Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, i cili është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës në kuadër të diskutimeve për zgjedhjen e presidentit.

Kreu i LDK-së pas takimit që ka zgjatur rreth një orë ka thënë se janë dakorduar që të mos takohen më.


Abdixhiku ka thënë se vendi duhet të jetë i përgatitur për zgjedhje të reja nëse nuk arrihet marrëveshje politike, duke theksuar se LDK që nga fillimi ka mbajtur qëndrim të qartë për mënyrën e zgjedhjes së kreut të shtetit.

“Duhet të bëhemi gati për skenarin e zgjedhjeve të reja dhe të jashtëzakonshme. Prej fillimit LDK ka qenë e qartë që presidenti s’duhet të jetë zgjatim i qeverisë. S’mund të ketë një qeveri që ka edhe presidentin e një partie, pra t’i ketë tri institucionet”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se ka bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje, por sipas tij nuk është arritur marrëveshje.

“U përpoqa, provova, por nuk arrita fatkeqësisht. Tani i kthehemi LDK-së dhe misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda partisë”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka kritikuar qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se ka pasur insistim që pozita e presidentit t’i mbetet kësaj partie.

“Insistonte që pozita e presidentit t’i mbetet LVV-së”, është shprehur ai.

Sipas tij, LDK ka refuzuar të diskutojë për emra pa u trajtuar paraprakisht çështja e parimit të zgjedhjes së presidentit.

“Unë refuzova të flasim për çdo tjetër pa trajtuar çështjen e presidentit. S’mund të propozojmë emër për dikë që insiston që kjo pozitë t’i takojë partisë së tij”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se mes LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk është diskutuar asnjë emër konkret, përveç rastit të Glauk Konjufcës, për të cilin LDK ka shprehur kundërshtim për shkak të pozicionit të tij partiak.

“Mes LDK dhe Vetëvendosje nuk është diskutuar asnjë emër përveç Glauk Konjufcës, për të cilin kemi pasur qëndrim që për shkak të pozicionit partiak që mban nuk mund të jetë president i Kosovës”, ka theksuar ai.

Abdixhiku u shpreh se e konsideron të mbyllur këtë çështje për diskutim.

"Unë besoj që me kaq në këto rrethana LDK-ja nuk mund të bëjë më shumë me 15 deputet. E lëmë të hapur diskutimin me partitë tjera janë 7 ditë kohë. Efektivisht LDK-ja do ti kthehet strukturave të veta dhe e konsideron këtë çështje të mbyllur për diskutim nga ky moment", tha Abdixhiku. /Telegrafi/