është: a) mbajtja gjallë e shpresës së vendeve të BP se kanë vend në familjen evropiane, duke qenë se në këtë rast strategjia theksohet nga fjala “e besueshme”; b) besueshmëria shtohet nga bashkëpunimi me NATO-n për të rritur influencën gjeopolitike në një rajon problematik ku përplasen disa rryma.


Është për t’u theksuar se BE shpall këtë strategji në të njëjtën kohë kur NATO po diskuton gjithashtu procesin e zgjerimit, duke marrë në konsideratë kandidimin e Maqedonisë dhe Bosnjës. Ky sinkronizim i dy institucioneve më të rëndësishme evropiane ka një prapaskenë gjeopolitike, dhe kuptohet se në qarqet drejtuese të Evropës ka rënë kambana e alarmit. Nga njëra anë synohet forcimi institucional i shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe përfshirja e tyre në sistemin evropian politik dhe të sigurisë, dhe nga ana tjetër synohet një reduktim i influencës së Rusisë dhe Turqisë. Të dy këta objektiva janë të vështira për t’u arritur, duke parë përparimin e ngadaltë të vendeve të BP, ndasitë mes tyre, lidhjet politike e historike me Rusinë dhe Turqinë, dhe lojën e këtyre dy fuqive në rajon.

Për të minimizuar dëmet anësore, duket se BE e konsideron të rëndësishme “përkëdheljen” e Serbisë. Ndryshe nga Mali i Zi, të cilit i ofrohet gjithashtu hyrja më 2025, Serbia nuk ka shfaqur interes për përfshirje në NATO, gjë që do të binte ndesh me politikën e saj “me dy karrige” (me Rusinë dhe Evropën). Edhe pse Serbia sfidon haptas me këtë qëndrim, BE dhe NATO shfaqin dobësi për ta detyruar apo për ta tërhequr në suazën e vet.

Edhe procesi i Berlinit parashikon një plan të qartë, me financime për rajonin dhe një afat të qartë për hyrje në BE (viti 2025). Dihet që Serbia ka përfituar një pjesë të majme të financimeve, gjë që nënkupton: a) joshje të saj drejt BE-së; dhe b) largim nga sfera ruse. Nga kjo lojë, Serbia ka përfitime dhe fiton rol dominues në rajon, duke kushtëzuar vendet e tjera, përfshirë Shqipërinë.

Duke vënë Serbinë dhe një shtojcë të saj, Malin e Zi, si pararendëse në dhomën e pritjes, BE ul peshën e hapësirës shqiptare. Perëndimi kënaqet me kontrollin që zotëron në këtë hapësirë, e cila është vazhdimisht në stanjacion. Hapësira shqiptare (Shqipëri, Kosovë në kufijtë të hartave shtetërore, por shkon më tej) nuk e ka kuptuar ashtu si Serbia integrimin në Evropë. Pret ose vonohet, dhe nuk kërkon ose nuk reagon.

Kjo gjë vjen nga dy arsye. Së pari, Serbia kushtëzon rajonin me peshën e saj gjeopolitike, duke e shfaqur këtë pistë – përveç lidhjes me Rusinë – edhe në lojën me Kosovën dhe Bosnjën. Së dyti, Shqipëria dhe Kosova, me gjithë vulnerabilitetin e tyre, nuk e kanë aftësinë për të shpalosur në momente të caktuara si pavarësi ashtu edhe varësi në politikën e jashtme. Kryeministri i Shqipërisë tenton të kopjojë shpesh Serbinë (e cila shfrytëzon lidhjen me Rusinë) kur përmend shfrytëzimin e lidhjeve me Turqinë për kundërpeshë. Këto deklarata për ndryshim kursi të Shqipërisë, janë tepër të mekëta dhe për pasojë bien në vesh të shurdhët.

Përtej lojës së Serbisë dhe “përkëdheljes” së saj nga BE, a e ka kuptuar Perëndimi siç duhet Ballkanin? Në nivel politik, vendet ballkanike janë të gatshme të ndjekin udhëzimet për përmbushjen e detyrave përpara Brukselit, dhe në njëfarë mënyre ta pranojë varësinë prej tij, por duhet parë më thellë. Disa autorë theksojnë dallimin mes “ndërtimit të institucioneve dhe ekonomikeve të forta” dhe “ndërtimit të komeve dhe shoqërive të forta”. Dhe normalisht kombet janë më domethënëse se qeveritë. Fuqi të tilla, si Rusia dhe Turqia në Ballkan, ushtrojnë një politikë “dinake” që njihet si diplomaci publike. Në pikëtakimet e Ballkanit me Rusinë dhe Turqinë nga njëra anë, dhe me Perëndimin nga ana tjetër, gjenden rrënjët e përplasjes.

Këtë e shpjegon qartë autori me reputacion në këtë fushë, Joseph Nye, i cili thekson se “fuqia e butë ka prirjen për të funksionuar tërthorazi, duke përcaktuar mjedisin për politika, dhe shpesh duhen vite për të realizuar rezultatet e dëshiruara”. Nye përcakton tri kategori apo resurse për fuqinë e butë: kultura (në vende ku është atraktive për të tjerët); vlerat politike (kur ato përkojnë me vlerat e vendit tjetër); dhe politika e jashtme (kur të tjerët e konsiderojnë atë të ligjshme dhe me autoritet moral). /Mapo/