LAJMI I FUNDIT:

Rrahmani po i mban premtimet

Rrahmani po i mban premtimet

Pak vite më parë vraponte prapa stadiumit të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, duke e djersitur fanellën e Ramiz Sadikut, në Ligën e Parë të Kosovës. E njihnin fare pak njerëz derisa paguhej sikurse një ‘pensionist’ në Kosovë.

Sot e njeh një komb i tërë. Fjala është për mbrojtësin Amir Rrahmani, i cili po shkëlqen në Kampionatin e Kroacisë në fanellën e RNK Splitit, derisa tashmë është bërë pjesë e pandashme edhe e Kombëtares së Shqipërisë.

22-vjeçari të mërkurën e gjeti edhe golin e parë në Kroaci. Ai ia bëri ‘sefte’ me gol në humbjen e skuadrës së tij në ‘shtëpi’ nga Rijeka me shifrat 2:1.


Rrahmani duke folur në një prononcim për ‘sovrani.info’, ka rrëfyer emocionet e golit. “Jam ndjerë mirë në ato moment pasi që e barazova rezultatin dhe njëkohësisht ishte goli im i parë. Më kanë uruar të gjithë për golin”, ka thënë Amir Rrahmani.

Ish-futbollisti I Partizanit të Tiranës dhe Drenicës, ndër të tjera zbulon se në këtë mënyrë e ka mbajtur edhe një premtim. “U kam thënë të gjithëve se do të shënojë gola në gjysmën e dytë të sezonit. Çdo herë kam shënuar gola në gjysmën e dytë të stinorit”, shtoi Rrahmani.

Ai në fund tha se do të tentojë që të shënojë sa më shumë gola derisa për golin e parë në Kroaci, e ka një dedikim. “Golin ia dedikojë familjes dhe të gjithë atyre që më përkrahin”, përfundoi Amir Rrahmani.