LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi ndryshe i Armand Dukës, njeriu i dytë i futbollit evropian: Si e bindi Sylvinhon në takimin e parë, çfarë pret nga Euro 2024 dhe premio që i është dhënë kuqezinjve

Rrëfimi ndryshe i Armand Dukës, njeriu i dytë i futbollit evropian: Si e bindi Sylvinhon në takimin e parë, çfarë pret nga Euro 2024 dhe premio që i është dhënë kuqezinjve

Kombëtarja e Shqipërisë ka përsëritur suksesin e vitit 2016, duke arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian ‘Euro 2024’.

Pas një fushate kualifikuese të jashtëzakonshme për Euro 2024, ku Kombëtarja Shqiptare ka shfaqur një performancë të përkryer, të mbushur me pasion, përkushtim dhe një futboll që frymëzon, futbolli shqiptar po njeh një epokë të re zhvillimi dhe njohjeje ndërkombëtare.


Armand Duka, në rolin e tij si president i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), ka qenë një prej arkitektëve kryesorë të kësaj rritjeje dhe transformimi, duke dëshmuar se drejtueshmëria e fortë dhe vizioni strategjik mund të çojnë një kombëtare drejt majave të suksesit.

Duka ia dha çelësat e Kombëtares trajnerit brazilian Sylvinho, ku doli zgjedhje e qëlluar edhe pse fillimisht u pa me skepticizëm në opinionin e gjerë futbolldashës.

Megjithatë presidenti i FSHF-së vazhdon të bëj gjëra të mëdha për futbollin në Shqipëri dhe Kombëtaren shqiptare, derisa ai këtë vit është zgjedhur edhe zëvendës president i UEFA-s, shtëpisë më të madhe të futbollit evropian.

Në një intervistë për Telegrafin, Duka ka folur për të gjitha, nga bisedat me Sylvinhon te kualifikimi për Euro 2024, zgjedhja si zv. president i UEFA-s e deri ta premio që i ka dhënë futbollistëve për kualifikimin.

Arritja në Kampionatin Evropian, një sukses i jashtëzakonshëm, por kur filluat të besoni se kjo Kombëtare do të arrijë në Euro 2024?

Armand Duka: Në fakt, kualifikimi për në Euro 2024 ka qenë një objektiv i vendosur që në strategjinë “Futbolli për Kombin” kur ne prezantuam në shkurt të vitit 2022. Dhe ne kemi pasur një plan të qartë për arritur deri te suksesi. Më besoni, në futboll asgjë nuk vjen rastësisht. Ne kemi punuar me një plan të qartë dhe me vizion, duke transformuar infrastrukturën me Kombëtaren që tashmë stërvitet e punon në një nga qendrat më moderne në Ballkan dhe ka një stadium modern. Kemi përzgjedhur një staf teknik me në krye trajnerin Silvinjo që kanë bërë një punë të shkëlqyer. Ndërkohë kemi edhe një grup shumë të mirë lojtarësh, një gërshetim mes të rinjve dhe atyre me eksperiencë, që premtonin shumë. Me pak fjalë i kishim të gjithë komponentët për të bërë një fushatë shumë të mirë kualifikuese dhe për të synuar objektivin madhor, kualifikimin për në Euro 2024. Duke mos u nisur nga dëshira, por sipas mundësive dhe kapaciteteve që kishte Kombëtarja, futbollistëve në përbërje, organizimit dhe përkushtimit që kishte. Ishte objektivi jonë, por njëkohësisht ishim të ndërgjegjshëm që nuk ishte i lehtë për t’u përmbushur. Edhe pse humbëm më Poloninë në ndeshjen e parë, paraqitja e skuadrës ishte mjaft e mirë dhe më pas veçanërisht pas ndeshjeve të qershorit ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, unë pata shumë besim se ne mund ta realizonim këtë ëndërr të bukur. Dhe e arritëm objektivin jo vetëm me rezultate në fushë, por edhe duke bërë paraqitje shumë të mira dhe bindëse.

Në momentin që u hodh shorti, a besuat se mund të kualifikoheni dhe atë si lider i Grupit duke marrë parasysh dy rivalë të fortë si Polonia dhe Republika Çeke?

Armand Duka:Shorti i kualifikueseve ishte shumë i vështirë, pasi në grup kishim dy skuadra që ishin në vazo më lart se ne si Polonia dhe Çekia. Dy skuadra disa herë pjesëmarrëse në Kampionate Botërore dhe Evropiane, por edhe ndaj të cilave ne kishim rekorde negative. Për të mos harruar edhe Moldavinë, që ishte deri në fund në garë për t’u kualifikuar dhe një rival më të vërtetë i hidhur. Por unë e kam deklaruar që pas hedhjes së shortit në tetor 2022, se objektivi jonë është kualifikimi dhe këtë e kam thënë me bindje, duke pasur parasysh mundësitë tona reale dhe aftësitë e djemve tanë. Patjetër jam shumë i lumtur që ia dolëm të siguronim vendin e parë në grup dhe të pozicionohemi në vazon e dytë të shortit për finalet e Euro 2024. Jam i lumtur edhe për faktin që Kombëtarja shqiptare ka thyer të gjitha rekordet në këtë fushatë kualifikuesesh për Kampionatin Evropian në shumë drejtime dhe që arritëm të linim pas Çekinë dhe Poloninë, dy pretendentet kryesore për t’u kualifikuar. Ka qenë padyshim një fushatë historike për ne.

Kombëtarja vazhdon t’i bashkoj shqiptarët nga të gjitha trevat si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e Lugina e Preshevës. Sa është e rëndësishme për ju si president një gjë e tillë?

Armand Duka: Unë e them shpesh, ndihem krenar që Kombëtarja i bën bashkë të gjithë shqiptarët kudo që janë, brenda dhe jashtë kufijve. Jo vetëm në fushë, por edhe në tribunat e stadiumeve. Dhe ne e kemi parë se vetëm futbolli arrin ta bëjë diçka të tillë. Është fantastike fakti që ne kemi në përbërje futbollistë nga të gjitha trevat. Sepse kombëtarja kuqezi është simboli i unitetit kombëtar për të gjithë ne, ku mblidhen të gjithë shqiptarët. Ne kemi bërë bashkë lojtarët që vijnë nga të gjithë trojet shqiptare dhe e kemi derën e hapur për të gjithë ata që janë shqiptarë që kanë talentin dhe e meritojnë të veshin fanellën kuqezi, pavarësisht se ku kanë lindur. Në fund të fundit janë lojtarët ata që vendosin se me cilën kombëtare duan të luajnë. Do të shqetësohesha vetëm në rast se futbollistët shqiptarë do të zgjidhnin të luanin për Gjermaninë, Zvicrën apo vende të tjera dhe jo për Shqipërinë.

Këngët patriotike duke u kënduar nga gjithë të pranishmit, si ndjeheni ju si president në ato momente?

Armand Duka: Edicioni kualifikues i Kampionatit Evropian “Gjermani 2024” ka qenë i jashtëzakonshëm dhe do të mbahet mend gjatë besoj. Sepse kishte kaq shumë ngjarje të bukura dhe kaq shumë emocione të mëdha. Fitoret ndaj skuadrave si Polonia dhe Çekia, loja bindëse e kombëtares dhe gola fantastikë nga yjet kuqezi, që nuk i shikonim prej kohësh. Arritja në vendin e parë të grupi ishte një tjetër moment historik, por nuk mund të lëmë pa përmendur edhe lojtarin e 12-të, tifozët tanë të mrekullueshëm që kanë shkëlqyer gjithashtu në shkallët e stadiumeve. Si kurrë më parë ne kemi pasur një numër shumë të madh tifozësh në ndeshjet në transfertë, ndërkohë që në shtëpi ne e kishim stadiumin plot e përplot në të gjitha ndeshjet dhe kërkesat për bileta ishin përtej çdo imagjinate. E në këtë sens atmosfera e krijuar prej tyre në çdo stadium ka qenë një nga pikat kulmore të kësaj fushate kualifikuese. Sa herë i risjell në vëmendje skenat e festë së lojtarëve me tifozët në fund të çdo ndeshjeje, duke kënduar së bashku këngët patriotike, emocionohem shumë. Momente të papërsëritshme që sigurisht do të mbahen mend gjatë dhe janë një motiv i madh krenarie.

Çfarë premio kanë marrë futbollistët për kualifikimin në Euro 2024, a është premio më e madhe se ajo e vitit 2016?

Armand Duka: Një pjesë e mirë e të ardhurave nga kualifikimi për në finalet e Euro 2024 do të shkojë për shpërblimet e futbollistëve dhe stafit. Shpërblimet kanë qenë të përcaktuar qysh në nisje të edicionit, por sigurisht ne kemi vendosur që t’i rrisim ato dhe mund t’ju them që një pjesë e konsiderueshme e shpërblimeve të UEFA-s për kualifikimin do të shkojë për futbollistët si edhe për të mbuluar shpenzimet që ka kombëtarja në këtë aventurë të dytë në finalet e një turneu madhor. Mendoj se nuk është rasti për të bërë krahasime me Euro 2016. E rëndësishme është që futbollistët të ndjehen të vlerësuar dhe, ju siguroj që janë. Gjithashtu, është po aq e rëndësishme që ne t’u krijojmë atyre kushte sa më të mira pune, një atmosferë sa më pozitive dhe e them me bindje të plotë se Kombëtarja do të shkojë në Gjermani përmes një organizimi perfekt, duke mos i munguar asgjë.

Në Gjermani do të jemi në ‘Grupin e vdekjes’, me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë. Cilat janë pritshmëritë tua?

Armand Duka: Gjatë shortit isha shumë i qetë dhe nuk kisha asnjë merak për rivalët që do të kishim në grup, sepse të gjitha skuadrat që janë kualifikuar për në finalet e Euro 2024 janë të forta dhe për t’u respektuar. Rivalet tona në Grupin B janë patjetër janë skuadra me histori e me shumë trofe, Italia kampione e Evropës në fuqi, Spanja një ish-kampione e Botës dhe e Evropës, Kroacia finaliste e Kupës së Botës. Mirëpo, ne u kualifikuam për në Evropian për të sfiduar skuadrat e mëdha, pastaj se cili do të jetë më i fortë, këtë do ta tregojë vetëm fusha e lojës.
Për ne është e rëndësishme të përgatisim sa më mirë këtë turne dhe të mundohemi të bëjmë maksimumin, sepse mundësitë janë aty. Dy skuadrat e para të grupit do të kualifikohen në fazën tjetër së bashku me katër ekipet më të mira nga vendet e treta në grupe. Nëse bën një rezultat pozitiv i ke të gjitha mundësitë për të kaluar në 1/16–at e finaleve. E sigurt është që Shqipëria nuk ka frikë dhe do të luajë si e barabartë me të gjithë kundërshtarët, pavarësisht emrit dhe historisë që kanë. Unë besoj se ne i kemi të gjitha kapacitetet për të bërë surprizën në këto finale.

Sylvinho me bashkëpunëtoret e tij bënë një punë të madhe dhe sigurisht që jeni të kënaqur me ta, por si erdhi deri te ideja që t’ia besoni çelësat e Kombëtares trajnerit brazilian?

Armand Duka: Sylvinho ka një karrierë të pasur si futbollit, por edhe eksperiencë të rëndësishme si trajner në fakt. Ne po negocionim me disa trajnerë asokohe, por kur e takova Sylvinho-n më bëri përshtypje që në herën e parë, për mënyrën se si ai e shikonte futbollin dhe pasioni i madh që kishte për punën. Ishte shumë i përgatitur dhe i kishte idetë e qarta se si mund të luante Kombëtarja shqiptare në drejtimin e tij. Më pas, edhe përfshirja e Pablo Zabaletës dhe Dorivës në këtë tratativë, dy emra të njohur të futbollit, ishte gjithashtu një shtysë plus. Po flasim për ish-futbollistë dhe trajnerë që kanë luajtur e punuar me yjet e botës në nivelet më të larta dhe kanë një mentalitet fitues. E kam parë që mund të ketë pasur pak skepticizëm në fillim, por unë jam shumë i lumtur tani, sepse vendimi për t’ia dhënë atij “çelësat” e Kombëtares ka qenë zgjedhja e duhur dhe rezultoi një sukses i vërtetë. Është bërë një punë e madhe dhe nga ana e FSHF përmes investimeve dhe një qendre stërvitore moderne. Ne u kemi krijuar të gjitha kushtet e duhura për të punuar sa më mirë dhe stafi së bashku me futbollistët na e shpërblyen, duke na dhuruar rezultate fantastike dhe një futboll të bukur.

Jeni zv. President i UEFA-s një sukses i madh jo vetëm për ty, por për të gjithë shqiptarët arritja e juaj. Çfarë do të thotë për Armand Dukën të jetë njeriu i dytë i futbollit evropian?

Armand Duka: Zgjedhja në nivelet më të larta drejtuese të UEFA-s është një vlerësim për futbollin shqiptar së pari, një vlerësim për të gjithë njerëzit e komunitetit të futbollit shqiptar. Edhe në aspektin personal sigurisht është kënaqësi e madhe, sepse ndihesh i vlerësuar për atë kontribut që ke dhënë ndër vite në futboll dhe për mundësinë që të jepet për të qenë një zë i rëndësishëm në organet drejtuese të qeverisë së futbollit evropian. Në të njëjtën kohë është edhe një përgjegjësi e madhe dhe kjo më bën të jem edhe më i fokusuar për të bërë më të mirën dhe për të dhënë maksimumin tim në këtë pozicion. UEFA është një organizatë sportive, mbase një nga më të mirat në botë, bashkimi i të gjitha federatave evropiane dhe organet e saj drejtuese padyshim që marrin vendime për të mirën e futbollit evropian në përgjithësi. Unë jam i kënaqur që do të japë kontributin tim në mbarëvajtjen e futbollit evropian, në strategjitë e zhvillimit të tij, pse jo edhe me vendimet e përditshme apo administrative që do të duhet të marrë Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s për të mirën e futbollit.

Të shohim thuajse gjithmonë afër Agim Ademit dhe Muhamed Sejdinit, presidentët e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Keni bashkëpunim të mirë, por a do t’i ndihmojë Shqipëria këto dy vende edhe në infrastrukturë duke marrë parasysh që shumë futbollistë nga këto dy vende luajnë për kuqezinjtë?

Armand Duka: Që ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me drejtuesit e federatave të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kjo dihet tashmë, pasi faktet flasin vetë. Ne kemi shumë programe bashkëpunimi me këto federata, qoftë në drejtim të projekteve, dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm, duke ndarë eksperiencat dhe duke organizuar rregullisht ndeshje mes ekipeve kombëtare të të gjitha moshave apo edhe në sektorin e edukimit të trajnerëve. Dhe këto marrëdhënie sa vijnë e intensifikohen, duke sjellë produkte pozitive për futbollin.
Futbolli në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ka bërë progres të dukshëm vit pas viti dhe unë jam i bindur se ky progres do të vijojë me të njëjtat ritme, ndërkohë që FSHF do të jetë gjithmonë aty, duke dhënë kontributin e saj me të gjithë mbështetjen e mundshme që ne të rritemi së bashku. Edhe në pozicionin tim si Zv.President i UEFA-s unë përpiqem të jap mbështetjen time për të ndihmuar këto dy federata që të rriten edhe më shumë përmes projekteve.

Si e cilëson vitin 2023 dhe cilat janë projektet që synon t’i realizosh në vitin 2024?

Armand Duka: Ky që po lëmë pas ka qenë një vit suksesi për Shqipërinë e futbollit në disa drejtime, me ngjarje të mëdha, zhvillime e investime shumë të rëndësishme. Sidoqoftë, qershia mbi tortë ishte suksesi i Kombëtares shqiptare që u kualifikua për të dytën herë në finalet e një kampionati Evropian. Kemi përmirësuar infrastrukturën duke shtuar inventarin e fushave në Shqipëri, ndërkohë që kemi pritur e organizuar plot 13 turne ndërkombëtar kualifikues e zhvillimor për vajza e djem të të gjitha moshave kombëtare dhe para-eliminatore të Champions League. Gjithashtu, jam shumë i lumtur që eksperienca dhe organizimi i duhur dhe i suksesshëm i këtyre turneve u shpërblye nga UEFA, që na besoi organizimin e finaleve të Kampionatit Evropian U-17 për djem në vitin 2025. Pas finales së UEFA Conference League, ne fitojmë sërish të drejtën për të organizuar finalet e një kompeticioni evropian dhe kjo është një arritje e madhe, jo vetëm për FSHF dhe futbollin, por edhe Shqipërinë. Futbolli nuk pushon kurrë dhe ne do ta nisim vitin 2024 me energji të reja dhe me projekte të rëndësishme për të vijuar me transformimin e infrastrukturës, për të mbështetur zhvillimin e futbollit të bazës, për djem e vajza si edhe për të rritur nivelin e profesionistëve të futbollit përmes programeve edukuese. Dhe jemi të bindur se përmes kësaj pune të madhe e me plotë përkushtim, do të vijnë edhe rezultate të tjera të rëndësishme. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
UEFA zbulon lojtarin më të shpejtë për këtë edicion në Ligën e Kampionëve

UEFA zbulon lojtarin më të shpejtë për këtë edicion në Ligën e Kampionëve

Liga e Kampionëve
Zyrtare: Bundesliga me pesë skuadra në Champions duke iu falënderuar Dortmundit

Zyrtare: Bundesliga me pesë skuadra në Champions duke iu falënderuar Dortmundit

Liga e Kampionëve
Pse Jamal Musiala vendosi të mos përfaqësojë Anglinë në nivel të lartë, duke përzgjedhur më pas Gjermaninë

Pse Jamal Musiala vendosi të mos përfaqësojë Anglinë në nivel të lartë, duke përzgjedhur më pas Gjermaninë

Përfaqësueset
Mohamed Salah thyen heshtjen në rrjetet sociale pas përplasjes që kishte me Jurgen Klopp

Mohamed Salah thyen heshtjen në rrjetet sociale pas përplasjes që kishte me Jurgen Klopp

Premier League
Tifozët kanë mbetur të shokuar me pritjen që iu bë Toni Kroosit në ‘Allianz Arena’

Tifozët kanë mbetur të shokuar me pritjen që iu bë Toni Kroosit në ‘Allianz Arena’

Liga e Kampionëve
Të gjithë po pyesin për ritualin e Bellingham para çdo ndeshjeje – anglezi shpjegon përse e bën

Të gjithë po pyesin për ritualin e Bellingham para çdo ndeshjeje – anglezi shpjegon përse e bën

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori