Për gati gjysmë shekulli shoqëria shqiptare ishte e mbështjellë me “këmishën e hekurt” të luftës së klasave, duke e konsideruar atë sipas paradigmës marksiste si motor për të prodhuar dhe garantuar energjitë e nevojshme, për të mbajtur në këmbë diktaturën e proletariatit, këtë armë të përbindshme që masakroi në mënyrë të ashpër, linjë biologjike, ideologjike e gjenealogjike me mijëra njerëz. Të fajshëm dhe të pafajshëm. Një luftë e cila solli plagë të thella sociale e fatkeqësi individuale të pafundme. Një luftë totale që e ndau shoqërinë në dy kampe të mëdha klasore: “Ne dhe Ata”. Një betejë sociale dhe klasore, personale dhe impersonale, e organizuar dhe kaotike, e orientuar por dhe aksidentale.

Padyshim, ky model barbar i luftës klasore i projektuar në mënyrë dogmatike nga “mjeshtrat” klasikë të marksizmit, në shoqërinë shqiptare dhe që u aksentua me një ritëm social tejet agresiv e këmbëngulje të verbër dogmatie, pushoi së vepruari pas përmbysjes së socializmit totalitar. Tranzicioni i gjatë e gjeti shoqërinë në anomali sociale, me njeriun të kthyer në një qenie të zhveshur nga cilësitë individuale, të reduktuar në “njësi sociale” numerike, apo më saktë, në një “gur” inert të vendosur në rresht në “godinën madhështore” të shoqërisë socialiste. Kjo tashmë i përket së kaluarës. Por duket se ne po jetojmë në një shoqëri të re, në thelb demokratike por jo pa “luftë”. Sigurisht nuk ka më luftë klasash totale, sepse në shoqërinë e sotme demokratike, ashtu sikurse është shoqëria jonë, nuk ka më klasa antagoniste (ka shtresa sociale) apo luftë të verbër me frymëzime ideologjike.


Por, në jetën e përditshme, vendin e “luftës midis klasave” po e zë “lufta midis individëve”. Sepse modeli i jetës demokratike e ka zëvendësuar “luftën klasore” me garën dhe konkurrencën individuale, që shfaqet haptas si luftë për sukses me çdo kusht dhe përpjekjen po aq këmbëngulëse për të shmangur dështimin me çdo kusht. Nuk është luftë me sfond ideologjik e klasor, por është një luftë reale. Kjo ka shkaqet e veta objektive e subjektive, materiale dhe sociale. Sociologu Zygmunt Bauman bën një diagnostikim të kësaj situate, të kalimit nga “lufta e klasave” në “luftën midis individëve”. Sipas tij, “Meqë detyra që u takon të gjithëve duhet kryer në mënyrë të përveçëm ... ajo përçan situatat njerëzore dhe shkakton një konkurrencë të paskrupullt, në vend që të unifikojë një gjendje njerëzore, e cila pritet të gjenerojë bashkëpunim dhe solidaritet”. (Z Bauman, “Moderniteti i lëngët”, f. 128)

Duke e diagnostikuar këtë fenomen social gjeneralist në kontekstin e shoqërisë tonë, fare qartë duket se kjo “luftë” midis individëve është shumë e fortë, dhe me pasoja kolaterale e psikologjiko-morale. Por me një ndryshim që e evidentojnë sociologët, si thelb dhe tipologji. Sipas tyre, “…lufta sot nuk është luftë midis grupeve, ideologjive apo klasave, por midis individëve…”. (Byung Chul Han “Shoqëri e sfilitur” f. 73)

“Lufta” midis individëve është faktor që shpesh shoqërohet me ankthe, pasiguri, dëshpërim, e cila në jo pak raste ka si përfundim shfaqjen e “krizës subjektive të individit” që lodhet apo rraskapitet si pasojë e mos përballimit të luftës konkurrenciale me “tjetrin”, por edhe për shkak kapaciteteve të pamjaftueshme për t’i bërë ballë kësaj shoqërie, që luftën e klasave e ka zëvendësuar me nevojat për autoreferencë, si mjeti kryesor për t’u përballur me garën, sfidat, dinakëritë, pabesitë e të papriturat e një shoqërie që është tejet likuide (e rrëshqitshme). Pra nëse do të analizojmë realitetin, duhet pranuar se njeriu i kohës sonë, është përballë me “dy luftëra” të reja. E para është konkurrenca me “veten” dhe rraskapitja nga sfida për të konkurruar me “vetveten”. Ky është kushti i parë për sukses. Jeta është shpejtësi ka thënë Nice, dhe besoj se nuk e ka pasur gabim. Por nga ana tjetër është konkurrenca e hapur, totale, e pamëshirshme me individët e tjerë, me të cilët njeriu është në garë, drejt finishit dikotomik të suksesit apo dështimit.

Për fat të keq, shpesh ka paqartësi, që janë kosto të pamerituara që na vijnë nga mënyra e vjetër e jetës dhe e komportimit social. Për pasojë, akoma ndeshim koncepte të vjetra retrograde, që vijnë si “mbeturina konceptuale” me ndikim regresiv, që i pengojnë njerëzit tanë të kuptojnë të vërtetën, që “…konceptimet “demokratike” e “barazimtare” sipas të cilës të gjithë individët janë të barasvlershëm me njëri-tjetrin, çon në supozimin absurd se të gjithë duhet të jenë të aftë për çdo gjë: kjo barazi është diçka për të cilën natyra nuk jep asnjë shembull”. (Rene Guenon, “Mbretërimi sasisë dhe shenjat e kohës”, f.78) Por, në këtë rrugëtim konkurrencial dhe ballafaqim të formave të pafundme e diverse të konkurrencës individuale, është edhe ana pozitive e kësaj shoqërie, që është vitale, dinamike, e ashpër, pa pauza e qetësi, pa iluzione e pritmëri të kota, që nuk pranon përtacinë e mendjelehtësinë e individit inert. Kjo shoqëri sikurse ka thënë sociologu Scot Peck, ka një sintagmë që është universale për çdo individ: “Lufto ose ik, mbathja drejt dështimit”. Por nga ana tjetër, duke i parë zhvillimet sociale në shoqërinë tonë në këtë kontekst, duhet ta pranojmë pa frikë e mëdyshje, se ideja e shoqërisë që nxit garën dhe konkurrencën midis individëve, në mënyrë të natyrshme që do të sjellë edhe “anën e errët”, të njohur si “defekt” i demokracisë, që kërkon nga individi kurajë, forcë, iniciativë, guxim për të sfiduar së pari veten, me dije e aftësi, por edhe për të qenë kompatibël me sfidat e kohës dhe rivalët konkurrentë.

Kjo kohë nuk është adekuate për ata që kanë iluzione sociale, apo që kërkojnë shoqërinë humane e solidare, sipas konceptit primitiv, egalitarist e supersocial. Ajo që është imperative, ka të bëjë me ndërgjegjësimin e njerëzve tanë, sidomos të të rinjve, se pavarësisht nga ndonjë aspekt i shëmtuar, egoistik e makiavelist që shfaqet në garën dhe konkurrencën, si “luftë midis individëve’ për të arritur synimet e veta, ata duhet të kuptojnë të vërtetën e pandryshueshme, se në shoqërinë e sotme shqiptare, me aks të plotë liberal dhe individualist “…ndjekja e fitimit privat nga individë të panumërt nuk krijon kaos, por mobilitet social dhe një qarkullim të dëshirueshëm të klasave e të të mirave, si dhe harmoni sociale”. (Tage Lindbom, “Miti i demokracisë”, f. 54)

Kjo është arsyeja pse sjelljet e njerëzve tanë, të ndodhur përballë nxitimit, presionit dhe efikasitetit, (lufta për sukses) në jo pak raste bëhen antagonistë dhe për pasojë zgjerimi i kësaj tendence, e cila sikurse duket është e pashmangshme në kushtet e jetës postmoderne, ka bërë që kjo lloj gare, konkurrence, lufte individuale, kur kalon caqet e humanitetit dhe humanitarizmit, bëhet shkak jo vetëm për shfaqjet e patologjive individuale të njeriut që nuk përballon këtë konkurrencë dhe pëson depresion dëshpërim, ankth, frikë dhe pasiguri, por përtej kësaj kornize të pasojave individuale, perceptimeve dhe përjetimeve subjektive, në shoqëri, po ndodh ajo situatë sociale, që ato fenomene që në sipërfaqe duken si probleme individuale, në dimension më të gjerë kanë filluar të marrin trajtat e shfaqjes dhe agravimit të krizës së bashkekzistencës sociale. Ka shpesh situata që nga mënyra si zhvillohet në “lufta individuale”, të krijohet ideja e transformimit të tyre në një grup eksentrikësh “..që bashkëpunojnë për qëllimet e mbrojtjes së ndërsjellë, e jo si një grup shpirtrash të ngjashëm që i lidh një qëllim i përbashkët”. (Richard Rorty, “Kontigjenca, ironia dhe solidariteti”, f. 118)

Është e vërtetë që shoqëria shqiptare është liberale dhe me mundësi, që njeriu të ndjekë i lirë qëllimet e personalizuara në “korsinë” e vet jetike, të programojë një projekt të jetës personale. Por pas kësaj dukjeje të lirisë individuale, ka ca gjëra e negacione sociale në lidhjet dhe marrëdhëniet njerëzore që “fshihen ose maskohen prapa lirisë”. Për pasojë edhe qëllimet dhe mjetet që përdorin njerëzit, bashkë me përpjekjet gjithnjë e më të personalizuara për sukses, janë duke gjetur individët e tyre, të suksesshëm apo jo. Sepse njeriu në këtë shoqëri nuk mund të ecë kuturu apo të “ushqeje” veten me iluzione. Përkundrazi, në këtë betejë dhe garë, ai duhet të jetë aty ku duhet, në mënyrë që të përshtatet me imperativat e kohës së re. Nuk ka rrugë tjetër.

Shoqëria dhe mënyra modern e individualiste e jetës, e kërkon qytetarin të ketë qëllime të personalizuara dhe njëherësh, i aftë të gjejë edhe mjetet e duhura, për të qenë në vendin e duhur në kohën e duhur. Kjo shoqëri po evidenton krizat e individit modern, të cilat shfaqen si “luftë e dyfishtë, për kërkimin e vetvetes së vërtetë, dhe për të përballuar “betejat” shpirtërore me veten dhe shoqërisë. Në këtë pikë, nuk e ka pasur gabim Marksi, sipas të cilit, në kohën moderne, “Njeriu duhet të jetë me shqisa të kthjellëta përballë vetes dhe të tjerëve”. (Peter Murphy, “Kapitalizmi estetik”, f. 73)

Megjithatë, kam një frikë që vjen nga paradigma makiaveliste deri në ditët tona. Më duket se vendin e makiavelizmit, në shoqërinë tonë po e zë “doktrina”, që gradualisht justifikon mundësinë sociale të përdorimit të “mjeteve të këqija”, të cilat justifikohen shpesh si mjete që përdoren për të realizuar “qëllime të mira”. A është e mundur kjo? Kam frikë të bëj pohim pozitiv. “Gjeometria” e lidhjeve njerëzore edhe në shoqërinë shqiptare ka ndryshuar, madje në mënyrë të pakthyeshme. Ka ikur koha e shpresave të mëdha për socialit të zgjeruar e sociabilitet konsistent. Përfundimisht shoqëria jonë e ka kaluar “Rubikonin social” dhe tani është tipikisht dhe përfundimisht moderne pa dimensione deterministe, individualiste, qytetare dhe pa strukturime klasore. Në këto kushte është naivitet të mendosh si rrugë zgjidhje shmangien e rivalitetit, konkurrenca që kanë zbehur lidhjet sociale dhe pakësuar bashkëpunimin dhe solidaritetin social. Por nga ana tjetër, ndihet qartë nevoja e ngutshme, madje kërkesa imperative që kufiri i “luftës” midis individëve për famë, sukses apo afirmim personal, të jetë në kufijtë e normalitetit dhe humanitetit. Sepse shoqëria shqiptare në anën tjetër, duke u frakturuar dhe atomizuar deri në kufijtë e anomisë sociale, do e ndjejë nevojën për humanizëm, solidaritet dhe socialitet. Jo në format dhe paradigmat arkaike antiindividualiste, por format më të natyrshme që janë jetike për funksionimin e shoqërisë dhe ekzistencën njerëzore. /Gazeta “Panorama”/