0Shares

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) së bashku me përfaqësueset e strehimoreve dhe qendrave ditore që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit me qenie njerëzore dhe fëmijët pa përkujdesje prindërore, i janw drejtuar sot me një letër deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Në fazën kur po diskutohet aprovimi i projekt buxhetit për vitin 2019, RrGK dhe strehimoret e listuara më poshtë, i bëjnë thirrje deputetëve të alokojnë buxhet për punën e strehimoreve dhe qendrave ditore.

Republika e Kosovës e ka për obligim ligjor të përkrahë financiarisht punën dhe mbarëvajtjen e këtyre institucioneve, me qëllim të ofrimit të mbrojtës dhe të rehabilitimit të viktimave të dhunës në familje, trafikimit apo fëmijët që nuk kanë përkujdesje prindërore”, thuhet në njoftimin për media.

RrGK u ka bërë thirrje të gjitha mediave vendore që t’i përkrahin në këtë proces me shpresën që kërkesa e tyre do të miratohet edhe nga deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Letra e plotë të drejtuar deputetëve:

Të nderuar deputetë,

Sipas raporteve të Policisë së Kosovës, vetëm në 9 mujorin e parë të këtij viti, kanë humbur jetën 8 gra, si pasojë e dhunës në familje. Dhuna në familje mbetet një ndër format më të përhapura të dhunës së ushtruar në mbarë botën. Raporti i Rrjetit i Grave të Kosovës (RrGK) “Mjaft më me arsyetime” i publikuar në vitin 2015, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë për Barazi Gjinore dhe Koordinatorin Kombëtar për Dhunën në Familje, tregon që 62% e qytetarëve të Kosovës kanë përjetuar dhunë në familje gjatë jetës së tyre (68% e gra dhe 56% e burra). Të dhënat nga Policia e Kosovës tregojnë rreth 1,200 deri në 1,300 raste të dhunës në familje lajmërohen në stacionet policore çdo vit. Prej këtyre rasteve, 80% të raportimeve vijnë nga gratë përfshirë këtu edhe fëmijët e tyre. Në anën tjetër, edhe pas 18 vjetësh, trafikimi i qenieve njerëzore vazhdon të jetë problem serioz në Kosovë. Gjatë viteve të fundit, Kosova nga një vend tranziti, është shëndruar në vend origjine e viktimave të mitura të trafikimit.
Për shkak të rrezikshmërisë së lartë nga ushtruesit e dhunës, shumica e grave me fëmijë kanë nevojë për strehim. Në vitin 2018, strehimoret për dhunë në familje kanë strehuar 400 gra dhe fëmijë ndërsa në strehimoren për viktimat e trafikimit janë strehuar 23 viktima. Mungesa e strehimoreve për viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit me qenie njerëzore dhe fëmijët pa përkujdesje prindërore, mund të vë këto gra dhe fëmijë në rrezik më të madh nga dhuna, lëndimet, madje edhe vdekja. Në vitin paraprak, për shkak të një vonese në alokim të fondeve për strehimore, ato u detyruan që për 3 muaj të mbyllen dhe të mos ofrojnë asnjë shërbim për viktimat e shumta që kishin nevojë për strehim, duke i vënë ato përballë rrezikut.
Fatkeqësisht, e kemi vënë re se draft buxheti i vitit 2019, aktualisht nuk përfshinë një linjë buxhetore për të mbuluar në tërësi shpenzimet e strehimoreve për gratë dhe fëmijët që kanë përjetuar dhunë në familje. Ne ju inkurajojmë fuqimisht që të bëni ndryshime në buxhet, me qëllim që të garantohet siguria dhe mirëqenia e grave dhe fëmijëve, në përputhje me obligimet kushtetuese dhe përgjegjësitë ligjore të Kosovës.
Në pajtim me Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, të cilën Kosova e ka bërë pjesë të Kushtetutës së vet (Neni 22), shtetet kanë përgjegjësinë të marrin të gjitha masat e nevojshme për të eliminuar dhunën, duke përfshirë masat mbrojtëse, si shërbime mbështetëse për viktimat. Në vitin 2016, Kosova ka aprovuar Strategjinë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Plani i Veprimit 2016-2020, ku kërkohet që: “MPMS-ja të caktojë një buxhet të përhershëm për strehimoret, i cili duhet të jetë i mjaftueshëm që ato të mbulojnë të gjitha shpenzimet duke përfshirë këshillimin dhe përkujdesjen për viktimat e dhunës”.
Në mënyrë që të sigurohet mbrojtje e vazhdueshme për gratë dhe fëmijët, ne i bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës të sigurojë fonde të mjaftueshme përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) që të mbulohen të gjitha shpenzimet e strehimoreve për vitin 2019. Strehimoret licencohen dhe kontraktohen nga MPMS, më specifikisht nga Departamenti për Politika Sociale dhe i Familjes, për të ofruar shërbime.
Koalicioni i nëntë Strehimoreve të Kosovës, në qershor të vitit 2016, i kanë dërguar Qeverisë së Republikës së Kosovës një plan buxhetor të dizajnuar për mbulimin e shpenzimeve në bazë të pakos së shërbimeve të strehimoreve. Në bazë të këtij plani buxhetor të propozuar, të gjitha strehimoret në buxhetin e tyre kanë kalkuluar shumën vjetore prej 60,000€ në vit. Do të thotë, shuma totale që nevojitet për vitin 2019 për njëmbëdhjetë strehimore është 660,000€ ku përfshihen shpenzimet e medikamenteve, ushqime, veshëmbathje, mirëmbajtje të objektit, transport, komunikim, paga për stafin, e të tjera. Strehimoret e licencuara nga vetë MPMS kanë obligim të jenë transparente për mënyrën e shpenzimeve të fondeve publike duke ofruar raporte dhe transparencë të plotë të shfytëzimit të këtyre fondeve dhe fondeve të tjera potenciale të përfituara nga organizatat ndërkombëtare për shërbime shtesë të cilat nuk do të mbivendosen me shpenzimet e shtetit.
Krahasuar në kontekst të buxhetit të përgjithshëm të Kosovës, kjo është një shumë simbolike për të alokuar në mënyrë që të plotësohen obligimet shtetërore dhe potencialisht të shpëtohen jetërat e mijëra grave dhe fëmijëve të strehuar.

Sinqerisht,

Rrjeti i Grave të Kosovës (me 140 organizata anëtare)
Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve
Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës “Raba Voca”
Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Gruas dhe Fëmijës LIRIA
Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të qenieve njerëzore – Kosovë
Qendra për Mirëqenien e Gruas
Qendra për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve
Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve “Kosovë”
Shtëpia e Sigurtë
Strehimorja në Ferizaj
Strehimorja në Novobërdë
Žensko Pravo në Mitrovicën e Veriut. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)