Rritja e kostës së prodhimit, Hoti: Ndërmarrjet prodhuese të Kosovës po e humbin tregun vendor dhe ndërkombëtar

Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti tha sot se për shkak të rritjes së kostos së prodhimit ndërmarrjet prodhuese të Kosovës po e humbin tregun vendor dhe ndërkombëtar.
Hoti në një postim në Facebook shkruan se krahasuar me vitin 2021 rritja e kostove të prodhimit arrin në 24.1%.
Lexoni të plotë postimin:
Bazuar në të dhënat që ASK-ja i mbledh nga ndërmarrjet prodhuese më reprezentative në Kosovë, çmimet e prodhimit në tremujorin e parë 2026 janë rritur për 7.9% krahasuar me tremujorin e parë 2025. Krahasuar me vitin 2021, rritja e kostove të prodhimit arrin në 24.1%. Kjo ka ardhur para se gjithash nga rritja e kostove të energjisë të të gjitha llojeve.
A ka pasur mundësi të amortizohet një pjesë e rritjes së kostove të prodhimit? Padyshim se po. Sot, prodhimi në Kosovë do të ishte më i lirë sikur të zbatoheshin masat që kemi propozuar në vazhdimësi.
Pasojat e kësaj situate janë të shumëfishta, afatgjata dhe strukturore.
E para, ndërmarrjet prodhuese të Kosovës e humbin tregun vendor, pasi konsumatorët orientohen drejt produkteve më të lira nga importi. Punësimi në sektorin e prodhimit bie, investimet në prodhim bien dhe të ardhurat e përgjithshme bien.
E dyta, rriten importi i mallrave nga jashtë, përfshirë mallrat më elementare që lehtësisht mund të prodhohen në Kosovës. Kjo edhe ka ndodhur. Mes viteve 2021 dhe 2025, importi është rritur nga 4.6 miliardë në 7.0 miliardë.
E treta, rritja ekonomike zvogëlohet dhe të ardhurat rrjedhin jashtë vendin.
E katërta, dhe më e rënda, në afat më të gjatë ekonomia vendore e humb aftësinë konkurruese pasi mungojnë investimet në prodhim dhe nuk krijohen kapacitete sa i përket kapitalit njerëzor, pasi askush nuk investon në shkathtësi që nuk kërkohen në treg. Rrjedhimisht, ekonomia vendore futet në kurthin e zhvillimit të ulët.
Ky trend dhe ky kurth duhet stopuar sa më parë. Qeveria e re duhet të jetë e djathë, me orientim kah zhvillimi. Para se gjithash, duhet investuar fuqishëm në infrastrukturë dhe energjetikë për të ulur kostot e prodhimit. Duhet rishikuar menjëherë politikat fiskale që prekin ndërmarrjet prodhuese. Duhet punuar ngushtë me sistemin bankar për të zhvilluar instrumente kreditore favorizuese për ndërmarrjet prodhuese, për të cilat duhet të lëshohen garanci me pjesëmarrje të shtetit përmes blerjes së polisave të sigurimit që mbulojnë riskun e dështimit të kthimit të kredisë.
Më 7 qershor, kur shkojmë para kutive të votimit duhet pasur në mendje këto aspekte.
Kosovës i duhet qeveri që menaxhon zhvillimin, që krijon vende pune, që investon dhe krijon ambient ekonomik ku familjet i sigurojnë të ardhurat për konsum para se gjithash nga rritja e punësimit dhe e pagave.
Kosovës nuk i duhet një qeveri që prodhon dhe menaxhon kriza, e cila e bën konsumin e familjeve të varur nga të ardhurat që vijnë nga skemat sociale. Kosova duhet të dalë nga kurthi zhvillimor, në të cilin është futur në këto vite të qeverisjes së mbrapshtë ku janë kombinuar elemente majtiste, anarkiste, e korruptive. /Telegrafi/








































