LAJMI I FUNDIT:

Sekretarja amerikane e Thesarit thotë se do të ndahen 10 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën

Sekretarja amerikane e Thesarit thotë se do të ndahen 10 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen përpara takimit të liderëve të G20-së tha se Shtetet e Bashkuara po përgatisin një ndihmë ekonomike prej 10 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Yellen përsëriti thirrjet për rritjen e mbështetjes financiare për Ukrainën, për ta ndihmuar atë pas pushtimit rus që filloi një vit më parë.


Ajo gjithashtu ka deklaruar se është me rëndësi kyçe për Fondin Monetar Ndërkombëtar që të “lëvizë shpejt” për të financuar plotësisht programin e kredisë për Ukrainën.

“Siç ka thënë presidenti Joe Biden, ne do të qëndrojmë pranë Ukrainës në luftën e saj – për aq kohë sa të duhet”, është shprehur Yellen.

Ukraina po kërkon një program shumëvjeçar të FMN-së në vlerë prej 15 miliardë dollarësh.

E para e Thesarit amerikan është shprehur se ndihma e mëparshme ushtarake, ekonomike dhe humanitare në shumën totale prej 46 miliardë dollarësh i mundësoi Ukrainës të ruajë stabilitetin ekonomik.

“Muajin e kaluar, të ardhurat e Kremlinit nga nafta ishin pothuajse 60 për qind më të ulëta se menjëherë pas pushtimit”, tha ajo, duke shtuar se kjo i lejoi tregjet në zhvillim, përfshirë Indinë, të negocionin reduktime të thella në naftën ruse. /Telegrafi/