Kryetari i Komisionit për Punë, Buxhet dhe Transfere, Armend Muja ka thënë se të gjitha projektet që kanë qenë për efekt elektoral janë anuluar.

Muja në seancën e fundit parlamentare të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet rishikimi i dytë i Buxhetit të vitit 2021 ka shtuar se rishikimi po bëhet për ta mbështetur rimëkëmbjen ekonomike të vendit nga pandemia COVID-19, përcjell Telegrafi.

“Që ky Projektligj, së bashku me amendamentet është i mbështetur në tërësi andaj ka rekomanduar që të miratohet këtu në Kuvend. Në emër të Grupit Parlamentar, ne e mbështesim këtë rishikim të buxhetit. Kjo bëhet për të mbështetur rimëkëmbjen e vendit nga pandemia COVID-19. Kemi pasur një performacë të mirë në të hyra. Me rishikimin e buxhetit, borxhi publik do të zvogëlohet në 437 milionë euro apo 27.6 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Rishikimi do të filloj sot e do të përfundoj më 31 tetor. Ato projekte që kanë qenë për efekt elektoral janë anuluar”, tha Muja.

Ditë më parë, me shumicë votash Kuvendi kishte miratuar në lexim të parë rishikimin e Buxhetit.

Me buxhetin e rishikuar, shpenzimet do të jetë në total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.

Po ashtu, është paraparë të bëhet edhe një marrëveshje ndërkombëtare në formë kredie për mbulimin e pasojave të shkaktuara nga COVID-19, por që është kundërshtuar nga deputetët e opozitës. /Telegrafi/