LAJMI I FUNDIT:

Rusia po e mëson leksionin e vështirë për marrëzinë e luftës

Rusia po e mëson leksionin e vështirë për marrëzinë e luftës
Ilustrim nga: James Ferguson

Nga: Gideon Rachman / Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Vladimir Putini nuk ishte i vetmi që e kishte gabim. Gjerësisht është përhapur supozimi i liderit rus se ushtria e tij brenda disa ditëve do ta mposhtte Ukrainën. Të njëjtat agjenci të inteligjencës perëndimore që parashikuan saktë se Rusia do ta pushtojë Ukrainën, besonin gjithashtu se Putini ndoshta do ta realizonte një fitore të shpejtë.


Por, pothuajse tre muaj pas luftës, ushtria e Moskës është bllokuar dhe ka marrë humbje të mëdha. Izolimi ndërkombëtar i Rusisë po përkeqësohet edhe me konfirmimin se Finlanda dhe Suedia planifikojnë t’ju bashkohen NATO-s.

Tashti shumë po flitet për paaftësinë e ushtrisë ruse. Por, ndoshta nuk kërkohet ndonjë shpjegim i veçantë për problemet e saja. Në kohët moderne, kur fuqitë e mëdha i pushtojnë vendet më të vogla, ato zakonisht përfundojnë duke humbur. Amerika dështoi në Vietnam, në Afganistan dhe në Irak – dhe gjithashtu i pati tërheqjet poshtëruese pas ndërhyrjeve më të vogla ushtarake në Somali dhe në Liban. Bashkimi Sovjetik dështoi në Afganistan; dhe Rusia po dështon në Ukrainë.

Siç vëren studiuesi indian Pratap Bhanu Mehta: “Është një nga misteret e mëdha të politikës ndërkombëtare që, pavarësisht rezultateve të tyre të tmerrshme në fitimin e luftërave asimetrike, vendet e fuqishme vazhdojnë të mendojnë se mund të fitojnë.”

Kina është vendi i fuqishëm që i ka rezistuar tundimit për të bërë luftë gjatë 40 vjetëve të fundit. Kinezëve iu thyen hundët kur e pushtuan Vietnamin në vitin 1979. Që atëherë, Pekini me mend në krye është larguar prej luftërave. Duke u përqendruar në zhvillimin ekonomik, Kina e ka transformuar ekonominë dhe shoqërinë dhe është bërë vendi më i fuqishëm në botë pas ShBA-së.

Megjithatë, gjatë vitet e fundit, qeveria dhe populli kinez kanë shfaqur një dëshirë të veçantë për fushëbetejën. Kina ka derdhur shumë para në ushtrinë e vet. Janë shtuar stërvitjet kërcënuese ushtarake pranë Tajvanit. Filmat e luftës janë rritur në popullaritet dhe me të hyrat në arka.

Megjithatë, përvojat e Rusisë në Ukrainë sugjerojnë se do të ishte gabim katastrofik për Kinën që t’i nënshtrohej tundimit për t’u sprovuar në një luftë të shkurtër dhe të lavdishme. Posa nisin të shtënat, gjërat rrallë shkojnë sipas planit. Historiani Adam Tooze thekson: “Përveç luftërave për çlirim kombëtar, dikush e ka të vështirë të përmend një luftë të vetme agresioni, që nga viti 1914, që ka dhënë rezultate të qarta pozitive për atë që e bëri lëvizjen e parë”.

Njerëzit dhe kombet që mbrojnë vatrat e tyre, janë zakonisht shumë më të motivuar sesa ushtritë pushtuese. Reputacioni i Rusisë për fuqinë ushtarake u krijua në luftërat mbrojtëse kundër Napoleonit dhe Hitlerit. Por, agresor tani është Rusia – dhe janë ukrainasit ata që vendosen në rolin e mbrojtësve heroikë të atdheut, të luajtur nga rusët më 1812 dhe 1942.

Si një vend që lufton për mbijetesë, Ukraina ka qenë në gjendje të këmbëngulë që të gjithë burrat e rritur të rrinë në vend dhe të luftojnë. Rusia ende duhet të pretendojë para popullit se është e përfshirë në një “operacion special ushtarak” që nuk kërkon mobilizim masiv.

Sa më shumë që zgjatë një luftë, aq më e vështirë bëhet ajo për një ushtri pushtuese. Edhe nëse e pushtoni kryeqytetin – siç bënë amerikanët në Irak dhe në Afganistan – ka të ngjarë të përballeni me kryengritjen e vazhdueshme që do të mbështetet me zell nga fuqitë e jashtme.

Një luftë e humbur ka gjithashtu efekte gërryese përbrenda. Mbi 15 mijë trupa dhe kontraktorë amerikanë vdiqën në luftërat në Afganistan dhe në Irak, dhe dyfishi i këtij numri vdiqën më vonë prej vetëvrasjeve. Qindra mijëra u plagosën, me efektet që u përhapën në shoqëri dhe në politikë.

Përjashtimet e pakta nga rregulli – se fuqitë e mëdha i humbin luftërat e vogla – duket se ndodhin kur luftimet dhe objektivat janë qartësisht të kufizuara. Nëse konflikti është me të vërtetë “operacion special ushtarak ” (për ta përdorur termin e pasinqertë të Putinit për pushtimin e Ukrainës), atëherë suksesi është i mundur. Në Luftën e Gjirit të vitit 1991, koalicioni i udhëhequr nga ShBA-ja i kufizoi qëllimet e veta duke i dëbuar prej Kuvajtit forcat e Irakut të Saddam Huseinit. Kur ShBA-ja u përpoq të shkonte përtej, në Luftën e Dytë të Gjirit të vitit 2003 – duke e përmbysur Saddamin dhe duke pushtuar Irakun – plani u shpërbë. Ndërhyrja e suksesshme e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 u bazua në fuqinë ajrore, në mbështetje të kosovarëve.

Ndryshimet në teknologjinë ushtarake tani mund t’i shtojnë më tej shanset kundër një ushtrie pushtuese, siç theksoi së fundmi Max Boot në “Washington Post”. Teknologjia e informacionit dhe dronët mund t’i përcaktojnë me saktësi lëvizjet e një force sulmuese; raketat e drejtuara me precizion mund t’i eliminojnë pastaj ato. Ky ndryshim në teknologji mund të jetë pjesërisht për shkak të humbjeve të rënda të Rusisë në betejat për Kievin dhe në rajonin e Donbasit.

Siç po na mëson Rusia, edhe lufta kundër fqinjit më të vogël e më të dobët mund të shkojë keq. Konfliktet më të mëdha ndjellin fatkeqësi. Edhe fitorja nominale mund ta lë ekonominë dhe shoqërinë në gjendje shkatërruese. Britania doli fituese në Luftën e Dytë Botërore, por kurrë nuk e rifitoi statusin e fuqisë së saj të madhe. Siç ka deklaruar më vonë historiani AJP Taylor: “Megjithëse qëllimi i të qenit Fuqi e Madhe është të jesh në gjendje të bësh Luftë të Madhe, e vetmja mënyrë për të mbetur Fuqi e Madhe nuk është duke e bërë një luftë një të tillë.”

Ky paradoks tani po luhet në tërë Ukrainën. Putini kryesoi me ngritjet ushtarake prej një dekade dhe më pas e nisi luftën për ta rikthyer statusin e Rusisë si fuqi e madhe. Në vend të kësaj, Rusia ka të ngjarë të dalë më e varfër nga lufta në Ukrainë, më e dobët dhe goxha e zvogëluar. Lufta e Putinit nuk është veçse krim. Është gjithashtu gabim. /Telegrafi/