“Hormuzi, territor amerikan”, Irani: Do t’ia shuajmë Trumpit iluzionet

Shtetet e Bashkuara dhe Irani vijojnë të shkëmbejnë deklarata kontradiktore lidhur me Ngushticën e Hormuzit. Presidenti Donald Trump pretendon se, teksa bllokada detare ndaj Iranit mbetet në fuqi, Hormuzi është i hapur dhe funksional.
Duke përgënjeshtruar dhëndrin e tij, Jared Kushner, i cili një ditë më herët tha se bisedimet me Iranin po vijonin, Trump pohoi se mes Uashingtonit dhe Teheranit as nuk janë parashikuar dhe as nuk po zhvillohen bisedime.
“Nuk ka asnjë bisedë apo negociatë që po zhvillohet, ose që është planifikuar të zhvillohet, me Republikën Islamike të Iranit. Bllokada detare mbetet plotësisht në fuqi. Ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe funksionon normalisht. Të gjitha minat detare janë hequr ose janë shpërthyer.”
Në një reagim, kryenegociatori iranian Mohammad Baqer Qalibaf replikoi se Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur dhe do të qëndrojë e tillë derisa SHBA-ja të plotësojë kushtet e marrëveshjes së përkohshme të firmosur në qershor. Marrëveshja 60-ditore skadoi të hënën dhe të dyja palët nuk kanë shprehur vullnetin për ta shtyrë atë.
“Kushtet përfshijnë zhbllokimin e aseteve të ngrira të Iranit, heqjen e sanksioneve ndaj naftës, ndalimin e kërcënimeve dhe operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, si dhe përmbushjen e kushteve të tjera që Amerika ka rënë dakord në kuadër të kësaj marrëveshjeje. Ngushtica nuk do të rihapet.”
Më herët, Presidenti Trump postoi një hartë të Hormuzit në rrjetet sociale, duke e cilësuar atë si “territor të ri amerikan”.
Lidhur me këtë, reagoi zëvendësministri i Jashtëm në Teheran, Kazem Gharibabadi.
Ai deklaroi se iluzionet e presidentit të SHBA-së do të korrigjoheshin së shpejti nga Irani.


































